Lajme

Filloi fushata “Kërko të drejtën tënde për pronë!” për lidhjen ndërmjet ë drejtave pronësore dhe dhunës në familje

29 nëntor 2021

“Mos qëndro viktimë e dhunës në familje ngaqë nuk ke nga të shkosh. Kërko të drejtën tënde për pronë!” Ky është sllogani i fushatës për rritjen e ndërgjegjësimit për lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje, e cila filloi më 26 nëntor në Prishtinë.

Kjo fushatë, e cila mbështetet nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Zyra e BE-së në Kosovë, Ministria e Drejtësisë dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci, synon fuqizimin e viktimave të dhunës në familje për t’i kërkuar të drejtat e tyre në pronë ashtu që ato të bëhen të pavarura financiarisht. Kjo pavarësi do t’u ndihmojë atyre që të largohen nga marëdhëniet keqtrajtuese. 


"Ku mund të shkoj?"
Të mbijetuarat e dhunës në familje shpesh nuk kanë përgjigje për këtë pyetje. Mungesa e qasjes në të drejtat pronësore, si dhe të drejtave ekonomike në përgjithësi, po promovon një kulturë të cenueshmërisë, ku shumë gra mund të ndjejnë se nuk kanë alternativë tjetër përveç qëndrimit në marrëdhënie keqtrajtuese dhe të dhunshme. Të drejtat ekonomike të kufizuara për gratë janë terren i përshtatshëm për dhunën në familje. Qasja në kapitalin fizik që vjen nga prona u ndihmon të mbijetuarave të dhunës në familje që ta arrijnë pavarësinë ekonomike.

Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe legjislacionit përkatës, të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta pronësore të barabarta. Megjithatë, të dhënat tregojnë se vetëm 17% të grave në Kosovë posedojnë pronë, kurse 7% e tyre trashëgojnë pronë. Përveç kësaj, shumë gra kosovare për çdo vit heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar pronë dhe kështu pabarazia ekzistuese në posedimin e pronës përkeqësohet edhe më shumë. 

Gjatë kësaj fushate nëpër tërë Kosovën do të vendosen pano, si dhe do të transmetohen spote në radio, televizion dhe reklama në internet.

Për të mësuar më shumë lidhur me këtë fushatë, shikoni intervistën e Zëdhënëses së EULEX-it, Ioanna Lachana dhe Drejtoreshës së Forumit për Lidership dhe Diplomaci në KTV: https://youtu.be/YJ7mOk8OXvA 

Po ashtu, shikoni intervistën e Këshilltares Gjinore të EULEX-it, Chiara Tagliani dhe Adelina Eminit nga Forumi për Lidership dhe Diplomaci në RTK: https://youtu.be/7TqBJSNBNY0

Për fushatën është folur edhe në televizionin Klan Kosova në një intervistë me Zëdhënësen e EULEX-it Donika Berisha, dhe Njomza dhe Adelina Emini nga Forumi për Lidership dhe Diplomaci. Intervista mund të shikohet këtu: https://www.youtube.com/watch?v=3lQxc1ymATQ

Po ashtu, edhe Këshilltarja e EULEX-it për Çështje Gjinore Chiara Tagliani dhe Adelina Emini nga Forumi për Lidership dhe Diplomaci folën rreth fushatës në emisionin e pasditës në Kanal 10: https://fb.watch/9EybiXDOVX/