Lajme

Komandanti i Operacioneve Civile e përmbylli vizitën e tij në Kosovë

01 tetor 2019

Më 26 dhe 27 shtator, Komandanti i Operacioneve Civile të BE-së Vincenzo Coppola i bëri një vizitë Kosovës, ku u takua me ekipin e drejtuesve të EULEX-it dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

Gjatë kësaj vizite dyditore, Coppola u informua nga u.d. Shef i EULEX-it, Bernd Thran dhe drejtuesit e lartë të EULEX-it lidhur me aktivitetet për përmbushjen e mandatit të kaluar dhe të tanishëm të këtij Misioni. Komandanti i Operacioneve Civile, i shoqëruar nga u.d. Zëvendës Shef i EULEX-it, Cezary Luba e vizituan gjithashtu Kampin e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it në Mitrovicë, ku ai u takua me Komandantin e NJPS polake dhe diskutuan për rolin e NJPS-së si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të saj për njësitë e Policisë së Kosovës për kontrollimin e turmave dhe trazirave.

Po ashtu, Komandanti u takua gjatë një darke pune të shtruar nga u.d. Shef i EULEX-it me PSBE/Shefen e Zyrës së BE, Nataliya Apostolova, Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Lorenzo D’Addario, Zëvendësin e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Christopher Coleman dhe Zëvendës Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl. Bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamje lidhur me situatën e tanishme politike, të sigurisë dhe atë të sundimit të ligjit në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve ndërkombëtarë në terren.

Duke e përmbyllur vizitën e tij dyditore në Kosovë, Komandanti theksoi se këto takime ishin një mundësi e mirë për ta miratuar zbatimin e mandatit të EULEX-it për vitet 2018-2020, si dhe për ta diskutuar vlerën e shtuar të përkrahjes së partnerëve të tij në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë nga ana e EULEX-it.

Kjo është vizita e tretë e Komandantit të Operacioneve Civile Coppola në Kosovë prejse ai e mori këtë detyrë në shtator të vitit 2018.

Komandanti i Operacioneve Civile ushtron komandën dhe kontrollin në nivelin strategjik për planifikimin dhe realizimin e të gjitha Misioneve civile të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke e përfshirë EULEX-in.