Gratë në sundimin e ligjit

Nëse nuk mund të vallëzoj, nuk dua të jem pjesë e revolucionit – Igballe Igo Rogova

12 prill 2018

Sikur sytë të mund të flisnin, do të kishin me qindra tregime për të treguar. Kjo është përshtypja të  cilën e jep Igballe Rogova, e njohur si Igo,  gjatë momenteve të para të takimit me të.

Tregimi i saj i aktivizmit të pamposhtur për të drejtat e njeriut është rreth tri dekada i gjatë.

Ajo ka qenë aktiviste që prej se mbanë mend. E rritur në një shtëpi të dominuar nga femra, me gjashtë motra dhe një figurë prej një nëne të fuqishme – nga mosha e re asaj i ishte ngulitur në mendje se femrat mund të bënin atë që ua thoshte mendja, mu sikur meshkujt.

Por jeta e vërtetë Igos i kishte dhënë një porosi tjetër.

“Ajo që më vonë e kuptova është se femrat duhet të luftojnë jashtëzakonisht më fuqishëm për të arritur aty ku dëshirojnë, edhe nëse është për diçka aq modeste dhe elementare si të mësosh të shkruash e të lexosh”, thekson ajo.

Kështu që fillimi i aktivizmit të saj në Kosovë nënkuptoi se asaj iu deshtë të luftonte për një kauzë kuptimplote që përfshinte femrat – çka e shpiu atë tek trajtimi i analfabetizmit në mesin e komunitetit të femrave shqiptare të Kosovës.

“Kishte femra nëpër lagje të Prishtinës të cilat nuk dinin shkrim e lexim”, thotë Igo. “Nuk mund të paramendoja se një femre do të mund t’i mohohej një e drejtë kaq elementare – të mëson të shkruaj e të lexoj. Për mua ishte diçka e papranueshme”.

Së bashku me motrën e saj, Igo themeloi shoqatën “Motrat Qiriazi”, me qëllimin që të shpërbënte mentalitetin patriarkal të rrënjosur thellë që privonte disa femra nga liria dhe të drejtat e tyre për arsimim.

“Filluam të mësonim atë grup të femrave si të shkruanin dhe të lexonin, dhe ajo ishte një nga të arriturat e para që më bëri të kuptoja se çfarë ndryshimi të vërtetë mund të bëjmë tek jeta e njëri tjetrit”, vazhdon Igo, duke e ilustruar atë me një fotografi të bukur e të zbehur nga fundvitet e tetëdhjeta me grupin e femrave që kishin vijuar mësimin tek ajo dhe motra e saj Safete Rogova.

“Ndonëse gjatë atyre viteve ne ballafaqoheshim me shtypje, ajo është kohë që e kujtoj me nostalgji, ngase ishte kohë e solidaritetit. Nuk ishte e rëndësishme në ishe femër apo mashkull, secili shfaqte solidaritet ndaj njëri-tjetrit. Kjo është domethënia e të qenit aktivist – t’i shërbesh qytetarëve dhe komunitetit tuaj.”

Sot, Igo Rogova është drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës. Ky rrjet avokon në emër të femrave në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar, duke i përfaqësuar interesat e 126 anëtarëve të tij, përfshirë organizata të grave nga të gjitha grupet etnike nga tërë Kosova. Ajo me krenari na flet rreth përkushtimit të ekipit të saj , vlerave dhe pasionit në punën e tyre në mjedise kaq sfiduese.

Rrjeti i Grave të Kosovës është i njohur për rolin domethënës dhe ndikues në legjislacione të rëndësishme, përkundër faktit, siç thekson zj. Rogova, të vështirësive me të cilat përballen për shkak të udhëheqësisë qeveritare joaktive në këtë fushë. Rrjeti ka ndihmuar për zhvillimin e mekanizmit për zbatimin e legjislacionit që trajton dhunën në familje, dhunën seksuale si dhe dhunën e bazuar në gjini.

Gjithçka filloi në vitin 2004, kur RrGK ngriti zërin kundër dhunës në familje përmes një proteste masive që u përball me heshtje dhe mohim nga qeveria e asaj kohe. Që atëherë, RrGK ka vendosur që të mbështetet tek faktet me qëllim që të ngritë vetëdijesimin dhe t’i nxisë autoritetet të veprojnë. Çdo pohim është i bazuar në hulumtime gjithëpërfshirëse, thekson Igo. 

Shumë besojnë se kjo është fuqia kryesore e organizatës. Në fakt, projekti i parë hulumtues i RrGK “Siguria fillon në shtëpi” u materializua me ligjin mbi dhunën në familje, i përcjellë me planin e veprimit dhe më vonë me dy strategji. Natyrisht, i tërë projekti u zhvillua në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës.

Sipas Igos, problemi kryesor i këtij legjislacioni është se në shumicën e rasteve ai mbetet në letër, meqë ai pothuajse nuk zbatohet fare në praktikë. Kjo gjendje, e shoqëruar edhe me normat patriarkale që janë ende të pranishme në shoqërinë tonë, përbënë prapambetje të madhe për të drejtat e femrave në Kosovë. Ajo do të dëshironte të shihte qeverinë të bëhej shembull duke u mundësuar femrave trajtim të barabartë në të gjitha nivelet e shoqërisë, në veçanti tek ndjekja penale e rasteve të dhunës seksuale dhe të dhunës të bazuar në gjini.

Kjo është arsyeja se përse organizata e saj punon intenzivisht që të jetë zëri i qytetarëve, që idetë dhe brengat e tyre të mund të dëgjohen, duke inkurajuar qytetari aktive. “Idetë dhe brengat duhet të burojnë prej qytetarëve, ato nuk duhet të imponohen nga qeveria apo donatorët”, thekson Igo. Më tej, si avokat i vendosur për fuqizim të femrave, RrGK ka botuar një përmbledhje të tregimeve për të portretizuar nivelin e zbatimit të Rezolutës të KSKB 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Ky hulumtim i gjerë është arsyeja se përse ajo është ftuar për të qenë anëtare e Grupit të ekspertëve këshillues të nivelit të lartë për studime globale, në lidhje me zbatimin pesëmbëdhjetëvjeçar të Rezolutës së KSKB 1325, në një grup punues që përbëhej prej pesëmbëdhjetë aktivisteve nga e mbarë bota. Ishte puna intensive ajo që u materializua me një raport me rekomandime të marra prej UN Women në nivel global. 

Të jesh aktiviste sot ngërthen në vete po aq pasiguri dhe sfida sa edhe tridhjetë vite më parë, kur Igo Rogova e filloi këtë rrugëtim të gjatë. Gjatë viteve të nëntëdhjeta, ky lloj aktivizmi dënohej me burgim nga regjimi i Millosheviçit, e kujton Igo gjatë rrëfimit të  tregimeve se si ajo dhe aktivistet e tjera gjatë asaj periudhe të shtypjes i kishin inauguruar njëmbëdhjetë librari nëpër fshatrat e Kosovës dhe kishin ofruar medikamente nëpër zona të largëta ku banorët nuk kishin qasje në kujdes mjekësor.

Fatkeqësisht aktivistet, përfshirë Igon, vazhdojnë të përballen me kërcënime edhe kësaj dite. Ka pasur raste në të kaluarën e afërt ku ajo është kërcënuar me jetë për gjërat për të cilat ajo ka avokuar. Ka pasur raste kur ajo është detyruar të largohet nga shtëpia për të qenë e sigurtë. Ajo i ka tejkaluar të gjitha këto duke qenë e vendosur, e apasionuar, stoike dhe besnike ndaj besimeve dhe trashëgimisë së saj.

Si i ka tejkaluar ajo vështirësitë e pashmangshme të kësaj pune? “Me vallëzim dhe muzikë. Muzika është përgjigja, shërues i shpirtit”, thekson Igo me një lumturi. “Nëse nuk mund të vallëzoj, atëherë nuk dua të jem pjesë e ndonjë revolucioni.” Për ta ilustruar këtë, ne bëmë një udhëtim nëpër rrugën e kujtesës, saktësisht gjatë 1999.  Gjatë eksodit të Kosovës, Igo ndërmori një iniciativë shumë sfiduese në një prej kampeve të refugjatëve në Cegrane, IRJM. Përballë qindra femrave që ishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë dhe i kishin humbur më të dashurit e tyre, ajo e dinte se ajo duhej të bënte diçka.

Ajo i mori dy dajre dhe i mblodhi me qindra femra në një tendë në kamp. “Një dajre është për mua dhe tjetra është për secilën prej jush që dëshiron t’i bije. Le ta kalojmë dhimbjen tonë të madhe me muzikë. Le ta heqim përmes muzikës”, u bëri thirrje Igo femrave. Sapo filloi, ajo e inkurajoi çdo femër aty që të bënte të njëjtën gjë, të hiqte dhimbjen me vaj dhe këngë. “Aty kishte femra që kishin qenë viktima të dhunimeve dhe ato folën aty për herë të parë. Ato e shprehën dhimbjen e tyre përmes muzikës. Ishte e pabesueshme”, kujton Igo.

Kjo nuk përfundon këtu. Sot, Igo është anëtare e Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile për Gratë, Paqen dhe Sigurinë – NATO. Është përgjegjësi trevjeçare që ajo e ka marrë përsipër për të përfaqësuar rajonin e Evropës juglindore. Aty është vendi ku bëhen veprimet. Ato çështje që Rezoluta 1325 nuk mund t’i përmbushë në praktikë, ky grup i adreson drejtpërdrejtë tek NATO me këshilla dhe rekomandime. Botimi nga RrGK i Fakteve dhe Fabulave për Zbatimin e Rezolutës së KSKB 1325 është marrë me seriozitet nga përfaqësuesit e NATOs në këtë Panel Këshillues të Shoqërisë Civile si një prej udhëzuesve për adresimin e çështjeve për gratë, paqen dhe sigurinë. 

Me tërë këtë bagazh të jashtëzakonshëm të historisë, ku aktivizmi dhe muzika janë pjesë e rëndësishme e jetës së saj, në shtëpi Igo pëlqen të dëgjoj duetin e violonçelistëve – 2CELLOS, të vallëzoj dhe të relaksohet me një gotë verë. Para pak kohësh ajo ka festuar katërmbëdhjetë vite të dashurisë me partneren e saj të jetës. Si person familjar që është, ajo është shumë e afërt me motrat e saj të cilat gjithmonë kanë qenë shkëmb në jetën e njëra-tjetrës.

Në përfundim të kësaj bisede të këndshme me Igo Rogova, nuk mund të mos shohësh tek ajo ngjashmërinë e fjalëve të Maya Angelou, aktivistes së njohur për të drejtat e njeriut: “Sa herë që një femër ngritet në mbrojtje të vetes pa e ditur se është e mundur, pa e kërkuar atë, ajo ngritet për të gjitha femrat”.