25 tetor 2022
Më 25 tetor, Zëvendësministri i Drejtësisë i Kosovës, Blerim Sallahu, U.D. Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani dhe përfaqësues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) diskutuan për rolin e Njësisë Korrektuese të EULEX-it dhe kontributin e saj për SHKK-në gjatë 14 viteve të fundit. Pjesëmarrësit diskutuan për mbështetjen që i ka dhënë EULEX-i sistemit korrektues të Kosovës me qëllim të sigurimit të riintegrimit të suksesshëm të burgosurve në shoqëri dhe parandalimin e përsëritjes së veprës penale.
Duke e hapur diskutimin, Zëvendësministri i Drejtësisë i Kosovës e theksoi “historinë e suksesit të bashkëpunimit shembullor” ndërmjet EULEX-it dhe SHKK-së dhe shtoi: “Nëse e vështrojmë sot mënyrën e operimit të Shërbimit Korrektues, lirshëm mund ta njohim efikasitetin e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, meqë është arritur një standard profesional i punës, që ka qenë pikërisht një objektivë e rëndësishme e vet Njësisë Korrektuese e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit. Pra, suksesi i funksionimit të Shërbimit Korrektues njëkohësisht është sukses i dyfishtë, meqenëse pasqyron edhe punën e mirë dhe metodën e duhur të transmetimit të përvojës e njohurive nga Njësia Korrektuese e EULEX-it”.
Shefi i Shtyllës për Monitorim së EULEX-it, Benny Jensen, vuri në dukje se Misioni e mbulon rrugën e plotë të një kundërvajtësi, d.m.th. nga kryerja e një vepre deri te largimi nga institucioni korrektues pas risocializimit dhe rehabilitimit efektiv. “Unë konstatoj se ndonjëherë parandalimi dhe rehabilitimi janë një mjet i anashkaluar në luftën kundër krimit. Të dyja janë mjete kritike dhe të rëndësishme për të siguruar një sistem efektiv drejtësie”, tha Jensen.
Ushtruesi i detyrës së Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, Ismail Dibrani, tha: “Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës është lider në rajon në raport me ofrimin e trajtimeve për të dënuar, po ashtu është konkurrent shumë serioz edhe me shtetet e zhvilluara demokratike. Falënderoj të gjithë zyrtarët e EULEX-it me të cilët që nga viti 2008 kemi krijuar raporte miqësore, raporte shumë të afërta sa që nuk i kemi konsideruar asnjëherë si zyrtar të huaj por i kemi konsideruar si partner tonë strategjik, si anëtarë të një familje me të cilët kemi bërë gjëra të mira. Ka qenë pikërisht Njësia Korrektuese që ka inicuar idenë dhe ka ndihmuar themelimin e njësisë për vlerësim dhe kategorizim të burgosurve, që sot është një prej njësive më të rëndësishme të Shërbimit Korrektues të Kosovës”.
Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, shpjegoi në detaje kontributin e dhënë nga Misioni për SHKK-në, duke shtuar se ekspertët e EULEX-it kanë ofruar trajnime tejet të vlefshme në vendin e punës, mentorim efektiv dhe këshillim të përditshëm ekspertësh për kolegët e tyre kosovarë në shumë fusha të SHKK-së, duke përfshirë administrimin e burgjeve, operacionet dhe menaxhimin e sigurisë, si dhe menaxhimin ekonomik. “Kjo punë ka krijuar kushte më të mira për SHKK-në që të punojë dhe të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë të burgosurit”, tha Vahakoski, e cila e përfundoi fjalën e saj duke thënë: “Jam krenare që mund ta prezantoj punën e vështirë që është bërë bashkërisht dhe ta theksoj partneritetin e fortë ndërmjet EULEX-it dhe SHKK-së që nga viti 2008. Por, unë gjithashtu dua të angazhohem për ta vazhduar dhe madje forcuar bashkëpunimin tonë me SHKK-në dhe Shërbimin Sprovues të Kosovës (SHPK).
Përgjatë viteve, SHKK-ja ka evoluar për t'u bërë një shërbim i cili në përgjithësi përputhet me Rregullat Standarde Minimale të OKB-së për Trajtimin e të Burgosurve dhe Rregullat Evropiane të Burgjeve. Aktualisht, Njësia Korrektuese e EULEX-it e mbështet SHKK-në në zhvillimin e një ekipi profesional të drejtuesve të lartë dhe në rritjen e kapaciteteve të tyre për të parandaluar ndërhyrjet e panevojshme dhe trajtimin preferencial të burgosurve përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit. Njësia Korrektuese gjithashtu e këshillon SHKK-në dhe SHSK-në për menaxhimin e të burgosurve të profilit të lartë dhe të radikalizuar, si dhe e lehtëson bashkëpunimin ndërmjet SHSPK-së dhe SHKK-së me qëllim të përmirësimit të rehabilitimit dhe riintegrimit të burgosurve.
Lexoni më shumë rreth Njësisë Korrektuese të EULEX-it në këtë broshurë të dhënash:
https://www.eulex-kosovo.eu/eul/repository/docs/143678-eulex_booklet_sq.pdf
Shikoni diskutimin këtu: