Lajme

EULEX-i i dhuron material mësimor Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës

17 tetor 2023

Më 17 tetor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) i dhuroi Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës 202 tekste dhe dhjetë laptopë, të cilët do të shërbejnë për të lehtësuar studimet dhe punën e përditshme të studentëve.

Dorëzimi zyrtar u bë nga Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, tek Dekani i Fakultetit Juridik, Profesor i Asociuar Doktor Avni Puka.

Pas ceremonisë së pranim-dorëzimit të donacionit, Barbano u angazhua në një bashkëbisedim interesant dhe konstruktiv me studentët e juridikut në lidhje me mandatin, sfidat dhe arritjet e EULEX-it.

“Ju jeni themeli i sistemit ligjor të vendit, dhe si juristë të ardhshëm, ju do të keni fuqinë për mbrojtjen e të cenueshmëve dhe për kërkimin e përgjegjësisë prej të fuqishmëve. Donacioni ynë simbolizon përkushtimin e EULEX-it për profesionistët ligjorë të ardhshëm të Kosovës,” tha Barbano, njëkohësisht duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të mprehta rreth punës së EULEX-it, si partner në fushën e sundimit të ligjit, për mbështetjen e institucioneve të caktuara të Kosovës.

Ky donacion ishte pjesë e një projekti të vogël të EULEX-it që si qëllim kishte mbështetjen e nevojave arsimore të Fakultetit Juridik.