Gratë në sundimin e ligjit

Gratë udhëheqëse në sektorin e sigurisë – njihuni me Zyrafete Imeraj

08 mars 2021

Një ditë e rëndomtë e punës për Zyrafeten është gjithçka përveç se e zakonshme. Si Zëvendës-Drejtore e Qendrës së Paraburgimit në Pejë, dita e saj fillon me një raport të plotë 24-orësh për situatën e përgjithshme në këtë qendër. Zyrafetja është pjesë e këtij sektori që nga viti 2000 dhe është një nga gratë e para që i është bashkuar Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Ajo e filloi karrierën e saj si një zyrtare e uniformuar e Shërbimit Korrektues dhe me kalimin e viteve u ngjit shkallëve të karrierës së saj. Ajo ka tetë vite që e ka mbajtur pozitën e Zëvendes Drejtorit dhe Drejtorit në Qendren Korrektuese Dubravë, dhe tani afërsisht dy vite është Zëvendës Drejtore në Qendrën e Paraburgimit në Pejë.

Përvoja e ngjeshur njëzet vjeçare e saj ka bërë që sfidat me të cilat ajo përballet për çdo ditë të tejkalohen shumë më lehtë. Ajo e veçon përvojën e saj në burgun e Dubravës, i cili është më i madhi i këtij lloji në Kosovë. Fakti që ajo ka mbajtur lloje të ndryshme të pozitave në Shërbimin Korrektues gjatë gjithë karrierës së saj e përgatiti atë shumë mirë për positën drejtuese të cilën a mban ajo tani.

“Unë i di bazat e kësaj pune, kështu që tani, si Zëvendës-Drejtore e Qendrës së Paraburgimit në Pejë, procesi i vendimmarrjes është më pak sfidues për mua. Edhe pse puna ime është shumë e ndjeshme, marrja me të burgosurit është një çështje shumë e ndjeshme dhe komplekse, unë jam e përgatitur që të marr vendime të vështira në një mënyrë shumë të shpejtë dhe me kohë”, thotë Zyrafetja.

Tutje në mbamendjen e saj, Zyrafetja e kujton se si 20 vjet më parë një grua që do ta zgjidhte një karrierë në këtë fushë do të përballej me një paragjykim të jashtëzakonshëm. Sot gjërat nuk janë kësisoji. "Një grua që punon në shërbimin korrektues dikur ishte tabu, por sot unë shoh gjithnjë e më shumë gra të reja që e zgjedhin këtë karrierë, pa marrë parasysh se sa e vështirë mund të jetë kjo punë", thotë ajo. 

Ajo është udhëheqëse në këtë sektor të dominuar nga meshkujt për shumë vite me radhë. Falë vullnetit të saj, vendosmërisë dhe dashurisë për punën e saj ajo arriti t’i thyejë kufinjtë. Sipas Zyrafetes, është fuqia e një gruaje që e kryen punën e saj me vendosmëri ajo që ka më së shumti rëndësi dhe që e bën ndryshimin. 

Zyrafetja dhe koleget e saj kanë dhënë një goxha shembull për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të grave që punojnë ose që do të punojnë në Shërbimin Korrektues. Ajo beson se përmes përpjekjeve të vazhdueshme të tyre dhe punës së madhe të tyre ato janë bërë shembull për gratë e tjera që dëshirojnë të bëhen pjesë e Shërbimit Korrektues të Kosovës. 

Kur bëhet fjalë për përgatitjen akademike për këtë drejtim të punës, institucionet arsimore në Kosovë nuk ofrojnë programe të posaqme për këtë lloj ekspertize. Për shembull, Zyrafetja është e diplomuar në Ekonomi. Sidoqoftë, pasi një person të punësohet në shërbimin korrektues aty ekzistojnë shumë kurse të specializuara trajnimi për stafin, që ofrohen nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike. 

Zyrafetja në pervojen e saj ka menaxhuar rreth 650 pjesëtarë të stafit dhe gjithashtu ka qenë përgjegjëse për mbikëqyrjen e afro 1,100 të burgosurve në Qendren Korrektuese Dubravë. "Nuk eshte e lehtë. Kjo është një detyrë me angazhim me 24 orë punë në ditë. Kur ndodhin incidentet, shpesh  më është dashur  të shkoj vendin e ngjarjes dhe të merrem me situatën. Unë jam në gjendje ta bëj këtë falë përvojës sime, por edhe guximit tim, i cili është një faktor shumë i rëndësishëm që ju ndihmon të merrni vendime të rëndësishme dhe të vështira aty për aty. Kolegët e mi, por edhe të burgosurit, e vlerësojnë faktin që unë jam një person i paanshëm dhe shumë i drejtpërdrejtë. Ata e dinë që unë do t'i trajtoj të gjithë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë”, shpjegon Zyrafetja. 

Zyrafetja është gjithashtu Kryetare e Shoqatës së Grave në Shërbimin Korrektues të Kosovës, e cila synon ta avancojë pozitën e grave në SHKK, ta rrisë ndërgjegjësimin dhe ta promovojë barazinë gjinore, si dhe të ofrojë mundësi të zhvillimit profesional për gratë. Zyrafetja shpjegon se vetëm 13% e stafit të SHKK-së janë gra, prandaj, Shoqata e Grave po përpiqet që ta adresojë këtë çështje përmes aktiviteteve të ndryshme, duke përfshirë aktivitetet snesibilizuese, vizitat studimore jashtë vendit dhe kurset e trajnimit.

Fakti që ajo e kryen punën e saj me pasion është ajo që i mundëson Zyrafetes që ta ruajë qetësinë e saj dhe të mos ngarkohet kur shkon në shtëpi. Mbështetja e madhe që ajo e gëzon nga familja e saj, veçanërisht nga burri i saj i cili gjithmonë i ka mbështetur ambiciet e saja në karrierë dhe shpesh e ka shtyrë atë që të kërkojë më shumë, është çelësi i suksesit të saj. 

Zyrafetja është gjithashtu një nënë e lumtur e tre fëmijëve të suksesshëm në karrierat e tyre. Përtej çdo gjëje tjetër, ajo kënaqet kur kalon kohë cilësore me familjen e saj dhe është shumë e dhënë pas udhëtimeve. 

Ajo e përfundon bisedën duke i nxitur gratë e reja që të besojnë në vetvete, t'i besojnë instinkteve të tyre dhe të kenë vetëbesim: "Bëhu vetvetja dhe mbi të gjitha duaje punën tënde dhe bëje atë me pasion. Padyshim që suksesi do të pasojë”.