Lajme

Dita “Sillni më të dashurit tuaj në punë”

23 shtator 2022

Më 23 shtator, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i hapi dyert e tij për fëmijët dhe të afërmit e personelit të EULEX-it, me rastin e iniciativës “Sillni më të dashurit tuaj në punë”. 

Mbi 90 fëmijë u bënë bashkë në këtë ditë të veçantë përplot argëtim dhe befasi. Të ndarë në grupe të ndryshme sipas moshës së tyre, këta fëmijë patën mundësi që të marrin pjesë në një simulim të seancës gjyqësore, një simulim të intervistës për punë, si dhe në një trajnim të reanimimit kardiopulmonar (CPR) të mbajtur nga njësia mjekësore e Misionit. 

Kjo iniciativë përfshiu gjithashtu edhe disa aktivitete në ambientet e jashtme të kompleksit të EULEX-it, ku fëmijët patën mundësi t’i shohin nga afër disa automjete të EULEX-it si autoambulancën dhe një automjet të blinduar.