Gratë në sundimin e ligjit

Marina Toivonen, police me mision

24 janar 2014

"Në vendin tim kisha njohuri për njerëzit nga Kosova të cilët ishin vendosur në qytetin tim pas konfliktit në vendin e tyre – por nuk më ka shkuar mendja që një ditë do të vija të punoja këtu", fillon rrëfimin Marina Toivonen, hetuese e EULEX-it e cila është duke specializuar në krimin e organizuar.

Marina është nga Turku, një qytet antik në jugperëndim të Finlandës, i cili shtrihet i qetë përgjatë brigjeve të mrekullueshme të lumit Aura. E pozicionuar tri vjet më parë në Kosovë, Marina i nxjerr në pah arsyet kryesore që e nxitën ardhjen e saj këtu.

"Aplikova për këtë vend pune sepse Kosova është pjesë e Evropës sikurse Finlanda. Mandati i EULEX-it dukej shumë interesant dhe unë u preka nga njerëzit që kishin kërkuar strehim në vendin tim", thotë Marina.

Marina punon në Njësinë e EULEX-it për Hetimin e Krimeve të Organizuara, e cila përbëhet nga një ekip i detektivëve të cilët vijnë nga 20 shtete. Këta detektivë (hetues) janë dërguar në Kosovë për shkak të ekspertizës së tyre për hetimin e krimit të organizuar, të korrupsionit të nivelit të lartë dhe të terrorizmit. Si pjesë e këtij ekipi, Marina i heton të gjitha aspektet e krimit të organizuar duke u nisur nga korrupsioni, keqpërdorimi i pozitës zyrtare, zhvatja financiare deri te trafikimi i qenieve njerëzore. Aktualisht ekipi është duke i zhvilluar përafërsisht 27 hetime, duke i përjashtuar hetimet prokuroriale.

Marina bashkëpunon ngushtë me prokurorët e PSRK-së. Për dallim nga praktika e vendit të saj ku policia ka kompetenca të mëdha, për të punuar në Kosovë Marinës i nevojitet të bëjë disa përshtatje. Deri sa Policia e Kosovës mund t'i fillojë hetimet, kur është fjala për fillimin e procedurave penale është prokuroria ajo që udhëheq dhe ata i drejtojnë hetimet e policisë. Procedurat fillojnë, në pajtim me ligjin e Kosovës, pas ngritjes së dyshimit të bazuar që është kryer një krim.

Krimi i organizuar është kërcënim për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kompleksiteti i tij në rritje nënkupton që ekzistojnë mënyra të panumërta për ta përshkruar atë. Sipas Marinës, në krim të organizuar në përgjithësi përfshihet një rrjet i njerëzve të cilët kryejnë aktivitete të fshehta kriminale për përfitim të rëndësishëm. Këto krime kanë pasoja të rënda për ekonominë dhe shoqërinë e një vendi.

"Bandat e krimit të organizuar punojnë larg syrit të publikut dhe veprojnë përtej kufijve. Kjo do të thotë që hetimet mund të jenë shumë të komplikuara. Sa herë që e mbushni makinën tuaj me karburant të futur me kontrabandë, sa herë që blini mallra të falsifikuara ose përpiqeni ta mitosni një zyrtar, ju i mbushni xhepat e kriminelëve dhe e dëmtoni komunitetin tuaj. Krimi i organizuar dhe korrupsioni i dëmtojnë qytetarët, bizneset dhe institucionet shtetërore", thotë Marina.

Përkundër faktit që Finlanda mban vendin e tretë të respektuar në listën e perceptimit të korrupsionit nga 177 vende anembanë botës, realiteti është që edhe në vendin e Marinës policia po ashtu merret me raste të krimit të organizuar.

"Është me rëndësi të kuptohet që edhe në vendin tim ka krim të organizuar. Edhe ne i kemi problemet tona, siç është droga, mashtrimi financiar, evazioni fiskal dhe bandat e rrugës", thotë Marina.

Në Njësinë për Hetimin e Krimit të Organizuar aktualisht janë 40 detektivë të cilët punojnë ngushtë me kolegët e Policisë së Kosovës për ndaljen e krimeve të rënda. Shumica e këtyre rasteve po drejtohen si hetime të përbashkëta. Këto hetime përbëhen nga një ekip i detektivëve të PK-së dhe të EULEX-it të cilët i ndajnë informatat dhe punojnë bashkë në partneritet nën drejtimin e një prokurori të PSRK-së. Ekipet e EULEX-it dhe të Policisë së Kosovë kanë punuar së bashku në disa arrestime të profilit të lartë të të dyshuarve për krim të organizuar, për vrasje, trafikim të drogës dhe trafikim të qenieve njerëzore. Disa prej këtyre rasteve kanë përmasa ndërkombëtare duke i përfshirë disa arrestime të njëkohshme anembanë Evropës.

"Jam e gëzuar që përfshirja jonë me policinë vendase në hetimet e përbashkëta po rritet nga dita në ditë. Ne nuk jemi këtu për vete, institucionet e Kosovës do ta marrin këtë përsipër një ditë. Mua posaçërisht më pëlqen bashkëpunimi ynë", thotë Marina, duke shtuar që një aspekt i rëndësishëm i trashëgimisë së EULEX-it është t'ua ofrojë autoriteteve të Kosovës mjetet të cilat mund të shfrytëzohen në përpjekjet e tyre të ardhshme për ndaljen e krimit të organizuar.

Marina do të shkojë së shpejti për t'i rifilluar detyrat e saj policore në vendlindjen e saj, duke e marrë një pjesë të Kosovës me vete.

"Kosova po përpiqet, por në përgjithësi mbizotëron një atmosferë optimiste! Njerëzit e bëjnë këtë vend shumë të posaçëm dhe unë po lë pas shumë miq të mirë. Në veçanti më bëjnë përshtypje kosovarët e rinj, të cilët sillen më mirë se gjetkë në Evropë. Vendet nordike kanë probleme me të rinjtë e tyre të cilët janë të prirë për të pirë dhe për vandalizëm. Këtu nuk ndodhin gjëra të tilla".

Marina është e vetëdijshme që puna të cilën janë duke e kryer tani EULEX-i dhe Policia e Kosovës do të ndikojë tek gjeneratat e ardhshme.

"Kjo është arsyeja përse duhet t'i shtojmë përpjekjet tona si në Finlandë ashtu edhe në Kosovë në mënyrë që ta ndalim krimin e organizuar dhe korrupsionin. Dua që gjeneratat e reja të Kosovës dhe të Finlandës të kenë aspirata më të mëdha ndaj të ardhmes së tyre. Ne jemi këtu për t'iu ndihmuar atyre t'i realizojnë ëndrrat e tyre", përfundon Marina.