Mandati

Mandati

Mandati

EULEX-i e zbaton mandatin përmes Komponentit për Drejtësi dhe Shërbime Korrektuese dhe Komponentit për Informata dhe Operacione Policore.

Në kuadër të Komponentit për Drejtësi dhe Shërbime Korrektuese, Njësia për Monitorimin e Rasteve kryen monitorim të paanshëm dhe të thuktë të rasteve të caktuara, i cili e mbulon tërë zinxhirin e drejtësisë penale, si dhe të rasteve të drejtësisë civile për çështje të pronave dhe privatizimit, me fokus të posaçëm në monitorimin e rasteve që kanë ndjeshmëri politike, rasteve të natyrës me ndjeshmëri ndëretnike, rasteve të dhunës seksuale dhe në baza gjinore (DHSBGJ), apo të aspekteve të tjera të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe pretendimet për shkelje nga ana e policisë.

Njësia për Monitorimin e Rasteve po ashtu i përqendron aktivitetet e saj të monitorimit në rastet e caktuara të cilat janë trajtuar nga EULEX-i gjatë mandatit ekzekutiv që ka përfunduar në mes të qershorit 2018 e që më pastaj i janë dorëzuar gjyqësorit vendas.

Përmes aktiviteteve të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit nga Njësia Korrektuese e tij, Komponenti për Drejtësi dhe Shërbime Korrektuese monitoron dhe mbështetë Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) për konsolidimin e një ekipi drejtues profesional dhe ndihmon në ndërtimin e kapaciteteve për ofrimin e rehabilitimit të burgosurve dhe luftimin e ndërhyrjeve dhe trajtimit preferencial të burgosurve. Njësia Korrektuese e EULEX-it po ashtu i ndihmon Shërbimit Sprovues të Kosovës (SHSK) për zhvillimin e një qasjeje të strukturuar për rehabilitimin e të dënuarve me kusht me fokusim në parandalimin e përsëritjes së veprave.

EULEX-i ofron mbështetje në teren për SHKK-në dhe SHSK-në përmes pranisë së vazhduar të stafit të EULEX-it në institucionet korrektuese dhe zyrat rajonale të shërbimit sprovues, me qëllim të monitorimit të trajtimit të burgosurve dhe të burgosurve me kusht të cilët janë të cenueshëm dhe të profilit të lartë, kryesisht nga komunitetet jo-shumicë.

Që nga krijimi i tij, Misioni e mbështet kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur përmes Ekipit të tij të Mjekësisë Ligjore.

Në mënyrë që pjesëtarët e familjeve të personave të zhdukur ta realizojnë të drejtën e tyre për ta ditur të vërtetën, ekspertët mjeko-ligjorë të EULEX-it vazhdojnë të punojnë krah për krah me homologët e tyre vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe institucione të tjera përkatëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke ofruar ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varrezave të mundshme klandestine dhe zhvarrimin dhe identifikimin e viktimave nga konflikti i Kosovës.

Funksionet operacionale ndërmerren nga Komponentit për Informata dhe Operacione Policore, i cili ka kapacitet të mbetur të kufizuar si reagues i dytë i Kosovës në fushën e sigurisë përmes Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të Misionit, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse Misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është reaguesi i tretë i sigurisë.

EULEX-i gjithashtu e mbështetë Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar përmes lehtësimit të shkëmbimit të informatave policore në mes të Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europol-it apo Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Përmes Njësisë së Këshilltarëve Policorë, Misioni e monitoron dhe këshillon Drejtorinë Rajonale Veri të Policisë së Kosovës dhe katër stacioneve policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore në komunitet dhe me qëllim të ndërtimit të besimit në mesin e popullatës dhe për promovimin e stabilitetit.

EULEX-i vazhdon të ofrojë mbështetje teknike për zbatimin e marrëveshjeve përkatëse nga Dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Misioni gjithashtu i ndihmon Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës duke u ofruar mbështetje logjistike dhe operacionale në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës.

E fundit, por jo për nga rëndësia, Misioni vazhdon ta menaxhojë programin e tij për mbrojtjen e dëshmitarëve.