Lajme

EULEX-i e mbajti një trajnim për krimet e luftës për prokurorët e Kosovës

21 mars 2018

Misioni EULEX e organizoi një sesion trajnimi mbi instrumentet e të drejtës penale ndërkombëtare për ndjekjen e krimeve të luftës brenda juridiksionit të Kosovës.

Ky sesion i trajnimit të specializuar u zhvillua gjatë dy ditëve të fundit dhe u përqendrua në kapacitetin e prokurorëve të Kosovës për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e krimeve të luftës.

Trajnimi synon ta rrisë ndërgjegjësimin e prokurorëve dhe familjarizimin praktik me teoritë kryesore të së drejtës penale ndërkombëtare duke u fokusuar në një përmbledhje të koncepteve ligjore. Gjatë këtij trajnimi u shqyrtuan disa raste studimore të cilat u pasuan me një diskutim interaktiv me ç’rast u identifikuan instrumentet për hetimin dhe ndjekjen penale.

Këtë trajnim e drejtoi një prokurore e EULEX-it, Valeria Bolici së bashku me ekspertë të TPNJ-së për të drejtën penale ndërkombëtare.

"Pjesëmarrësit aktivë, tema interesante dhe organizimi i përsosur ishin çelësi i suksesit të këtij trajnimi. E drejta penale ndërkombëtare ofron një bazë të gjerë për zhvillimin e mëtejshëm të kornizave ligjore kombëtare, duke e përfshirë edhe atë të Kosovës. Sot, me mbështetjen e EULEX-it, ne të gjithë e hodhëm një hap në drejtimin e duhur ", tha një trajner i TPNJ-së.

Organizatorët shpresojnë se trajnimi ku përfshihen këshilla praktike për ndjekjen penale të krimeve të luftës është një hap në drejtimin e duhur.

"Ne jemi arsyetuar mbi bazën ligjore dhe metodat praktike të zbatimit të kategorive të drejtës penale ndërkombëtare gjatë ndjekjes penale dhe gjykimit të krimeve të luftës në Kosovë. Përfshirja e pjesëmarrësve në debat ka qenë e jashtëzakonshme. Ndërsa e drejta penale ndërkombëtare është një fushë e gjerë për t’u studiuar, ne jemi përqendruar në konceptet dhe metodologjitë kryesore që mundësojnë qasjen në to, si dhe kemi arritur në përfundimin se dera është e hapur për zhvillim të mëtejshëm ", tha Valeria Bolici.

Njëri nga pjesëmarrësit e përmendi dobinë që sjell ky trajnim duke thënë, "ky sesion na mundësoi që të kemi një diskutim të gjallë ndërmjet nesh. Prokurorët vendas tani dinë më shumë për praktikën e të drejtës penale ndërkombëtare për ndjekjen e krimeve të luftës këtu në Kosovë ".

Si rezultat i këtij trajnimi, do të përgatitet një produkt final i shkruar me udhëzime praktike dhe pika referimi për ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës në Kosovë në të ardhmen.