Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

EULEX-i e përmbyll kursin e trajnimit për gazetari mobile dhe media sociale për zyrtarët për shtyp të institucioneve kosovare të sundimit të ligjit

22 nëntor 2019

Njëzet zëdhënës dhe zyrtarë për shtyp të autoriteteve të Prokurorisë së Kosovës, gjykatat e të gjitha shkallëve dhe Policisë së Kosovës e përfunduan sot një kurs trajnimi katër-ditor për gazetarinë mobile dhe menaxhimin e mediave sociale, të organizuar nga EULEX-i në Prishtinë. Qëllimi i këtij kursi të trajnimit praktik ishte njohja e pjesëmarrësve me mjetet dhe teknikat e gazetarisë mobile, si dhe rritja i aftësive të tyre për menaxhimin e kanaleve të mediave sociale për të komunikuar në mënyrë efektive me pjesë të ndryshme të opinionit publik të synuar duke e rritur transparencën dhe shtrirjen e tyre.

Shefja e Zyrës për Shtyp të EULEX-it, Ioanna Lachana, tha: "Teknologjitë e reja me të vërtetë na e kanë bërë punën tonë më të lehtë. Përdorimi i shkathtë i mediave sociale dhe teknikave të gazetarisë mobile na lejon që të arrijmë më shpejtë deri tek grupet e ndryshme të njerëzve në numër të madh që ndihmon në përhapjen e lajmeve për punën tonë".

Lamija Alečković, trajnuese e gazetarisë mobile, vuri në dukje se gazetaria mobile dhe kronikat vizuale mund ta përmirësojnë komunikimin institucional: "Video-incizimi, redaktimi dhe krijimi i përmbajtjes multimediale është një mënyrë e komunikimit sot, veçanërisht në mediat sociale. Videoja si ‘gjuhë’, e adaptuar për të arritur te shumë njerëz, veçanërisht tek të rinjtë, mund të jetë një mjet i shkëlqyeshëm për institucionet e Kosovës që të kontaktojnë me publikun, t'i informojnë ata dhe të bëhen më transparentë në punën e tyre”.

Valon Canhasi, trajnues për menaxhimin e mediave sociale, theksoi: “80% e popullatës së Kosovës i përdor mediat sociale çdo ditë. Institucionet e sundimit të ligjit mund ta përdorin këtë lloj trajnimi për të mësuar se si të mbledhin të dhëna për atë se kush është i lidhur në internet dhe çfarë kanale përdorin ata për t'u informuar, duke e optimizuar kështu mënyrën se si komunikojnë me publikun përmes mediave sociale".

Për ta siguruar vazhdimësinë e zbatimit të njohurive të marra gjatë këtij kursit të trajnimit, EULEX-i dhuroi pajisje profesionale të gazetarisë mobile për të gjitha institucionet pjesëmarrëse.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, theksoi se ky kurs trajnimi i mbajtur nga trajnerë me shumë përvojë ishte shumë i rëndësishëm dhe shumë i nevojshëm. "Kjo do t'i ndihmojë institucionet tona që ta përparojnë mënyrën se si ne komunikojmë përmes mediave sociale, si një mjet i përparuar i komunikimit të dyanshëm. Njohuritë e marra përmes këtij trajnimi do të na mundësojnë të jemi më proaktivë në botën e mediave sociale dhe gjithashtu ta praktikojmë artin e gazetarisë mobile për t’i arritur qëllimet tona të komunikimit", - tha Kelani, i cili gjithashtu e  falënderoi EULEX-in për kursin e trajnimit dhe pajisjet e dhuruara.

Zyrtarët dhe zëdhënësit për shtypit të prokurorive dhe gjykatave gjithashtu vunë në dukje se ky kurs trajnimi praktik do të sjellë deri tek përmirësimi i perceptimit të opinionit publik të institucioneve të sundimit të ligjit. "Ky kurs i trajnimit ishte shumë i dobishëm pasi fituam aftësi dhe njohuri të reja se si t’i përforcojmë kapacitetet profesionale të sektorit të komunikimit në sistemin prokurorial, ta rrisim transparencën dhe besimin në mesin e opinionit tonë publik", - tha Ekrem Lutfiu, ushtrues detyre i Shefit të Zyrës për Informim Publik në Prokurorinë Speciale të Kosovës - PSRK.

Ky kurs trajnimi për kronikat vizuale dhe gazetarinë mobile si dhe ushtrimet praktike rezultuan gjithashtu me rezultate të prekshme, përkatësisht me video aktuale dhe produkte dixhitale të cilat i prodhuan vetë pjesëmarrësit.