Lajme

BASHKOHUNI! Investoni për ta parandaluar dhunën kundër grave dhe vajzave! Fushata e EULEX-it 16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore

06 dhjetor 2023

Ngjyrosja e botës portokalli

Më 24 nëntor, në kuadër të temës “BASHKOHUNI! Investoni për ta parandaluar dhunën kundër grave dhe vajzave”, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) filloi shënimin e Fushatës 16 Ditët kundër dhunës në baza gjinore (DHBGJ) duke e ndriçuar selinë e EULEX-it me ngjyrë portokalli në shenjë solidariteti dhe përkrahjeje për luftën kundër DHBGJ-së.

1

Fillimi zyrtar i Fushatës 16 Ditore në Kosovë

Më 25 nëntor, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, mori pjesë në fillimin zyrtar të fushatës në Kosovë, organizuar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, duke e dëshmuar përkushtimin e plotë të Misionit për t’i mbështetur institucionet e Kosovës në luftën kundër këtij fenomeni të tmerrshëm.

Tryeza e rrumbullakët: Trajtimi i rasteve të dhunës seksuale: Fokusi në mirëqenien psikologjike të viktimave

Angazhimi i Misionit vazhdoi me tryezën e nivelit të lartë në temën “Trajtimi i rasteve të dhunës seksuale: fokusi në mirëqenien psikologjike të viktimave”, organizuar më 4 dhjetor nga EULEX-i dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

1

Diskutimet u përqendruan rreth nevojës për ta krijuar një Qendër Referimi për rastet e Dhunës Seksuale plotësisht funksionale, ku viktimat mund të marrin mbështetje afatgjatë përmes shërbimeve të specializuara.

Duke e hapur këtë aktivitet, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, rikujtoi se si: “Dhuna seksuale lë një ndikim të thellë dhe afatgjatë te viktimat dhe familjet e tyre. Jo vetëm në aspektin fizik, por gjithashtu, ndoshta më pak të dukshëm, në aspektin emocional dhe psikologjik”, duke e ri-konfirmuar fuqishëm “përkushtimin e EULEX-it për t’ju mbështetur dhe qëndruar së bashku me të gjithë juve në përpjekjet e vazhdueshme për ta çrrënjosur dhunën seksuale dhe të gjitha format e tjera të dhunës në baza gjinore”.

1

Zëvendësministri i Drejtësisë i Kosovës, Blerim Sallahu, theksoi se si eliminimi i kësaj dhune është një betejë të cilën duhet ta luftojmë të gjithë.
“Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve si dhe çdonjërit nga ne për të çuar përpara përpjekjet tona për të çrrënjosur dhunën mbi baza gjinore. Duhet që organet e rendit, të hetuesisë, prokuroritë dhe gjykatat të vënë të dyshuarit sa më parë para drejtësisë. Dhuna ndaj grave dhe vajzave është çështje e sigurisë dhe e mirëqenies edhe publike edhe sociale dhe jo vetëm një çështje familjare e private”, tha Sallahu.

1

Zëvendësministri i Shëndetësisë i Kosovës, Dr. Arsim Berisha, vazhdoi diskutimin duke nënvizuar se si: “Politikat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë janë kryesisht për forcimin e kujdesit parësor shëndetësor në implementimin e konceptit të mjekësisë familjare, sepse e dimë se 80% të shërbimeve shëndetësore jepen në kujdesin parësor dhe preventive apo detektimi me kohë i abuzimit të shëndetit fizik apo psikik mund të detektohet me kohë në kujdesin parësor shëndetësor”.

1

Roli i Institutit të Mjekësisë Ligjore në luftimin e këtij fenomeni negativ është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Drejtori i Departamentit të Laboratorëve Mjekoligjorë të IML-së, Agron Thaqi, vuri në pah se: “Pavarësisht progresit që është bërë me qëllim të minimizimit të dhunës mbi baza gjinore, jemi dëshmitarë pikërisht pra këto ditë, 16 ditë të aktivizmit, të ngjarjeve të tmerrshme që në një formë po na trokasin secilit nga ne dhe po na thonë se ka nevojë për përgjigje dhe përkrahje institucionale për viktimat e dhunës”.

1

Diskutimi vazhdoi me një prezantim të Dr. Bergita Curri, Specialiste e Mjekësisë Ligjore në IML, lidhur me dëmet fizike dhe psikologjike të dhunës seksuale.
“Ka shumë raste edhe në botë kur dëme fizike nuk ka ose janë shumë të lehta. Dhe ajo që është fatkeqësi është keqkuptimi i këtyre situatave pastaj në gjykatë. Unë e kam plotësisht të qartë se drejtësia do prova, por, ajo që unë mendoj se mbetet e paevidentuar si dëm është dëmi psikologjik apo dëmi emocional që i shkaktohet viktimës”, theksoi Curri.

1

Psikologja klinike në Medica Kosova, Prof. Assoc. Emirjeta Kumnova, shtjelloi kompleksitetin e traumës së përjetuar nga viktimat e dhunës seksuale, duke i theksuar nevojat e viktimës në aspektin e mbështetjes psikologjike.
“Trauma e dhunës seksuale është një nga format më të larta të traumës. Ajo shkakton dëmtim në besimin, shkakton pafuqishmëri të madhe tek viktima dhe humbje të besimit tek njerëzit dhe tek institucionet. Dhe për këtë arsye pasojat e kësaj traume janë një ndër faktorët individual të cilët e pengojnë viktimën që të kërkojë ndihmë psikologjike”, shpjegoi Kumnova.

1

Në fund të këtij shkëmbimi tërheqës dhe aktiv të pikëpamjeve, pjesëmarrësit ranë dakord për nevojën për ta vazhduar luftën kundër diskriminimit dhe stigmatizimit të viktimave të dhunës seksuale, fuqizimin dhe edukimin e fëmijëve përmes një qasjeje shumë-disiplinore që përfshin shkollat, mësuesit dhe familjet dhe përforcimin e përpjekjeve të koordinuara për të parandaluar çdo formë të dhunës seksuale, duke përfshirë edhe rehabilitimin e kryerësve të veprave.

Më 5 dhjetor, Shefi i Misionit EULEX mori pjesë në Konferencën Rajonale “Të bashkuar kundër dhunës – MJAFT”! organizuar nga Ministria e Drejtësisë. Duke mbledhur përfaqësues nga institucionet vendase, organizatat e shoqërisë civile dhe OJQ-të, si dhe mediat, konferenca u fokusua në rolin e qeverive në trajtimin e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.

1

Mesazhi i fuqishëm i EULEX-it për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave

Shefi i Misionit EULEX dha një video-mesazh të fuqishëm duke u bërë thirrje të gjithëve që të jenë të bashkuar për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave.

“Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, në Policinë e Kosovës janë raportuar 1272 raste të dhunës në familje, duke vazhduar me një trend të rritjes së numrit të rasteve të raportuara gjatë viteve të kaluara. Nga janari deri në shtator 2023 janë referuar pothuajse 80 raste në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimin e veprave të dhunës seksuale, ku shumica e viktimave janë vajza të mitura. Dhuna në baza gjinore është një cenim i rëndë i dinjitetit njerëzor, veçanërisht i grave dhe vajzave, duke ndikuar në jetën e viktimave në mënyrë shkatërruese. EULEX-i ka qenë në vijën e parë të luftës kundër dhunës në baza gjinore që nga krijimi i tij në vitin 2008, kurse sot, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, unë dua ta ritheksoj përkushtimin e Misionit ndaj institucioneve të Kosovës, ndaj shoqërisë civile të Kosovës, ndaj grave dhe vajzave të Kosovës, si dhe të gjithëve, që të qëndrojmë të bashkuar kundër çdo forme të dhunës në baza gjinore. Jepi fund dhunës ndaj grave! Të bashkuar, ne mundemi”.

Video është realizuar falë mbështetjes së NATO KFOR.

Avokimi për barazi gjinore

Duke marrë parasysh nevojën për ta rritur ndërgjegjësimin për dhunën në baza gjinore dhe për rëndësinë e barazisë gjinore, Misioni e mbështeti organizimin e aktiviteteve sensibilizuese dhe avokuese në nivelin bazë, në partneritet me OJQ-në Assist Kosovo.

Më 30 nëntor, Këshilltarja Gjinore e EULEX-it, Chiara Tagliani, iu bashkua Nënkryetares së Komunës së Klinës, Marqe Tanushi-Selmanaj, Zyrtares për Barazi Gjinore, Vitore Shala, drejtorëve, mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollave “Fehmi Agani” dhe “Atë Shtjefen Gjeqovi”, në marshimin e përbashkët DHBGJ-së.

1

Misioni e mbështeti shfaqjen e dokumentarit sensibilizues "Backlash: Misogyny in the Digital Age", i pasuar nga një diskutim në panel që trajtoi ide për investimin në arsim, kulturë dhe sport për ta nxitur fuqizimin ekonomik të grave, duke e theksuar rëndësinë e njohjes dhe raportimit të rasteve të dhunës në baza gjinore. Aktivitetet në Klinë përfshinë gjithashtu një demonstrim për lojën e ragbit për vajza, me qëllim të avokimit për sportin si mjet për fuqizimin e vajzave, si dhe një ekspozitë me piktura të bëra nga nxënësit e shkollës “Atë Shtjefen Gjeqovi”, ku portretizoheshin pikëpamjet e tyre unike për DHBGJ-në.

1

Më 4 dhjetor, Tagliani u prit nga Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, Zyrtarja për Barazi Gjinore, Lindita Salihu dhe Drejtoresha e CCNO - Qendra për bashkëpunim dhe rrjetëzim të organizatave, Mediana Bislimi, duke u bërë pjesë e diskutimeve me përfaqësues të qendrave të mirëqenies sociale dhe organizatave rinore lidhur me dhunën ndaj grave dhe vajzave në internet, rëndësinë e parandalimit dhe ndërgjegjësimit, si dhe forcimin e shërbimeve për mbështetjen e viktimave.

1