Lajme

Intervistë e Shefit të Misionit EULEX me A2 CNN

21 shkurt

Më 21 shkurt 2024, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, dha një intervistë për rrjetin A2 - kanal informativ në partneritet ekskluziv me CNN.

Duke e komentuar situatën e sigurisë në veri të Kosovës, Barbano konfirmoi se: “Situata aktuale në veri të Kosovës, si dhe në përgjithësi në Kosovë është e qetë, por ende e brishtë. Fatkeqësisht, ne kemi parë që kjo situatë mund të përkeqësohet shumë lehtë, siç ndodhi fatkeqësisht në shtator me sulmin në Banjskë, ku humbi jetën Rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku”.

I pyetur për hetimet lidhur me ngjarjet në Banjskë, Barbano ka sqaruar se: “EULEX-i nuk ka mandat për të kryer hetime. Prej vitit 2018, mandati i EULEX-it nuk përfshin, nuk parasheh ndodnjë mandat ekzekutiv. Pra, përgjegjësinë e plotë për kryerjen e hetimeve e kanë vetëm institucionet e Kosovës. EULEX-i është duke monitoruar ashtu që hetimet e kryera nga autoritetet e Kosovës të bëhen në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane”.

“Gjatë kryerjes së këtij monitorimi, EULEX-i gjithashtu siguron që të drejtat e njeriut të respektohen plotësisht përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë, përfshirë aktivitetet e kryera nga policia, por edhe aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët dhe nga Sistemi Korrektues i Kosovës në rastet e paraburgimit”, theksoi Barbano.

I pyetur për çështjen e ekstradimit të dyshuarve, Barbano ka shpjeguar se: “EULEX-i është përgjegjës për bashkëpunimin policor, bashkëpunimin ndërkombëtar policor, lehtësimin e shkëmbimit të informacioneve në mes të Policisë së Kosovës dhe shërbimeve ndërkombëtare policore përfshirë Ministrinë e Brendshme të Serbisë. Kur bëhet fjalë për ekstradimin, ky është bashkëpunim ndërkombëtar gjyqësor, i cili nuk është pjesë e mandatit tonë”.

Shefi i EULEX-it shpjegoi gjithashtu se dorëheqjet e policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit tjetër serb të Kosovës kanë krijuar një vakum në institucionet e sundimit të ligjit në veri të Kosovës. “Ky vakum është plotësuar pjesërisht nga policia, ndërsa EULEX-i ka marrë një rol shumë proaktiv në kryerjen e patrullimeve vëzhguese që mundësojnë të kuptuarit e situatës dhe për ta siguruar popullatën për praninë ndërkombëtare në terren”, komentoi Barbano, duke shtuar se Misioni është duke i monitoruar aktivitetet e kryera nga Policia e Kosovës përmes këshilltarëve të tij të lartë policor dhe këshilltarëve tjerë, të cilët bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës.

Në lidhje me rolin e Misionit si reagues i dytë i sigurisë së Kosovës, Barbano konfirmoi se: “EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është i gatshëm për çdo kërkesë të mundshme për ofrimin e rendit dhe sigurisë publike”.

Shikoni intervistën e plotë (në gjuhën shqipe) në: https://a2news.com/rajoni-bota/kosova/aktualitet/situata-ne-veri-mund-te-perkeqesohet-shefi-i-eulex-i1114791