Lajme

EULEX-i e prezanton Raportin e tij të pestë publik të Monitorimit të Drejtësisë, përfshirë gjetjet dhe rekomandimet për forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë

19 nëntor

Më 19 nëntor 2025, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e prezantoi Raportin e tij të pestë publik të Monitorimit të Drejtësisë, përfshirë gjetjet dhe rekomandimet.

Bazuar në monitorimin e gjerë të rreth 400 rasteve, të plotësuar me intervista, analizë të dhënave dhe angazhim të ngushtë me policinë, prokurorinë, gjyqësorin, avokatët dhe shoqërinë civile, raporti e thekson progresin e arritur, krahas fushave ku nevojiten përpjekje shtesë për ta nxitur përafrimin e mëtejshëm me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut, sigurinë ligjore dhe besimin e publikut në institucionet e drejtësisë.

Në fjalën përshëndetëse të tij, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, i falënderoi homologët e Misionit për Sundimin e Ligjit për bashkëpunimin dhe transparencën e tyre, duke theksuar se raporti e pasqyron vizionin më të gjerë të BE-së, ku pronësia vendase është themeli për reforma të qëndrueshme dhe e ripohoi përkushtimin e EULEX-it për ta mbështetur Kosovën, institucionet dhe qytetarët e saj.

Duke mbajtur një fjalim në emër të Ministrit të Drejtësisë në detyrë Sallahu, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, theksoi se raporti përbën një mjet të rëndësishëm dhe në kohën e duhur për t’i udhëhequr më tej reformat në drejtësi, duke e ripohuar përkushtimin e Kosovës drejt një sistemi drejtësie të pavarur, profesional, të përgjegjshëm dhe efikas.

Duke komentuar mbi gjetjet kryesore të paraqitura nga Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, përfaqësuesit nga zinxhiri i drejtësisë penale e pranuan rëndësinë e raportit si një udhërrëfyes i besueshëm dhe i bazuar në fakte për t’i identifikuar boshllëqet dhe për të ofruar rekomandime për një ndarje efektive të drejtësisë dhe të bazuar në të drejtat e njeriut.

Në veçanti, Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, i vlerësoi gjetjet e raportit, duke konfirmuar se ato trajtohen seriozisht dhe shërbejnë për përmirësimin dhe forcimin e funksionimit të gjyqësorit. Kryetari Rexhepi theksoi se harmonizimi i politikës penale është një nga prioritetet e Gjykatës Supreme dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Kryeprokurori i Shtetit në detyrë, Besim Kelmendi, e mirëpriti raportin dhe rekomandimet e tij si një mjet për ta përmirësuar punën prokuroriale, duke i theksuar si sfida kryesore numrin e prokurorëve në raport me numrin e seancave gjyqësore, si dhe nevojat buxhetore.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, konfirmoi se gjyqësori i ka identifikuar gjithashtu disa nga gjetjet e paraqitura në raportin e EULEX-it, duke theksuar aktualitetin e tij, pasi raporti po vjen në një kohë kur KGJK-ja është duke e diskutuar në suaza të brendshme reformën për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve, ndërsa është duke e hartuar edhe kodin e ri të etikës për gjyqtarët. Zogaj konfirmoi sinqeritetin dhe gatishmërinë e plotë të KGJK-së për të bashkëpunuar me EULEX-in në adresimin e rekomandimeve brenda sistemit gjyqësor përmes planifikimit në kuadër të KGJK-së, në Gjykatën Supreme dhe gjithashtu me gjykatat themelore.

Prokurori i Shtetit dhe anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Milot Krasniqi, theksoi nevojën për t'iu përgjigjur sfidave të shumta të theksuara në raport përmes një qasjeje të përbashkët brenda të gjithë zinxhirit të drejtësisë penale, duke përfshirë të gjithë aktorët e ndryshëm.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Janković, falënderoi Misionin për përgatitjen e raportit, duke siguruar se ai gjithmonë është konsideruar si një mjet me cilësi të lartë dhe objektiv për ta mbështetur efikasitetin dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës përmes përgatitjes së dokumenteve strategjike, planeve të veprimit dhe procedurave standarde operative.

Aktiviteti vazhdoi me një bashkëbisedim të moderuar nga Zëvendës-Shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, gjatë të cilit pjesëmarrësit shkëmbyen vlerësime mbi angazhimet e nevojshme për ta siguruar zbatimin e saktë, të qëndrueshëm dhe të drejtë të kornizës ligjore në fusha të ndryshme, duke përfshirë dhunën në baza gjinore, me një fokus të fuqishëm në drejtësinë miqësore për fëmijët, duke e theksuar nevojën për rritje të koordinimit dhe sinergjive jo vetëm brenda sistemit të drejtësisë, por edhe në mes të shërbimeve sociale, shkollave, familjeve dhe shoqërisë civile.

Lexoni raportin këtu.