Gratë në sundimin e ligjit

Mbrojtja e komunitetit në veri - njoftohuni me Raymila Markova

06 qershor 2014

Ajo është nga vendi ku kanë lindur Orfeu dhe Spartaku, një shtet me një histori të gjatë dhe magjepsëse. Kur Raymila Markova filloi punën në Drejtorinë e Policisë për Krime në Sofje, ajo u bë përgjegjëse për luftimin e trafikimit të artefakteve shumë të çmuara në gjithë Bullgarinë. Ajo punonte për të ruajtur nga shkatërrimi dhe vjedhja trashëgiminë e pasur kulturore në të cilën kishin lënë ndikimin e tyre Grekët, Skitët, Romakët, Bizantinët dhe Turqit.

Përderisa ishte në Bullgari, Raymila ishte përgjegjëse për pengimin e vjedhjeve të përhapura të pjesëve të artit dhe gërmimeve arkeologjike të kundërligjshme në gjithë vendin, ku për çdo vit, plaçkiteshin objektet me rëndësi kulturore dhe vlera të rëndësishme , e pastaj kontrabandoheshin nëpër botë, shpesh duke përfunduar si pjesë e koleksioneve private.  

Në një çast, ajo i la të gjitha pas vetes, në mënyrë që t’i bashkohej njësisë policore plotësuese të Sektorit Ekzekutiv të EULEX-it në Kosovë. Kjo ishte diçka krejt ndryshe nga bota e artit, të jesh në njësinë e parë policore që kishte për detyrë të patrullojë në veri të Kosovës. 

Pas një viti, Raymila u bë këshilltare e stacionit në Sektorin e Fuqizimit në veri, duke e këshilluar shërbimin policor vendës në katër komunat në veri për policimin në komunitet dhe duke ndihmuar në rritjen e efikasitetit të tyre. Detyra më e rëndësishme për të dhe për PK është të krijoj raporte të afërta me komunitetin vendës të ndërtuara në besim, pranim dhe qëllime të përbashkëta, të nevojshme për ngritjen e standardeve të sigurisë.  

“Për të qenë efektiv, policia duhet ta ketë pëlqimin nga komuniteti. Ne duhet të koncentrohemi në parandalimin e krimit dhe për këtë na nevojitet partneriteti me qytetarët”, thekson Raymila. 

Një parim i rëndësishëm i policimit në komunitet në veri është që policia të kuptojë nevojat dhe kërkesat e shoqërisë ku ata jetojnë, thotë Raymila. Meqë policia ofron shërbim publik, ajo po ashtu duhet të shkojë një hap më larg për të identifikuar dhe zgjidhur problemet në mënyrë që të parandalohet krimi dhe konfliktet e ardhshme. Policia në komunitet, sipas  Raymil-ës, mbanë llogaridhënie për veprimet e dhe vendimmarrjet e tyre për qytetarët të cilëve u shërbejnë. Policët në komunitet duhet të jenë frymëzim për popullatën vendëse që të jenë më proaktiv sesa pranues pasiv të shërbimeve të policisë. Me fjalë tjera, ata nuk janë aty për të dominuar, por për t’i shërbyer komunitetit. 

Raymila punon bashkë me një ekip të vogël të fokusuar në monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e homologëve të tyre vendës, në përpjekjet e tyre për avancimin e kapaciteteve operacionale të stacioneve policore në komunat veriore. Ata angazhohen në aktivitete ditore së bashku me kolegët e tyre duke ofruar këshilla dhe inspirim, nganjëherë duke i zgjidhur bashkërisht problemet dhe pengesat ditore.  

Një kriter esencial i punës së saj, tregon Raymila, është një raport pune i fuqishëm me kolegët e saj të punës. “Më pëlqen fakti që ne mund të komunikojmë. Duke e pasur parasysh ngjashmërinë me gjuhën bullgare, unë mund të them se unë mund ta kuptojë gjuhën serbe. Unë po ashtu e kuptojë traditën dhe kulturën vendëse. Ne kemi një historik të ngjashëm dhe kjo më ndihmon në punën time të përditshme”. 

Raymila së fundi ka filluar të punojë në çështjet e dhunës në familje, në veri. Shqetësimi i saj kryesor është mbrojtja e viktimave në një komunitet të vogël ku “njerëzit ngurrojnë të tregojnë për problemet e tyre, meqë ata të gjithë e njohin njëri tjetrin dhe nuk duan të jenë të stigmatizuar”. Ajo ka njohuri për shkëputjen e cila ekziston në mes të institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile dhe është munduar të identifikojë zbrazëtirat, në mënyrë që të ketë më shumë mbrojtje për viktimat e dhunës në familje. Gjatë këtij procesi i cili është duke vazhduar, si kolegët nga PK dhe ajo vetë kanë mësuar shumë, thekson ajo.

 “Ne i shkëmbejmë përvojat dhe mësimet e nxjerra, cilat janë të dyanshme. Unë fitoj njohuri nga kolegët e mi nga PK dhe ata po ashtu mësojnë nga unë”, thotë Raymila. 

Raymila është police në komunitet me gjithë zemër. Qëllimi saj është të arrijë në komunitet tek ata që kanë nevojë  dhe dëshira e saj është që kolegët nga PK të jenë në gjendje për t’u përgjigjur në gjitha kërkesat e tyre: duke filluar nga mosmarrëveshjet e fqinjëve lidhur me sigurinë e fëmijëve, riparimi i një gypi të dëmtuar të kanalizimit që mund të lëndojë këmbësorët, e deri te një shoqëri ku nuk ka dhunë.  

Në kuadër të punës së saj, Raymila viziton fshatin Stërnac i Epërm, një fshat i vogël e i thellë, i stolisur me një kishë të Shek. XIII, për të vlerësuar sigurinë, kryesisht të njerëzve të moshuar, të cilët jetojnë në një vend me një pamje të bukur. Ajo, po ashtu rregullisht e viziton fshatin Çabër, ku përkujdeset për nevojat e popullsisë vendëse shqiptare. 

Pas përfundimit të mandatit të saj në pjesën veriore të Kosovës, ajo do t’i kthehet punës saj të vjetër në Bullgari, duke i ndjekur personat të cilët përfitojnë nga trafikimi i objekteve kulturore. Megjithatë, ajo do të pikëllohet kur të largohet prej miqve dhe kolegëve të saj.  

 “Një forcë policore efektive me një bashkëpunim të ngushtë me komunën dhe në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e vet, mund të sjell një fuqizim të komunitetit vendës”, thekson Raymila, kur shpjegon dëshirat e saj për Kosovën veriore.

“Do të më vinte mirë, para se të largohem, të shoh njerëz të buzëqeshur, të preokupuar me të ardhmen e tyre, e me shqetësimet e lëna prapa”, thotë Raymila. “Atëherë do të kuptoja se vizita ime e shkurtër në Kosovë dhe përpjekjet e mia atje ia kanë vlejtur”, përfundon ajo.