Shtylla për Monitorim e bën monitorimin e rasteve dhe gjykimeve të caktuara në sistemin e drejtësisë të Kosovës, duke u përqendruar në rastet me të cilat ishte marrë EULEX-i në kuadër të mandatit të mëparshëm të tij i cili ka përfunduar në mesin e muajit qershor 2018 dhe që më pastaj i janë dorëzuar gjyqësorit vendas, si dhe raste të tjera që mund të kenë ndikim në rrugëtimin evropian të Kosovës. Për ta bërë këtë, ky Mision vazhdon ta ketë Njësinë për Monitorimin e Rasteve, e cila bënë vlerësimin e funksionimit të gjyqësorit të Kosovës për nga aspekti i përputhshmërisë procedurale, juridike dhe të drejtave të njeriut. Vlerësimi kryhet përmes monitorimit të thuktë sistemik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura në tërë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale, përkatësisht në nivel policor, prokurorial dhe gjyqësor. Prej 15 qershor 2018 deri më 14 qershor 2021, monitoruesit e EULEX-it në drejtësi kanë marrë pjesë në 1054 seanca gjyqësore për 319 raste penale dhe civile, përfshirë raste të profilit të lartë, raste të krimeve të luftës, raste të dhunës në baza gjinore, krimeve të urrejtjes, raste të korrupsionit, si dhe raste që më parë janë shqyrtuar nga EULEX-i. Ky monitorim i thuktë ka rezultuar me katër raporte ku janë prezantuar gjetje dhe rekomandime për autoritetet e Kosovës të cilat synojnë adresimin e mangësive të identifikuara dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Në maj 2021, Misioni publikoi një raport special mbi ndikimin e COVID-19 në sundimin e ligjit në Kosovë.
Shtylla e Monitorimit gjithashtu i mbështetë angazhimet e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) për ta zhvilluar një ekip profesional drejtuesish të lartë përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit. Nga 15 qershor 2018 deri më 14 qershor 2021, stafi i Njësisë Korrektuese të EULEX-it kanë kryer rreth 660 vizita në teren nëpër institucione të ndryshme korrektuese dhe kanë mbajtur me qindra takime me stafin e SHKK-së në selinë e tij për mbështetjen e drejtuesve të SHKK-së për adresimin e çështjeve strategjike. EULEX gjithashtu i ndihmon SHKK-së për fuqizimin e kapaciteteve të tij luftimin e ndërhyrjeve dhe trajtimeve preferenciale të burgosurve, si dhe për t’u përqendruar më shumë në rehabilitimin e të burgosurve dhe parandalimin e përsëritjes së veprave. Përveç kësaj, Njësia Korrektuese e EULEX-it e mbështetë SHKK-në edhe për rishikimin e rregulloreve për ruajtjen e të burgosurve të hospitalizuar me qëllim të avancimit të standardeve të sigurisë së SHKK-së, si dhe i ka monitoruar 72 përcjellje të burgosurve të profilit të lartë për në spitale prej 15 qershor 2018 deri më 14 qershor 2021.
EULEX-i vazhdon të ofrojë mbështetje teknike për zbatimin e marrëveshjeve përkatëse nga Dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Misioni u ndihmon të dyja palëve për zbatimin e Protokollit Teknik për Menaxhimin e Integruar të Kufirit përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit në nivel strategjik, si dhe për zbatimin e Marrëveshjeve për Lirinë e Lëvizjes. Pas lehtësimit të suksesshëm të integrimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serbë të Kosovës në sistemin e drejtësisë të Kosovës, ky Mision vazhdon ta mbështesë dhe këshillojë Kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe Udhëheqësin e Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë për zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësi të lehtësuar nga BE-ja dhe konkluzioneve të miratuara të saj.
Përveç kësaj, këshilltari i lartë policor i EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës e këshillon Drejtorinë Rajonale Veriu të Policisë së Kosovës dhe katër stacionet policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore, përfshirë për bashkëpunimin mes policisë dhe prokurorisë, si dhe planifikimin e operacioneve.