Lajme

Delegatët e Komisionit për Aspektet Civile të Menaxhimit të Krizave vizitojnë EULEX-in

05 tetor 2022

Më 5 dhe 6 tetor, delegatë nga Shtetet Anëtare të BE-së të përfaqësuara në Komitetin për Aspektet Civile të Menaxhimit të Krizave (CivCom) me seli në Bruksel dhe zyrtarë nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm po e vizitojnë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) për ta vlerësuar punën e këtij Misioni në Kosovë dhe për të kuptuar më mirë sundimin e ligjit si dhe për situatën e sigurisë në terren.

Gjatë kësaj vizite, ata do të marrin një informim të thellë rreth disa fushave të punës së Misionit në Kosovë, duke përfshirë rolin e tij si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, punën e tij për gjetjen e personave të zhdukur, monitorimin e fuqishëm të rasteve të përzgjedhura në sistemin e drejtësisë së Kosovës, si dhe mbështetjen e EULEX-it për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ky delegacion do të takohet gjithashtu me përfaqësues të autoriteteve të Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, partnerë ndërkombëtarë të EULEX-it, si dhe përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë.

CivCom ka për detyrë që ta këshillojë Komitetin Politik dhe të Sigurisë për aspektet civile të menaxhimit të krizave dhe përbëhet nga përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së. Ai përgatit dokumente planifikuese për misionet, i bën rekomandime Komitetit Politik dhe Sigurisë, si dhe merret me zhvillimin e strategjive dhe koncepteve për menaxhimin civil të krizave dhe për kapacitetet civile.