Informatat e mëposhtme paraqesin një përmbledhje të normave përkatëse ndërkombëtare për barazinë dhe çështjet gjinore. Qendra informuese për çështje gjinore e krijon një bibliotekë ku mund të gjeni informata për ligjet, politikat dhe praktikat ndërkombëtare me theks të posaçëm për PPSM (anglisht “CSDP”). Përveç kësaj, ajo funksionon si burim i informatave për temat që kanë të bëjnë me çështjet gjinore në Kosovë.
EULEX-i është i përkushtuar plotësisht për përfshirjen e perspektivës gjinore në të gjitha aktivitetet e tij, qofshin ato përbrenda këtij Misioni, si dhe në punën e tij me institucionet dhe shoqërinë kosovare. Gjithashtu, EULEX-i siguron që rregulloret dhe aktivitetet e tij të jenë të përgatitura në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare për barazinë gjinore. Ndërsa drejtuesit e misionit e bartin përgjegjësinë e përgjithshme për çështjet gjinore, të gjithë punëtorët kanë përgjegjësi që ta marrin parasysh perspektivën gjinore në punën e tyre.
Këshilltarja gjinore
EULEX-i e ka një Këshilltar Gjinor Ndërkombëtar të punësuar me orar të plotë e cila jep këshilla strategjike për çështjet gjinore gjatë zbatimit të mandatit të këtij misioni. Kjo këshilltare jep kontributin e saj në dokumentet dhe raportet e këtij misioni, në ligjet përkatëse dhe i mbështet mekanizmat e zbatimit përkitazi me barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në fushën e sundimit të ligjit. Po ashtu, këshilltarja bën kërkime dhe analiza, përgatit dhe mban trajnime për çështjet gjinore, si dhe bashkëpunon me institucionet kosovare, organizatat e shoqërisë civile dhe me organizatat ndërkombëtare. Këshilltaren Gjinore e ndihmojnë Pikat e Kontaktit për çështje gjinore.
Pikat e kontaktit për çështje gjinore
Pikat e kontaktit për çështje gjinore janë punëtorë të zyrave dhe njësive të ndryshme të këtij Misioni, të caktuar për të ndihmuar në çështjet gjinore dhe për integrimin e perspektivës gjinore në punën e zyrave përkatëse të tyre. Aktivitetet e tyre lidhur me çështjet gjinore e përfshijnë punën në nivel të brendshëm dhe atë të jashtëm të këtij misioni.