Lajme

EULEX-i dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi filluan fazën e tretë të trajnimit të monitoruesve laikë

24 janar 2023

Më 24 janar, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe partneri i tij i kamotshëm, Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizuan një trajnim për 20 monitorues laikë për ta filluar projektin “Ndërtimi i besimit në sistemin gjyqësor dhe rritja e realizimit të drejtave të njeriut përmes monitorimit laik të gjykimeve”.

Ky projekt, që tani është duke hyrë në fazën e tretë të tij, synon të promovojë të drejtën e qytetarëve në Kosovë për të marrë pjesë në seanca publike, siç parashihet me legjislacionin e Kosovës, në mënyrë që ta shohin nga dora e parë se si funksionojnë institucionet e drejtësisë.

Monitoruesit laikë fillimisht u informuan nga Monitoruesi i EULEX-it për Drejtësi, Oscar San Jose, i cili shpjegoi se përfshirja e qytetarëve si monitorues laikë mund të ndihmojë shumë në forcimin e institucioneve gjyqësore dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e Kosovës.

Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrësit u njohën me konceptet kryesore të procedurave gjyqësore dhe monitorimit të gjykimeve nga Menaxheri i Projektit dhe Hulumtuesi Ligjor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala dhe nga Hulumtuesi i Lartë Juridik, Ramiz Durmishi.

Përveç kësaj, Monitoruesi Kryesor Tematik i EULEX-it-Korrupsioni dhe shkeljet, Agron Kelmendi, Monitoruesi Kryesor Tematik-Krimet sipas të drejtës ndërkombëtare, Petko Petkov, Monitoruesi Kryesor Tematik-Dhuna në baza gjinore, Satu Varri dhe Monitoruesja e Drejtësisë, Heidi Heggdal, i informuan monitoruesit laikë për modalitetet e punës së kryer nga Njësia e këtij Misioni për Monitorimin e Rasteve.

Përgjatë gjithë këtij projekti, secili monitorues laik pritet të merr pjesë në 25 seanca gjyqësore nëpër gjykata të ndryshme anembanë Kosovës; raportet individuale së bashku me gjetjet kryesore të punës për monitorimin e gjykatave do të rezultojnë më pas në publikimin e raportit të tretë “Drejtësia në sytë e qytetarëve. Raport mbi Monitorimin e seancave gjyqësore nga qytetarët”.

Raportet e fazës së parë dhe të dytë të projektit u publikuan më 14 qershor 2022, respektivisht më  3 gusht 2020.