European Union External Action
FacebookTwitterYoutube
Për EULEX Sektori Ekzekutiv Sektori i Fuqizimit Zyra për media Mundësi Punësimi Tenderët Kontakte
Search

Fillimi BreadCrumbTrailer Qendra informuese për çështje gjinore BreadCrumbTrailer Gratë në drejtësi

Niina Koivisto: ‘Për të ecur para, mendo jashtë kornizave!’

08 dhjetor 2017

Qëndrimi pozitiv, pasioni dhe përcaktimi janë ato që shndrisin përmes uniformës policore të Niina Koivisto, një prej këshilltareve të EULEX-it për Policinë e Kosovës në Komunitet. Ajo u bë pjesë e EULEX-it pasi u ngrit nëpër gradat e Bordit të Policisë Nacionale të Finlandës dhe përfundoi me sukses misionin e saj në EUPOL Afganistan në 2016, dhe porosia e saj për të gjitha femrat që punojnë në fushën e sundimit të ligjit është e qartë: ‘Punoni shumë, dhe do të arrini sukses’.

Niina është rritur me dy vëllezër në një familje tradicionale finlandeze në një fshat. “Familja ime më ka dhënë mbështetje të plotë për karrierën që unë kam zgjedhur. Kjo zgjedhje nuk ka qenë e lehtë.” Gjyshja e saj tashmë e ndjerë ka qenë karakter jashtëzakonisht me ndikim në familjen e saj duke theksuar vazhdimisht rëndësinë e të mësuarit, të punuarit, të barazisë gjinore, dhe që gratë mund t’i bëjnë të gjitha.

Menjëherë pas shkollës së mesme, kur ishte vetëm njëzetvjeçare, ajo e filloi karrierën e saj me ambicie të mëdha në fushën e zbatimit të ligjit. Pasi u diplomua në akademinë policore në moshë të re, dhe pasi kaloi nëpër departamente të ndryshme të policie së Finlandës, ajo i përfundoi me sukses studimet për juridik dhe fitoi diplomë të studimeve Masters për juridik. ‘E dija se për t’u dalluar nga të tjerët, më duhej të vijoja rrugë më të gjatë,’ thotë ajo.

Sipas Niinas, puna në polici që dominohet nga gjinia mashkullore nuk ka qenë gjithnjë e lehtë. “Si femër, vëmendja tek ti është më e madhe. Por unë gjithmonë kam qenë  100% vetvetja dhe asnjëherë nuk e kam ndryshuar dukjen apo sjelljet e mia për shkak të punës që bëja. Kam qenë e rreptë kur ka qenë nevoja, dhe në veçanti kur jam ballafaquar me gjëra të gabuara apo të paligjshme.

“Sukseset më të mira arrihen kur jeni vetvetja. Në shtetin tim në Finlandë unë kam pasur eprorë shumë të mirë dhe mbështetës, si dhe kam pasur trajtim të drejtë. Përvoja ime në një mjedis ndërkombëtar ka qenë më sfiduese. Unë jam shumë energjike dhe mund të përshtatem me shpejtësi ndaj përgjegjësive të reja. Unë gjithmonë përpiqem të punojë në mënyrë kreative,” thekson Niina.

Qysh kur ishte duke punuar në pozitën e zyrtares policore nëpër rajone dhe njësi të ndryshme të policisë, kur është bërë detektive në Njësinë kundër terrorizmit për Shërbimin e Inteligjencës së Sigurisë së Finlandës, si dhe tani, Niina ende vazhdon të ndjekë suksese akademike paralelisht me karrierën e saj profesionale në polici. Me qëllim që t’i kombinojë përvojat e saj të larmishme gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, aktualisht ajo është kandidate për doktoratë në Universitetin e Helsinkit. Ky është vetëm një nga synimet që ia ka caktuar vetes: ajo e thekson rëndësinë e ndjekjes së ambicieve, aftësive dhe përvojave të ndryshme në jetën profesionale, dhe pasja e qasjes së re dhe kreative për të gjitha aspektet e jetës dhe punës së saj.

Pasi i kaloi shtatë vite në grada të larta udhëheqëse në Bordin e Policisë Nacionale të Finlandës, në shtabin e policisë së Finlandës, si dhe si gjyqtare në Gjykatën e së Drejtës për të kuptuar tërë zinxhirin e drejtësisë penale, ambiciet e Niinas e tërhoqën atë në mënyrë të natyrshme tek sfera ndërkombëtare. ‘Unë jam shumë falënderuese për mundësinë që më është dhënë, si në EULEX në Ballkan, dhe në Afganistanin e mrekullueshëm, për të punuar, mësuar dhe përshtatur me situata të ndryshme gjeopolitike dhe komunitete shumetnike,’ thotë ajo. ‘Ky lloj i përvojave dhe i angazhimeve me njerëz është veçanërisht i paçmueshëm kur punon si këshilltare për policinë e komunitetit.’

Roli parësor i Niinas në EULEX përfshin këshillimin e drejtuesve të lartë të Policisë së Kosovës në nivel strategjik në lidhje me zbatimin e praktikave më të mira të BE-së. Me origjinë nga Finlanda, shtet që konsiderohet se ka një nga agjencitë më të mira të zbatimit të ligjit në botë, si dhe në mesin e tretë tek indeksi i sundimit të ligjit, përvoja e saj në nivel strategjik është e pashmangshme për funksionimin efektiv të rolit këshillues të EULEX-it për Policinë e Kosovës.

‘Inkorporimi i strategjisë së sigurisë së brendshme të BE-së, së bashku me praktikat më të mira nga Policia e Finlandës si dialogu i fuqishëm mes policisë dhe komunitetit, dallimet mes sigurisë së jashtme dhe të brendshme, si dhe bashkëpunimi i ngushtë mes policisë, policisë kufitare dhe doganës janë elemente për të cilat unë posaçërisht jam angazhuar këtu në Kosovë’, thotë Niina.

Një pjesë e madhe e punës së saj të përditshme në Shtabin e Policisë së Finlandës përfshin punën me Kryeinspektorin, në nivel të drejtuesit, për këshillimin e Komisionarit të Policisë Nacionale dhe të Zëvendës-komisionarëve të Policisë, si dhe bashkërendimin e strategjive të ndryshme. Këtu përfshihen edhe performanca e policisë dhe planet e veprimit (për shembull, parandalimi i krimeve, hetimet penale, rendi dhe siguria publike, policimi ndërkombëtar, ruajtja e paqes) dhe shndërrimi i tyre në raporte pas aksioneve për Komisionarin e Policisë dhe nivelin ministror rreth performancës dhe rezultateve të policisë. Përpjekja madhore e fundit ishte përfaqësimi i Policisë së Finlandës në përgatitjen e nivelit parlamentar të Aktit të Inteligjencës për Policinë dhe për Shërbimin e Inteligjencës. Angazhimet e Niinas në nivel nacional përfshijnë shumë fusha interesante në përfitim të këshillimit policor në nivel strategjik.

Tani në Kosovë, Niina i vlerëson shumë përvojat dhe raportet e punës që ka krijuar që nga koha kur ka ardhur. “Të punosh me policinë në komunitet dhe të monitorosh, mentorosh dhe këshillosh ka të bëjë me krijimin e besimit dhe respektit, si individ dhe si këshilltar i lartë. Kur ta përfundoj misionin, unë do t’i marr me vete në Finlandë kujtimet e mira nga puna me Policinë e Kosovës dhe rëndësinë e madhe të stafit tonë vendas në EULEX, dhe vërtetë shpresoj që në mesin e Policisë së Kosovës dhe kolegëve tonë unë të mbahem mend si këshilltare policore shumë aktive dhe profesionale,” thotë Niina.

Në kohën e saj të lirë në Ballkanin e bukur, përveç leximit dhe studimeve, Niina pëlqen të lëvizë nëpër natyrë duke u marrë me sport, si me alpinizëm apo skijim. “Fundjavat më të mira i kam kaluar në Brezovicë dhe nëpër bjeshkë me qiell të kaltër dhe të kthjellët”, thekson ajo.

Niina e thekson rëndësinë e ndërtimit të raporteve dhe të respektit nëpër misione siç është EULEX-i. ‘Parimi i pronësisë vendore është diçka që komuniteti ndërkombëtar duhet gjithnjë ta ketë në mendje. EULEX-i është instrumenti përmes së cilit na është mundësuar bashkëpunimi dhe komunikimi me institucionet e Kosovës, kurse raportet që krijohen dhe ruhen janë ato që e përcaktojnë suksesin e Misionit.’

Prapa

EULEX Kosovo © E drejta e autorit & Heqja e përgjegjësisë
Rr. Muharrem Fejza, Ndërtesa Farmed, P.O. Box: 268 10000 Pristina, Kosovo
Tel: +381 (0) 38 78 2000 Fax: +381 (0) 38 78 4556 :: info@eulex-kosovo.eu