Lajme

Bashkëbisedime për fuqizimin e grave: “Roli dhe qëndrueshmëria e ofruesve të shërbimeve për viktimat e dhunës në bazë gjinore: avancimi i zbatimit të Konventës së Stambollit

04 dhjetor 2020

Më 25 nëntor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi episodin e dytë të “Bashkëbisedimeve për fuqizimin e grave” me temën “Roli dhe qëndrueshmëria e ofruesve të shërbimeve për viktimat e dhunës në bazë gjinore: avancimi i zbatimit të Konventës së Stambollit.”

Panelistët, Basri Kastrati, udhëheqës i Zyrës së avokimit për viktimat, Vesna Stajic, menaxhere e Qendrës së grave për mbështetje dhe zhvillim në Novobërdë, dhe Tijana Simic LaValley, drejtoreshë e programit në OJQ-në Të Drejtat e Grave, u përqëndruan në rolin e ofruesve të shërbimeve për viktimat e dhunës në bazë gjinore, nevojat e tyre dhe rëndësinë e të pasurit një qasje gjithpërfshirëse për këtë çështje, dhe rrugën përpara drejt zbatimit të standardeve të Konventës së Stambollit. Panelistët theksuan se sfida kryesore me të cilën përballen ofruesit e shërbimeve të mbështetjes së viktimave është qëndrueshmëria financiare dhe mungesa e qasjes së bashkërenduar.

Udhëheqësi i Zyrës për avokim për viktimat, Basri Kastrati, dha një shpjegim rreth punës së zyrës: “Si një mekanizëm institucional, ne veprojmë nën Prokurorinë e Shtetit. Ne jemi një mekanizëm që i përfaqëson interesat e viktimave të krimit, me një fokus të veçantë tek viktimat e dhunës në bazë gjinore ose dhunës në familje. Për institucionin tonë, qëndrueshmëria financiare për fat të mirë nuk është problem.” Kastrati gjithashtu vuri në dukje se Kosova ka bërë progres në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të viktimave dhe shtoi: “Ne mirëpresim përfshirjen e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës, e cila do të fuqizojë më tej zbatimin e të drejtave të kësaj kategorie të viktimave. ”

Por si do ta ndihmojë konkretisht përfshirja e Konventës së Stambollit punën e ofruesve të shërbimeve?

Për Vesna Stajic, e cila menaxhon Qendrën e grave për mbështetje dhe zhvillim në Novobërdë, ratifikimi i Konventës së Stambollit sjell shpresë për gjetjen e një zgjidhjeje sistemike për të gjitha këto çështje. “Unë me të vërtetë shpresoj se ajo do të respektohet dhe se zbatimi i Konventës do të thotë që të gjithë ofruesit e shërbimeve do të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime më adekuate dhe më të plota për viktimat,” deklaroi Stajic.

Në përgjithësi, ky shihet si një hap i madh për Kosovën, dhe përfaqësuesit e ofruesve të shërbimeve u shprehën se ata kanë pritur për një kohë të gjatë për një zhvillim si ky.

“Ne kemi punuar shumë për këtë, dhe kjo ishte një arsye për të festuar për të gjithë ne. Ajo që Konventa e mundëson është një qasje gjithëpërfshirëse - ajo e obligon shtetin të zhvillojë politika që do t'u mundësojnë të gjitha palëve të marrin pjesë në një mënyrë adekuate për të parandaluar dhunën ndaj grave, dhe të sigurojë disponueshmërinë e fondeve për ofrimin e të gjitha shërbimeve. Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm është se ajo njeh në vazhdimësi punën e OJQ-ve për gratë në parandalimin e dhunës ndaj grave ”, theksoi Tijana Simic LaValley, drejtoreshë e programit në OJQ-të Të Drejtat e Grave.

Sipas Zyrës për avokim për viktimat, që nga viti 2003 rreth 15,000 viktima të dhunës në familje kanë kërkuar ndihmë nga institucionet përkatëse.

“Bashkëbisedimet për fuqizimin e grave” janë pjesë e aktiviteteve të EULEX-it për të shënuar 20-vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe fushatën e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore.