Gratë në sundimin e ligjit

Femrat lidere në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar – Njihuni me Ylva Carlsson

29 korrik 2021

Gjatë njëzet muajve të kaluar, Njësia e Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar e EULEX-it e gëzoi kolegialitetin dhe profesionalizmin e Ylva Carlsson, e cila punoi si oficere në zyrë me detyrën e lehtësimit të shkëmbimit të informacionit midis EUROPOL-it dhe Policisë së Kosovës. Ylva shpjegon se kjo është një punë e rëndësishme sidomos në rastet urgjente, kur shkëmbimi i informacionit duhet të ndodhë shpejt dhe me efikasitet. “Padyshim që ju mban në majë të gishtave. Është shumë interesante dhe ndjeheni sikur jeni në gjendje të kontribuoni më shumë sesa gjatë ditëve të tjera”, thotë Ylva.

E diplomuar në Akademinë Policore të Suedisë, Ylva është një oficere policie me përvojë 30 vjeçare. Gjatë këtyre 30 viteve të punës së zellshme, sukseseve dhe sfidave, Ylva asnjëherë nuk dyshoi në vendimin e saj për ta zgjedhur këtë karrierë: “Asnjëherë nuk u pendova që zgjodha këtë punë. Ka kaq shumë vende pune interesante në këtë fushë që mund t’i zgjidhni. Pra, nëse pas një kohe mendoni se ajo që keni zgjedhur nuk ju përshtatet, atëherë mund të zgjidhni një karrierë të re brenda forcës policore. Nëse punoni shumë dhe jeni të përkushtuar, gjithçka është e mundur”. 

Si në çdo punë, gjithmonë ekziston një periudhë kohore gjatë së cilës ne veçohemi si më të veçantë se të tjerët. Për Ylvan kjo është koha kur ajo punoi në Holandë: “Ajo që unë e mbaj mjaft afër zemrës time është kur isha oficere ndërlidhëse dypalëshe për katër vjet në Holandë. Ne e kemi këtë bashkëpunim me vendet nordike dhe ishte vërtet interesante dhe përmbushëse të ishim në gjendje të ndihmonim në të vërtetë marrëdhëniet dypalëshe dhe proceset e hetimit që po kryheshin në të gjitha vendet nordike dhe në Holandë. Krimet nuk njohin kufij, prandaj është e rëndësishme që të keni një rrjet të fortë në mënyrë që të jeni në gjendje të merreni me raste të tilla atypëraty dhe gjithashtu në planin afatgjatë.

Duke qenë në pozita drejtuese për kaq gjatë, Ylva shpjegon se sa shumë kënaqet kur i sheh ekipet e saj të zhvillohen: “Një nga gjërat më të rëndësishme që një drejtues mund të bëjë është të krijojë një mjedis të sigurt për ekipin në mënyrë që ata të funksionojnë mirë dhe të kenë mundësinë për të bërë ndikim. Gjithashtu, ndërtimi i besimit midis pjesëtarëve të ekipit është shumë i rëndësishëm, në mënyrë që ata të jenë të vetëdijshëm se mund të ofrojnë ekspertizën dhe udhëheqjen e tyre në proceset e rëndësishme të vendimmarrjes.”

Para se të bashkohej me EULEX, Ylva ishte duke punuar si Shefe e një Seksioni në Divizionin e Inteligjencës në Rajonin e Policisë Väst në Suedi. Kjo është pozita të cilën e mban ajo tani kur është kthyer në Suedi, pasi këtë intervistë me të e bëmë në ditën e fundit kur Ylva ishte në Kosovë.

Ylva nuk është e huaj në Kosovë. Herën e parë ajo ishte këtu në vitin 2005 kur ajo iu bashkua Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK në Drejtorinë e Krimit të Organizuar. “Kur u ktheva në Kosovë pas një kohe kaq të gjatë, pothuajse nuk e njoha atë. Kishte kaq shumë ndryshime, jo vetëm sa i përket ndërtimit, por edhe institucionalisht. Unë pashë zhvillime pozitive dhe një funksionim më të pavarur të institucioneve”, vëren Ylva.

Në kohën që do të publikohet kjo intervistë, Ylva do të jetë kthyer në vendin e saj dhe në punën e saj të vjetër në Suedi dhe si me çdo ndryshim në jetë ka ndjenja të përziera: eksitim për atë që po vjen dhe pak ngrysje pasi po e lë mbrapa një kapitull të jetës së saj në Kosovë. "Ndihem sikur është koha të shkoj në shtëpi, por do të më marrë malli për miqtë e mi këtu dhe shumë njerëz interesantë që takova ndërkohë. Fatkeqësisht, për shkak të pandemisë më është dashur të anuloj shumë nga planet e mia në Kosovë. Por, unë jam një person mjaft i shoqërueshëm dhe pavarësisht nga kufizimet që kishim të gjithë, unë bëra çmos për të kaluar kohën me miq të mirë”.

Një kuzhiniere e apasionuar, Ylva i shfrytëzoi këta muaj në Kosovë, për të gatuar darka për grupe të vogla miqsh dhe kolegësh në përputhje me masat e distancimit shoqëror. Përveç gatimit, Ylva është gjithashtu një lojtare e pasionuar e golfit dhe udhëtare e botës. Përgjatë viteve ajo ka udhëtuar në shumë vende të ndryshme si Afrika e Jugut dhe Karaibet të cilat i ka afër zemrës së saj. Sapo kufizimet e udhëtimit të lehtësohen, Los Angeles është në listën e destinacioneve të Ylvas. 

Mundësitë e karrierës ndërkombëtare ende mbeten me interes për Ylvan dhe ajo nuk e përjashton mundësinë e udhëtimit dhe lëvizjes për punë në të ardhmen.

Në këtë punë sfiduese, gratë profesioniste si Ylva shërbejnë si modele për të gjitha gratë që aspirojnë dhe dëshirojnë të kenë karriera të suksesshme në fusha të ndryshme dhe interesante që ofron puna policore.

Ylva, na mungon që tani!