Fillimi  BreadCrumbTrailer Zyra për Komunikim dhe Media  BreadCrumbTrailerLajme  BreadCrumbTrailerZhvillimi i mëtejmë i shkathtësive të...

Zhvillimi i mëtejmë i shkathtësive të zyrtareve të Shërbimit Korrektues të Kosovës

15 korrik

Më 6 dhe 7 korrik, rreth 26 zyrtare civile dhe të uniformuara të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) morën pjesë në një punëtori të organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) me temën e menaxhimit të stresit, komunikimit dhe teknikave për zgjidhjen e problemeve në vendin e punës. Kjo ishte punëtoria e tretë nga një seri e punëtorive të organizuara nga Njësia Korrektuese e EULEX-it që kanë për qëllim mbështetjen e Shoqatës së Grave në ShKK dhe avancimin e përfaqësimit dhe përfshirjes së zyrtareve në sistemin korrektues.

“Puna në një sistem korrektues kërkon shumë angazhim dhe vigjilencë, durim dhe shpejtësi në vendimmarrje. Andaj, komunikimi, menaxhimi i situatave stresuese dhe zgjidhja e problemeve janë tejet të rëndësishme për mirëqenien e stafit dhe të të burgosurve,” tha Ritva Hannele Vahakoski, Shefe e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, e cila shtoi se Misioni është gjithnjë i gatshëm ta mbështesë ShKK-në dhe Shoqatën e Grave në ShKK në aktivitetet e tyre.

Rëndësia e punëtorisë u theksua edhe nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të përgjithshëm të ShKK-së, Rasim Selmani, i cili i inkurajoi zyrtaret e ShKK-së që të marrin përgjegjësi dhe t’i shtyjnë përpara proceset në vendet e tyre të punës. “Ne do ta japim maksimumin për t’ju mbështetur dhe për të siguruar që ju, gratë që punoni në ShKK, të jeni e tashmja dhe e ardhmja e ShKK-së, që t’i drejtoni dhe udhëhiqni proceset brenda ShKK-së,” theksoi Selmani.

Zyrafete Imeraj, Zëvendësdrejtore e Qendrës Korrektuese të Dubravës dhe Kryetare e Shoqatës së Grave në ShKK, mirëpriti punëtorinë si pjesë e mbështetjes dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me EULEX-in: “Dëshiroj që përzemërsisht të falënderoj EULEX-in, i cili vazhdimisht e ka mbështetur punën tonë që nga viti 2016 përmes organizimit të trajnimeve dhe punëtorive të ndryshme dhe e ka mbështetur formimin e Shoqatës së Grave në ShKK në çdo hap të rrugëtimit.”

Pjesëmarrëset e punëtorisë, e cila ishte përgatitur bazuar në nevojat e ndërtimit të kapaciteteve për anëtaret e Shoqatës së Grave në ShKK, po ashtu shprehën besimin se punëtoria do t’iu ndihmojë që të fuqizojnë shkathtësitë e komunikimit.

“Unë besoj se ne do të përfitojmë shumë nga ky trajnim meqë komunikimi është jetik për punën tonë. Unë gjithashtu do t’i përcjell njohuritë e fituara këtu tek kolegët e tjerë,” tha Vlora Ademi, asistente e Drejtorit në Burgun e Sigurisë së Lartë.

EULEX-i e ka mbështetur Shoqatën e Grave në ShKK edhe në të kaluarën dhe pas themelimit të saj përmes aktiviteteve të ndryshme, si punëtori, takime dhe vizita studimore. Misioni po ashtu ka organizuar punëtori me temën e mënyrës së aplikimit të zyrtareve në pozita drejtuese dhe menaxhimit të situatave të sigurisë. 

Prapa

Zyra për Komunikim dhe Media