Lajme

EULEX-i dhe Prokuroria Themelore në Pejë organizuan një punëtori për vërejtjen policore dhe masat e diversitetit të drejtësisë për të miturit

06 shkurt

Më 6 shkurt 2024, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) së bashku me Prokurorinë Themelore në Pejë organizuan punëtorinë “Vërejtja Policore dhe Masat e Diversitetit të Drejtësisë për të Mitur” për t’i diskutuar sfidat në zbatimin e masave të diversitetit në rastet kur një i mituri bie ndesh me ligjin.

22 prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë policorë dhe bashkëpunëtorë profesionistë, drejtorë shkollash, u mblodhën për ta shtjelluar dhe diskutuar rëndësinë e sigurimit që masat e diversitetit, si vërejtja policore, duhet të jenë opsioni i parë në trajtimin e rasteve të drejtësisë për të miturit, pasi që ato mund të kontribuojnë shumë për rehabilitimin dhe riintegrimin e të miturve në familjet dhe komunitetet e tyre, parandalimin dhe shmangien e efekteve negative të procedurave gjyqësore, si dhe parandalimin e recidivizmit.

Meda Petronela-Grama, Këshilltare e EULEX-it e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, vuri në dukje se, sikur në shumë vende të tjera, sigurimi i një sistemi të drejtë dhe rehabilitues të drejtësisë për të miturit në Kosovë mund të jetë ndonjëherë sfidues, duke theksuar se si: “Zbatimi i masave të diversitetit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ri-drejtimin e personave të rinj larg ciklit të kriminalitetit. Këto masa, të tilla si këshillimi, edukimi, shërbimi në komunitet ose vërejtja policore, ofrojnë një rrugë më konstruktive për rehabilitimin, duke e nxitur zhvillimin dhe përgjegjësinë personale”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, vuri në dukje përpjekjet e bëra në promovimin e masave të diversitetit përmes takimeve me institucione të ndryshme perkatëse me qëllim të forcimit të komunikimit ndërinstitucional dhe llogaridhënies në çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë për të mitur. “Jemi dëshmitarë të një sërë krimesh që po ndodhin së fundmi. Duhet të diskutojmë dhe të hartojmë koncepte të reja dhe gjithashtu të vendosim objektiva për të krijuar masa parandaluese dhe jo vetëm për të reaguar pasi të ndodhë vepra penale, duke shmangur kështu ndikimin e dëmshëm të veprës jo vetëm mbi shoqërinë, por edhe në jetën e ardhshme të miturve”, theksoi Kurmehaj.

Duke komentuar për rëndësinë e punëtorisë, prokurorja për të mitur në Prokurorinë Themelore të Pejës dhe Trajnuesja në Akademinë e Drejtësisë së Kosovës, Sanije Seferi Gashi, shpjegoi se si prokuroria e saj mund të konsiderohet si një nga pionieret në zbatimin e masës së diversitetit të vërejtjes policore.

Punëtoria u fokusua edhe në çështje të tjera që prekin drejtpërdrejt të miturit, si përdorimi i narkotikëve dhe substancave të tjera dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Një nga konkluzionet që doli nga punëtoria ishte dërgimi i formularëve të vërejtjes policore të shtjelluara nga prokurori, në të gjitha stacionet policore në rajonin e Pejës, për t'u përdorur si model.

Pjesëmarrësit u pajtuan gjithashtu lidhur me nevojën për të vazhduar me mundësi të tilla mësimore dhe për mundësinë për ta rritur vetëdijesimin rreth këtyre çështjeve duke i përfshirë edhe prindërit dhe mësuesit.