Gratë në sundimin e ligjit

“Gjykatësit e kanë sundimin e ligjit në duart e tyre” – Takoni Iva Niksic

21 dhjetor 2021

Kosova është bërë shtëpia e dytë e Iva Niksic që nga dhjetori i vitit 2013, kur ajo iu bashkua për herë të parë Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) si gjyqtare ndërkombëtare për raste penale në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Iva vazhdoi në këtë rol deri në qershor 2018, kur përfundoi mandati ekzekutiv i EULEX-it në gjyqësor dhe të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë u larguan nga Misioni. Disa muaj pas kthimit në vendin e saj në Kroaci, Iva e kuptoi se ende nuk mund të ndahej nga Misioni i EULEX-it dhe nga Kosova. Kështu, ajo u kthye në EULEX në tetor 2018 si këshilltare e Kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës. 

E gjithë jeta e saj profesionale është sjellë rreth drejtësisë dhe gjykatave. Iva filloi si praktikante në gjykatë, u bë këshilltare ligjore dhe më pas këshilltare e lartë ligjore derisa u emërua gjyqtare penale në Gjykatën Penale Komunale të Zagrebit, Kroaci. 

“Kurr nuk kam ëndërruar të bëhesha gjyqtare. Ngjarjet që më çuan në këtë profesion erdhën shumë natyrshëm. Vitet pas dhënies së provimit të jurisprudencës dhe puna si këshilltare ligjore dhe këshilltare e lartë ligjore në gjykatat në Kroaci më dhanë një shtysë të natyrshme drejtë punës si gjyqtare”, kujton Iva. 

Pasi punoi si gjyqtare për shumë vite, Iva kuptoi se në ndërdije kishte një dëshirë më të madhe: “Më pëlqente shumë të isha gjyqtare. Por jo vetëm kaq. Në fakt, thellë brenda vetes gjithmonë ekzistonte dëshira për të punuar në nivel ndërkombëtar, si gjyqtare ndërkombëtare apo si pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe të dilja edhe nga sallat e gjyqit. Puna për sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut nga një këndvështrim tjetër dhe madje edhe diplomacia kanë qenë gjithmonë një dëshirë e fshehtë e imja.”

Të qenit gjyqtar është një përgjegjësi e jashtëzakonshme sepse gjykimet që bëhen kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve të përfshirë. “Gjyqtarët kanë sundimin e ligjit në duart e tyre. Çdo gjykim, çdo vendim është një lloj ligji që përcakton të drejtat, detyrimet, statusin ose marrëdhëniet e palëve në procedurën civile, ose nga ana tjetër – në procedurën penale, vendimet e gjyqtarëve vendosin përgjegjësinë për krimin e një personi të akuzuar për kryerjen e një vepre penale, si dhe drejtësinë për viktimat e krimit, që prek shoqërinë në përgjithësi, edhe nëse viktima janë persona të caktuar. Si gjyqtare, unë drejtpërdrejtë kam aplikuar ligjin në sallën e gjykimit në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe korrekte. Kjo është diçka për të cilën jam shumë krenare.” 

Puna që Iva po bën tani si këshilltare e Kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës është e një natyre krejtësisht tjetër. Dalja nga salla e gjyqit pas dymbëdhjetë vitesh shërbimi si gjyqtare dhe ballafaqimi me zbatimin e marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me drejtësinë ka qenë një ndryshim i madh në rrugën e karrierës së Ivës. 

Kjo pozitë e re i ka sjellë Ivës një sërë sfidash të reja. Përvoja e saj shumëvjeçare si gjyqtare dhe fakti që e njeh mirë mjedisin në Kosovë e ka ndihmuar në shumë mënyra në punën e saj të re. “Kur e mora këtë pozitë isha e vetëdijshme për të gjitha avantazhet dhe disavantazhet në këtë vijë të punës. Gjithashtu, pasi që më parë kisha shërbyer si gjyqtare penale e EULEX-it, tashmë isha njoftuar me gjyqtarët vendorë shqiptarë të Kosovës me të cilët gjyqtarët e EULEX-it kishin bashkëpunim shumë të mirë. Domethënë, deri në vitin 2017 kishte vetëm gjyqtarë shqiptarë të Kosovës sepse gjyqtarët serbë të Kosovës punonin në të ashtuquajturat struktura paralele”. 

Por në vitin 2017, në sistemin e drejtësisë në Kosovë ndodhi një përparim i madh. Me mbështetjen e EULEX-it, u zbatuan marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja lidhur me drejtësinë, dhe gjyqtarët dhe prokurorët serbë të Kosovës dhe stafi i tyre mbështetës u integruan në sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme për Misionin. Në atë kohë, unë u bëra Udhëheqëse e Njësisë së Gjyqtarëve të EULEX-it në Mitrovicë, kështu që isha e përfshirë në procesin e integrimit në drejtësi dhe dëshmitare e asaj se si gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë dhe serbë të Kosovës filluan të punonin së bashku”, kujton Iva. 

Kur Iva filloi të punonte si këshilltare e EULEX-it, ajo u bë edhe më e vetëdijshme për të gjitha sfidat me të cilat ballafaqoheshin gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë dhe serbë të Kosovës. Si pikë kontakti ndërmjet Misionit të EULEX-it dhe Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Iva ishte dëshmitare e dorës së parë se si gjyqtarët serbë të Kosovës u integruan në sistem dhe si ata filluan të punonin së bashku me kolegët e tyre shqiptarë të Kosovës. Tani, pas katër vitesh, Iva reflekton për zhvillimet: “Do të thosha se kjo është një histori suksesi. Institucionet e integruara të drejtësisë, Gjykata Themelore e Mitrovicës dhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës janë plotësisht funksionale dhe kanë vazhduar të funksionojnë edhe kur ka pasur tensione politike në veri të Kosovës. Bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës në kuadër të institucioneve gjyqësore në veri të Kosovës është shumë i mirë, ata punojnë mirë së bashku”.

 Motivimi i saj i përditshëm është ndërveprimi me njerëzit: diskutimi i çështjeve të ndryshme, dëgjimi i pikëpamjeve të kolegëve të saj dhe përpjekja për të gjetur zgjidhjen më të mirë ose qasjen më të mirë ndaj çështjeve të ndryshme.  

Gjatë bisedës me të, mund të thuhet se Iva nxjerr një energji të zjarrtë dhe pozitive për sa i përket punës: “E dua punën dhe nuk kam pasur kurrë ndjenjën se jam e stërngarkuar me punën. Unë thjesht e dua atë.” 

Jashtë punës, pasioni më i madh i Ivës është të udhëtojë. Para pandemisë, ajo udhëtonte nëpër botë. Destinacioni i saj i preferuar janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga atje ka kujtimet më të bukura. 

Teksa arrijmë në fund të bisedës sonë, Iva përmend se si ajo kurrë nuk e pa veten si grua në botën e burrave: “E di që bëhet fjalë për gratë në sundimin e ligjit. Dhe ju më pyetët se si u frymëzova për të marrë këtë rrugë karriere. Të jem e sinqertë, nuk e kam konsideruar kurrë ndryshimin midis sfidave me të cilat përballen gratë dhe burrat, qoftë në rrugën e karrierës apo statusin e tyre ekonomik. Unë i shikoja të gjithë si të barabartë.” 

Ndjekja e rrugës së saj, puna e madhe dhe - më e rëndësishmja - ndjekja e ëndrrave të saj e sollën atë në një punë në të cilën ajo vazhdon të merret me gjyqësorin, të drejtat e njeriut dhe vendosjen e sundimit të ligjit, por tani me një element të negociatave, ndërmjetësimit dhe diplomacisë. “Me të vërtetë jam e kënaqur me punën time”, përfundon ajo e gëzuar.