Lajme

EULEX-i i përkujton viktimat e fatkeqësisë ajrore të vitit 1999 në Kosovë

07 nëntor 2018

Sot, përfaqësuesit e EULEX-it të udhëhequr nga Drejtuesi i Ekipit të Njësisë për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar në EULEX, Vincenzo Cardinale, nderuan kujtimin e atyre që humbën jetën në fatkeqësinë ajrore të vitit 1999 në Kosovë.

Më 12 nëntor 1999, një aeroplan çarter i Programit Botëror për Ushqim të OKB-së u rrëzua në një faqe mali 7 milje në verilindje të Mitrovicës derisa ishte duke fluturuar drejt aeroportit të Prishtinës duke shkaktuar vdekjen e të gjithë 24 personave që ndodheshin në të.

Me anë të një momenti lutjeje, EULEX-i i ka përkujtuar sot punëtorët dhe zyrtarët humanitarë ndërkombëtar, që kryesisht kanë punuar për agjencitë e OKB-së, qeveritë dhe OJQ-të, të cilët e kanë humbur jetën në këtë aksident tragjik.

“Kujtimi i tyre është i rëndësishëm ende edhe sot për ta kuptuar sakrificën e të gjithë atyre që kanë shërbyer në Kosovë gjatë 20 viteve të kaluara, si dhe për t’i nderuar ata që vazhdojnë të shërbejnë në vendet e tyre dhe në misionet ndërkombëtare në zonat e konfliktit dhe operacionet paqeruajtëse,” tha Vincenzo Cardinale, Drejtuesi i Ekipit të Njësisë për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar në EULEX. “Këtë vit kontingjenti i Policisë së Shtetit i Italisë në EULEX vendosi që ta restaurojë pllakën përkujtimore dhe ta nderojë kujtimin për viktimat, të cilat e humbën jetën e tyre gjatë një misioni të solidaritetit, miqësisë dhe paqes. Ata kanë ikur, por nuk do të harrohen kurrë nga bashkësia ndërkombëtare dhe ajo vendase,” tha Cardinale.