Lajme

EULEX-i me krenari mbështet edicionin e 9-të të “Cycle Kosovo for Children” (Me biçikletë nëpër Kosovë për fëmijët)

15 qershor 2023

Edicioni i 9-të i Cycle Kosovo for Children, një iniciativë për mbledhje fondesh e organizuar nga OJQ-ja Aksioni për Nëna dhe Fëmijë që synon mbledhjen e fondeve për blerjen e pajisjeve mjekësore për Klinikat e Neonatologjisë dhe Pediatrisë në Kosovë, do të mbahet nga data 15 deri më 18 qershor 2023 me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Një grup çiklistësh do të përshkojnë rreth 500 kilometra dhe do të ngjiten mbi 6000 metra lartësi duke kaluar nëpër qytetet kryesore të Kosovës. Për çdo vit, të ardhurat e mbledhura i dhurohen klinikave të ndryshme pediatrike në mbarë Kosovën. Të gjitha të ardhurat e këtij viti do të shkojnë në Klinikën e Pediatrisë të Spitalit Rajonal në Ferizaj.

Julien Feuillet, Shef i Shërbimeve Teknike në EULEX, tha se Misioni vazhdon ta mbështesë këtë kauzë shumë të nevojshme: “Përkrahja për aktivitet po rritet për çdo vit. Është shumë mirë që ne kemi mundësi ta mbështesim këtë nismë dhe i inkurajojmë të gjithë që të bashkohen me ne. Gjithsej 50 çiklistë do të marrin pjesë në manifestimin e sivjetshëm, ndër të cilët pesë pjesëtarë të stafit të EULEX-it. Udhëtimin me biçikleta do e nisim më 15 qershor dhe vazhdojmë për katër ditë në mbarë Kosovën”.

Vesa Kada , Menaxhere për Mbledhje të fondeve dhe Aktiviteteve në OJQ-në Aksioni për Nëna dhe Fëmijë tha: “Përgjatë viteve, ky aktivitet ka arritur të përfitojë mbështetje dhe vëmendje të konsiderueshme nga sektori privat. Prej fillimit të edicionit të parë, i jemi shumë mirënjohës përkrahësit tonë kryesor, EULEX-it, pa të cilin ky aktivitet nuk do të ishte i mundur. Me pjesëmarrjen entuziaste të komunitetit të çiklizmit, Cycle Kosovo for Children ka mbledhur rreth 85.000.00 € në total që nga fillimi i tij në vitin 2014. Të gjitha donacionet janë përdorë për blerjen e pajisjeve mjekësore shumë të nevojshme për Klinikat e Neonatologjisë dhe Pediatrisë në rreth tetë komunitete të ndryshme në Kosovë, duke na mundësuar që të vazhdojmë të ofrojmë kujdesin më të mirë të mundshëm shëndetësor për ata që kanë nevojë”.

EULEX-i e ka mbështetur këtë iniciativë për mbledhjen e fondeve që prej fillimit të saj. Përmes mbështetjes së tij, Misioni e dëshmon në praktikë përgjegjësinë sociale dhe kontribuon për shoqërinë kosovare, e cila është nikoqire e EULEX-it dhe stafit të tij prej vitit 2008.