Lajme

Rritja e kapaciteteve të prokurorëve kosovarë për ta luftuar korrupsionin

05 qershor 2017

Javën e kaluar, zyra e Kryeprokurorit të EULEX-it e organizoi një trajnim dy ditor me fokus në rritjen e kapaciteteve të prokurorëve kosovarë për ta luftuar korrupsionin, me theks të veçantë në aspektin e konfiskimit si pjesë e trajnimeve të vazhdueshme të specializuara për institucionet vendase. Në përputhje me mandatin e tij, EULEX-i për një kohë të gjatë e ka përqendruar një pjesë të madhe të vëmendjes së tij dhe ka investuar shumë resurse në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit. Aktualisht, ky Mision është duke e përgatitur terrenin për tranzicionin e mëtejmë të aktiviteteve të tij të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit, si dhe dorëzimin gradual të rasteve të mbetura tek autoritetet vendase. Për një tranzicioin të suksesshëm, është e nevojshme që të sigurohet qëndrueshmëria ndërsa zhvillohen dhe fuqizohen kapacitetet e specializuara, aftësitë teknike dhe përgatitja e ekspertëve në kuadër të palës homologe të EULEX-it në fushën e sundimit të ligjit. Ky ishte fokusi kryesor i punëtorisë që u mbajt në Prishtinë më 2 dhe 3 qershor.

Shefja e Misionit EULEX, zj. Alexandra Papadopoulou gjatë fjalës së saj të hapjes theksoi se kjo ishte një iniciativë e qëlluar dhe shumë e dukshme në drejtimin e duhur për ta parandaluar dhe luftuar korrupsionin në Kosovë.

“Gjatë këtyre dy ditëve, kolegët kosovarë nga institucionet përkatëse do të kenë mundësinë e veçantë për t’i shtuar kapacitetet dhe aftësitë e tyre duke bashkëbiseduar nëpër sesionet e ndryshme tematike me prokurorët e EULEX-it dhe me ekspertë tjerë të fushave përkatëse me përvojë të dorës së parë ekspertizë në luftimin e korrupsionit – me fokus të veçantë në çështjen e konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.” tha zj. Papadopoulou.

Si njëri prej organizatorëve kryesorë të këtij projekti, Kryeprokurori i EULEX-it, Claudio Pala, i përshëndeti mysafirët dhe shprehu kënaqësinë e tij pasi kaq shumë kolegë të tij e kishin pranuar ftesën për të marrë pjesë në këtë trajnim.

Duke folur lidhur me angazhimet e EULEX-it në përkrahje dhe ndihmë të institucioneve kosovare për sundimin e ligjit në rrugën e tyre drejt standardeve evropiane dhe ndërkombëtare për luftimin e korrupsionit, Pala theksoi se luftimi i korrupsionit ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet kryesor i prokurorisë dhe të gjitha resurset në dispozicion duhet kushtuar kësaj lufte.

“Kosova ende është në fazë të hershme përgatitore për luftimin e korrupsionit. Prandaj, është e domosdoshme një qasje gjithëpërfshirëse dhe strategjike për të siguruar rezultate të dukshme. Një prej aspekteve të strategjisë kundër korrupsionit është që të kemi personel me trajnime adekuate për luftimin e korrupsionit. Kjo, në veçanti, nënkupton përgatitjen e prokurorëve vendas për t’i trajtuar rastet e korrupsionit duke i shfrytëzuar të gjitha mjetet efektive dhe legjislacionin në fuqi.” theksoi Pala.

Kryeprokurori i Shtetit i Kosovës, z. Aleksandër Lumezi, e përshëndeti iniciativën. Duke iu drejtuar mysafirëve dhe pjesëmarrësve në trajnim, ai e theksoi rëndësinë e luftimit të korrupsionit duke i shfrytëzuar praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Është nder i veçantë që ndodhem sot këtu si pjesë e angazhimit tim institucional, bashkë me kolegët nga EULEX-i, për të diskutuar lidhur me sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial” tha z. Lumezi.  Ai në fund tha se iniciativa për të organizuar trajnime të këtilla duhet përshëndetur dhe të kuptohet si një nga prioritetet kryesore për Kosovën.