Lajme

Punëtori për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të dhunës në familje.

29 maj 2015

Më 28 dhe 29 maj, prokurorët dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës (PK) kanë marrë pjesë në një punëtori dyditore me temën “Përgjigja e policisë dhe e prokurorëve ndaj dhunës në familje në Kosovë”, e organizuar nga EULEX-i.

Shefi i Misionit të EULEX-it, Gabriele Meucci, foli në fillim për rolin e sundimit të ligjit në përgjigje ndaj dhunës në familje: “Për shkak të privacisë që e ka njësia e familjes është e vështirë të vërehet dhe të ketë përgjigje ndaj dhunës në familje. Institucionet e sundimit të ligjit luajnë një rol të rëndësishëm në përgjigje ndaj dhunës në familje, duke e përfshirë edhe sigurimin që viktimat të kenë qasje në drejtësi dhe se kryesit e veprave të mos e gëzojnë pandëshkueshmërinë  për veprimet e tyre.”

Gjatë fjalës hyrëse, Zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj, theksoi për rëndësinë që e ka draft raporti, “gjetjet e draft raportit të paraqitura sot do të shërbejnë si një bazë e mirë për hartimin që është në vijim të strategjisë nacionale kundër dhunës në familje.”

Martin Cunningham, Zëvendësshef i sektorit për Fuqizim, Maria van der Hart, Këshilltare mobile në Departamentin për Fuqizimin e Policisë, dhe Nicola Brassil, ekspert për çështje gjinore, i kanë paraqitur rezultatet e gjetjeve të tyre në këtë punëtori. Gjetjet e tyre ishin paraqitur në një dokument punues në të cilin ishte vlerësuar gjendja aktuale në Policinë e Kosovës dhe në Prokuroritë Themelore në Kosovë. Në dokument është komentuar aplikimi i praktikave të mira nga institucionet për luftimin e dhunës në familje dhe janë dhënë rekomandimet për Policinë e Kosovës, Prokuroritë Themelore të Kosovës, EULEX Kosova, dhe palëve tjera me interes për mënyrën e përmirësimit të përgjigjeve të tyre ndaj dhunës në familje në Kosovë. “Rekomandimet që do të dalin nga gjetjet e mëtejme prej diskutimeve të kësaj punëtorie do të përfshihen në raportin përfundimtar,” shpjegoi Martin Cunningham, Zëvendësshef i sektorit për Fuqizim. 

Naim Rexhepi, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm për Operacione të Policisë, e çmoi hulumtimin e paraqitur gjatë kësaj punëtorie. ”Mbështetja këshillëdhënëse e EULEX-it është shumë e rëndësishme në fuqizimin e performancës së PK-së në luftimin e dhunës në familje në Kosovë. Rezultatet e hulumtimit përmbledhin të dhëna të rëndësishme përkitazi me nivelin e dhunës në familje në Kosovë të cilat do të shfrytëzohen për hartimin aktual të Strategjisë Kombëtare 2016-2021 kundër Dhunës në Familje.”

Arben Ismajli, prokuror nga Gjilani, konstatoi se: “Hulumtimi dhe shkëmbimi i përvojave gjatë kësaj punëtorie i kanë shtuar vlerë përpjekjeve tona të vazhdueshme nga policia dhe prokuroria, veçanërisht në rritjen e besimit të qytetarëve për raportimin e rasteve të dhunës në familje.”