Gratë në sundimin e ligjit

Njihuni me Furtunën – eksploruese këmbëngulëse!

08 korrik 2014

Praktikimi dhe studimi i të drejtës penale për dikë do të ishte një punë stresuese dhe e rrezikshme. Jo shumë njerëz do të mund ta përballonin këtë presion. Sidoqoftë, ata që i duan sfidat punojnë shumë për t'i kryer detyrat e tyre me sukses. Furtuna Sheremeti i përket këtij grupi.

Momentalisht ajo është duke i skalitur shkathtësitë e saj ligjore në Universitetin e Oksfordit, ku po i kryen studimet Master në fushën e Kriminologjisë dhe Shkencave Penale. Ajo, po ashtu, është nënkryetare e organizimeve në Graduate Common Room të Green Templeton në kolegjin e saj.

Sheremeti, qysh herët, ka shprehur interesim për fushën e juridikut, duke e filluar karrierën e saj ligjore si aktiviste për të drejta të njeriut në kuadër të Iniciativës Rinore për të Drejta të Njeriut. Ajo pastaj vazhdoi të punonte në Aba Roli – Asociacioni i Avokatëve Amerikan, ku u angazhua në një projekt që kishte për fokus reformimin e sistemit ligjor të Kosovës.

Pas angazhimit në projektet e USAID-it për gjyqësorin, Furtuna filloi punën për një firmë ligjore Sejdiu & Qerkini në Prishtinë, si specialiste e strategjisë së gjykimit. "E konsideroj veten si shumë fatlume që kam pasur mundësinë të punoj me njerëz më të cilët kam punuar. Kjo më ka mundësuar të ngritëm profesionalisht", thekson Furtuna. Po ashtu, ajo edhe personalisht i ka meritat e saj, në moshën 23 vjeçare ajo paraqiti personalisht rastin e parë në Gjykatën Kushtetuese.

Padrejtësia dhe pabarazia e motivojnë Furtunën. Si një person që beson se shembulli i saj do të inkurajoj më shumë gra kosovare që ta ushtrojnë profesionin në fushën penale, ajo thotë: "të drejtat e barabarta gjinore do të thotë t'i pranojmë dhe respektojmë dallimet mes nesh, dhe vetëm atëherë një shoqëri mund të jetë me të vërtetë e barabartë".

Sipas Sheremetit, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë për një rinovim të rrënjësishëm. "Jo vetëm që duhet të punojmë më shumë por edhe puna jonë duhet të ri-drejtohet në tërësi. Reformat mbi reforma nuk na ndihmojnë," thotë ajo, duke theksuar se gjyqësori i Kosovës nuk mund t'i përballojë reformat rrënjësore momentalisht, prandaj ne duhet ta bëjmë më të mirën e mundshme me atë çfarë kemi në dispozicion momentalisht.

"Unë personalisht mendoj se prokuroria ka nevojë urgjente për investime në njerëz dhe mjete. Gjithashtu, Ligji i ri për Gjykatat i cili ka hyrë në fuqi në janar 2013 përpos që ka vënë një barrë shtesë mbi gjyqësorin – ende nuk e ka përmirësuar situatën në terren", theksoi Furtuna.

Megjithatë, sipas Fortunës, për ta përmirësuar gjyqësorin duhet të plotësohet një kusht themelor e ai është ç'rrënjosja e ndikimit politik. "Nëse një gjë e tillë nuk ndodh – arritja e përparimit do të jetë shumë e vështirë," përfundoi ajo.

Përpos drejtësisë, shkrimi ka qenë gjithmonë një pasion tjetër i Furtunës. "Unë gjithmonë kam menduar se do të bëhem shkrimtare ose gjuhëtare, mirëpo e kuptova se këto profesione nuk e plotësojnë nevojën time për eksplorim," shpjegon ajo. Opsioni i dytë për Furtunën ishte Astronomia. Gjithësia dhe e panjohura e kanë magjepsur dhe intriguar atë gjithmonë. Mirëpo, në fund ajo e zgjodhi opsionin e tretë - drejtësinë, të cilin ajo e kishte gjithherë në listë. "Besoj se e treta ishte e vërteta," thotë ajo duke qeshur. Por tani që ka kaluar pak kohë në këtë fushë ajo ndihet e lumtur për zgjedhjen që e ka bërë.

Me dy libra të botuara në biografinë e saj, nuk mund të thuhet se Furtuna ka hequr dorë nga shkrimi përgjithmonë. "Me pëlqen të shkruaj prozë letrare kohë pas kohe, me ndihmon t'i shpreh ndjenjat e mia dhe është e vetmja mënyrë që me bën të mos ulërij kohë pas kohë", thotë ajo.

Vdekja e babait të saj kur ajo ishte vetëm 5 vjeç, ndikoi që Furtuna t'i vlerësojë edhe gjërat më të vogla në jetën e saj. Nëna, motra dhe vëllai i saj u kujdesen që asaj të mos i mungonte asgjë – prandaj ajo e konsideron veten me shumë fat, përkundër të gjitha atyre gjërave nëpër të cilat ka kaluar.

Seminare të shumta, udhëtime rreth botës dhe kontaktet e krijuara kanë ndikuar që Furtuna të jetë ajo që është sot. Ajo është një grua që s'ka frikë nga asgjë dhe është e gatshme për t'u përballur me sfida.

"Nuk ka qenë e lehtë," thotë ajo kur e kujton ngritjen e saj në karrierë. "dhe nuk do të jetë e lehtë as në të ardhmen." Mirëpo me vendosmëri dhe punë të palodhshme – sfidat nuk bëhen më ndonjë faktor.

"Përkundër faktit se Kosova ende ka nevojë për përmirësime në fushën e drejtësisë, unë kam besim se gjërat do të ndryshojnë." Ajo beson fuqishëm se çdonjëri duhet ta këtë mundësinë që t'i jetësojë ëndrrat e veta pavarësisht rrugës së vështirë. "Mos i flakni tutje ëndrrat tuaja. Bëjini ato realitet. Vetëm atëherë do të jeni vetvetja, dhe kur ta arrini këtë – çdo gjë tjetër do të jetë shumë më e lehtë."