Lajme

Pyetje dhe përgjigje me IML-në dhe EULEX-in lidhur me punën për identifikimin e personave të zhdukur

30 gusht 2023

Pyetje dhe përgjigje me IML-në dhe EULEX-in lidhur me punën për identifikimin e personave të zhdukur

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IML), Dr. Ditor Haliti , dhe Antropologia Ligjore e EULEX-it dhe Ushtruese e Detyrës së Shefes së Ekipit të Mjekësisë Ligjore, Dr. Luísa Marinho, iu përgjigjën një sërë pyetjesh në lidhje me procesin kompleks të identifikimit të personave të zhdukur nga lufta e Kosovës dhe pas saj.
Disa nga pyetjet u shtruan gjatë sesioneve informuese me pjesëtarët e familjeve të personave të zhdukur të organizuara gjatë muajve të kaluar nga EULEX-i dhe OJQ Qendra Burimore për Personat e Zhdukur (QBPZH).

Cilat janë objektivat e procesit të rishikimit të vazhdueshëm të mbetjeve mortore në morgun e IML-së?

“Shqyrtimi i vazhdueshëm i rasteve në morgun e IML-së i ka dy objektiva kryesore: të shqyrtojë çdo grup të mbetjeve mortore dhe të shqyrtojë dosjet përkatëse të rasteve”, shpjegon Haliti .
“Rishikimi i mbetjeve mortore dhe dosjeve të rastit do të na mundësojë që të vlerësojmë nëse janë marrë parasysh të gjitha informacionet në dispozicion deri më tani për secilin rast dhe, për shembull, nëse kërkohet apo është e mundur marrja e mostrave të reja për analizën e ADN-së”.

A ka raste në morgun e IML-së për të cilat ju duhet gjithsesi të nxirrni profilin e ADN-së?

"Po. Në morgun e IML-së ka raste nga të cilat në të kaluarën nuk ka qenë e mundur të nxirrej profili i ADN-së”, konfirmon Marinho. Në disa raste, mostrat janë marrë më parë dhe janë dërguar për analizë, por për shkak të kushteve të ruajtjes së mbetjeve mortore, procesi i nxjerrjes së profilit të plotë të ADN-së ka dështuar. “Megjithatë, për shkak të përparimeve në teknologjinë e ADN-së gjatë viteve të fundit, në ditët e sotme është e mundur që të nxirret një profil i plotë që mund të çojë në një identifikim të ri, andaj, aty ku e lejon gjendja e atyre mbetjeve mortore, ne jemi në proces të marrjes dhe ri-dërgimit të mostrave për profilizimin e ADN-së”.

A prisni që të jeni në gjendje t’i identifikoni të gjitha mbetjet mortore pasi të përfundojë rishikimi?

"Fatkeqësisht", thotë Marinho, "edhe pasi të ketë përfunduar rishikimi, jo të gjitha mbetjet mortore do të identifikohen dhe për këtë ka disa arsye të ndryshme. Njëra ka të bëjë me kushtet e përmendura tashmë të ruajtjes së disa mbetjeve mortore, të cilat, në disa raste, me shumë gjasa nuk do të mundësojnë kurrë marrjen e një mostre ose nxjerrjen e një profili të plotë të ADN-së, si për shembull në rastin e mbetjeve mortore të fragmentuara dhe shumë të përziera ose të djegura rëndë”.

"Një arsye tjetër", shton Marinho, "është se, në disa raste, vdekjet me gjasë ose në fakt dihej se nuk ishin të lidhura drejtpërdrejt me konfliktin, dhe për rrjedhojë familjarët nuk i kanë dhënë asnjëherë mostrat referente pasi këta persona nuk janë raportuar asnjëherë si të zhdukur. Si rezultat i kësaj, edhe nëse është nxjerrë profili i ADN-së nga mbetjet mortore, ai vazhdon të jetë i pakrahasueshëm dhe, rrjedhimisht, i paidentifikuar (mbetet i ashtuquajturi "NN"). E njëjta gjë vlen edhe për një numër më të vogël rastesh për të cilat ekziston një identifikim i supozuar që përputhet me individët e raportuar si të zhdukur, por, duke qenë se familjet nuk i kanë dhënë ende mostrat referente, edhe këto raste mbeten të paidentifikuara deri më sot.
Kjo është arsyeja pse mesazhi ynë për të gjitha familjet, të dashurit e të cilëve janë të zhdukur është që të paraqiten dhe të japin gjak për ta ndihmuar procesin e identifikimit përmes ADN-së”.
“Në fund, një arsye më shumë që do të përcaktojë nëse do të identifikohen apo jo disa raste është çështja e të ashtuquajturave identifikime të gabuara”, thekson Marinho.

Sa i përket çështjes së identifikimeve të gabuara të personave të zhdukur, a ishin të gjitha identifikimet “tradicionale” identifikime të gabuara?

“Përgjigja është absolutisht jo”, siguron Marinho. “Përgjatë viteve ka pasur disa raste të 'identifikimeve tradicionale' të ri-ekzaminuara qoftë me kërkesë të familjeve apo të autoriteteve me qëllim të konfirmimit të identifikimit dhe të cilat më vonë u konfirmuan përmes ADN-së si identifikime të sakta.
Përveç kësaj, hulumtimi i kryer nga EULEX-i në fillim të mandatit të Misionit, tregoi se rastet e identifikimeve të gabuara kanë mundur të korrespondonin me një përqindje të vogël të mbi 2000 identifikimeve tradicionale të zhvarrosura nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në vitet 1999-2000”, konfirmon Marinho, duke shtuar se: “Kur ekziston dyshimi se një ose më shumë trupa janë identifikuar gabimisht në lidhje me një ngjarje të caktuar, duke u kërkuar familjeve të cilat më pas i varrosën ata trupa që të dhurojnë gjak tani, ne mund ta verifikojmë këtë hipotezë dhe potencialisht të kemi identifikime të reja”.

Haliti gjithashtu thekson se: “Nëse, pas një analize shteruese, arrihet në përfundimin se një ose më shumë trupa të paidentifikuar në morgun e IML-së ka të ngjarë të lidhen me të njëjtën ngjarje dhe se ato mund të korrespondojnë me një identifikim të gabuar, pasi të pajtohen familjet që i kishin varrosur ata trupa dhe i japin mostrat referente, identifikimi i gabuar mund të korrigjohet dhe secilës familje do t'i dorëzohen të dashurit e tyre për një varrim të duhur”.

Kohëve të fundit a keni bërë ndonjë përparim në korrigjimin e identifikimeve të gabuara?

“Shqyrtimi i vazhdueshëm i mbetjeve mortore dhe dosjeve përkatëse të rasteve në IML, në lidhje me investimin e vazhdueshëm në qasjen dhe analizimin e arkivave ndërkombëtare, përkatësisht përmes punës së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe disa raporteve analitike që i trajtojnë rastet të mundshme të identifikimeve të gabuara në mesin e identifikimeve tradicionale, vetëm vitin e kaluar, sollën deri te zgjidhja e tri rasteve të tilla. Deri tani gjatë këtij viti është identifikuar të paktën edhe një tjetër, kurse janë në pritje rezultatet e ADN-së të cilat potencialisht mund të korrespondojnë me më shumë raste të identifikimeve të gabuara", thotë Marinho. “Sapo të konfirmohen rezultatet e ADN-së, familjet do të informohen dhe do të kryhen procedurat e duhura për korrigjimin e identifikimeve të gabuara dhe dorëzimin e trupit të duhur familjes përkatëse”.

“Ne, në IML, jemi optimistë se më shumë raste të cilat tani janë duke u analizuar dhe shqyrtuar së shpejti do të çojnë në zgjidhjen e më shumë rasteve dhe do të bëhen identifikime të reja”, përfundon Haliti.

A ka nevojë për të dhënë përsëri gjak nëse pjesëtarët e familjes tashmë e kanë bërë këtë shumë kohë më parë?

“Apriori, në mënyrë të qartë përgjigja është jo”, thotë Haliti. “Profili i ADN-së është marrë dhe është ruajtur për të gjitha mostrat referente të dhëna - pa marrë parasysh se kur. Nëse pjesëtarët e familjes së një personi të zhdukur në një moment i kanë dhënë mostrat referente dhe i afërmi i tyre i zhdukur nuk është identifikuar ende, shpjegimi më i mundshëm është se mbetjet mortore nuk janë zbuluar dhe zhvarrosur ende deri më sot. Nëse nga pikëpamja e analizës së ADN-së, mostra referente ekzistuese konsiderohet e pamjaftueshme, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, i cili i kryen të gjitha analizat e ADN-së në laboratorin e tyre në Hagë, është përgjegjës për identifikimin e këtyre familjeve. Megjithatë, thekson Haliti, “nëse një pjesëtar i familjes i lidhur drejtpërdrejt me personin e zhdukur (vëllai, fëmijët ose prindi) i cili nuk ka dhënë asnjëherë gjak tani është në dispozicion ose i gatshëm ta bëjë këtë, edhe nëse të afërmit e tjerë më të largët e kanë bërë këtë, ai ose ajo mund të kontaktojnë me IML-në ose me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, pasi mostrat e tyre mund të ndihmojnë në ngushtimin e procesit të përputhjes së ADN-së, duke e lehtësuar potencialisht një identifikim”.

Si mund ta ndihmojnë familjet e personave të zhdukur procesin dhe me kë duhet të kontaktojnë për të marrë më shumë përgjigje për pyetjet e tyre?

“Familjet e personave të zhdukur mund ta ndihmojnë punën e IML-së duke i dhënë mostrat referente nëse nuk e kanë bërë këtë, si dhe duke paraqitur informacione në lidhje me personin e zhdukur apo ngjarjen e zhdukjes. Ata mund të kontaktojnë me Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IML) për çdo pyetje”, thotë Haliti.

“Familjet mund të ndjehen të sigurta se, përderisa të afërmit e tyre janë në mesin e personave të zhdukur, institucionet përgjegjëse të Kosovës, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, përfshirë EULEX-in, nuk do të ndalojnë së kërkuari për ta derisa të shteren të gjitha pistat e mundshme”, siguron Haliti.


EULEX-i e ri-konfirmon përkushtimin e tij për ta vazhduar mbështetjen e kolegëve vendas të tij në IML në angazhimet e tij për ta zbardhur fatin e 1616 personave, të cilët janë ende të pagjetur, ndërsa ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë së bashku me IML-në duke ofruar ekspertizë dhe këshilla në kërkim të varreve klandestine, zhvarrosjes dhe identifikimit të viktimave nga konflikti i Kosovës.
Prej fillimit të mandatit të EULEX-it e deri më sot, EULEX-i i ka mbështetur kolegët kosovarë në 746 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 200 zhvarrime. Mbetjet mortore të 492 personave janë identifikuar, duke përfshirë 339 persona të zhdukur.

Kontakte të dobishme:
Instituti i Mjekësisë Ligjore
Tel: +38 (0)38 200 18 555
E-mail: info@mjekesialigjore-ks.com

EULEX
Tel: +383 (0)38 28 2000
E-mail: info@eulex-kosovo.eu