Lajme

EULEX-i dhe OJQ Qendra për Inovacion dhe Zhvillim në mbështetje të raportimit gjyqësor përmes prodhimit të një serie të reportazheve të temave të sundimit të ligjit

11 mars 2023

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), bashkë me OJQ Qendra për Inovacion dhe Zhvillim, janë duke ndihmuar për sensibilizimin e publikut rreth institucioneve të drejtësisë në Kosovë përmes një projekti të vogël të quajtur “Përmirësimi i transparencës tek raportimi gjyqësor”, që parasheh prodhimin e një serie të reportazheve mbi tema të sundimit të ligjit.

Më 11 mars, partneri i Misionit OJQ Qendra për Inovacion dhe Zhvillim e publikoi reportazhin e parë, një reportazh mbi punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës për rehabilitimin dhe fuqizimin e grave që i vuajnë dënimet e tyre në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Reportazhi, i cili u transmetua edhe nga agjencia e lajmeve e Kosovës, Kosova Press, u përqendrua në rëndësinë e ofrimit të mundësive të punës personave që janë në vuajtje të dënimeve me qëllim të fuqizimit të rehabilitimit dhe parandalimit të recidivizmit.

Reportazhi po ashtu përfshiu një intervistë me udhëheqësen e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vähäkoski, e cila dha një shpjegim mbi punën e Misionit në mbështetje të angazhimeve të Shërbimit Korrektues të Kosovës drejt këtij qëllimi të përbashkët.

Në kuadër të këtij projekti, EULEX-i po ashtu do të mbështesë prodhimin e pesë reportazheve të tjera.

Reportazhi i plotë:​Puna bën të mos e ndiejnë fort burgun, gratë në Lipjan të interesuara për më shumë trajnime - KosovaPress