Lajme

EULEX-i e përkujton Audrius Šenavičiusin 13 vjet pas vdekjes tragjike të tij

19 shtator

Më 19 shtator 2026, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) përkujtoi 13-vjetorin e vdekjes tragjike të doganierit lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius, i cili u vra në krye të detyrës më 19 shtator 2013.

Edhe trembëdhjetë vjet më vonë, kujtimi për Audriusin mbetet i gjallë, prandaj për ta nderuar kujtimin dhe sakrificën e tij, Misioni organizoi një ceremoni të vendosjes së kurorave me lule në vendin përkujtimor ku u sulmua automjeti i Audriusit.

Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Shefja e Zyrës së Ambasadës së Republikës së Lituanisë në Shkup, Sh.S. Vilma Dambrauskienė, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës për Resurse, Dejan Janković, si dhe Zëvendësdrejtori Rajonal për Veri/Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit Rajonal për Veri, Nënkolonel Veton Elshani, iu bashkuan Shefit të Misionit EULEX, Antero Lopes, dhe pjesëtarëve të tjerë të Misionit për t’i bërë nderime Audriusit, i cili humbi jetën duke e mbështetur sundimin e ligjit në Kosovë.

“Me përulësi ju drejtohem pikërisht në vendin ku 13 vjet më parë u vra në krye të detyrës kolegu ynë i dashur, doganieri lituanez Audrius Šenavičius. Sot, ne e nderojmë Audriusin, i cili ishte një baba, bashkëshort, bir, mik dhe koleg i përkushtuar dhe i dashur. Me mendjet tona jemi pranë familjes dhe më të dashurve të tij, të cilët ende e ndiejnë mungesën e tij”, tha Lopes.

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, ky krim mbetet i pazbardhur edhe sot. “Hetimet janë duke vazhduar dhe ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi. Audriusi dhe familja e tij e meritojnë këtë. Edhe një herë, dua ta përsëris thirrjen e EULEX-it drejtuar çdo personi që mund të ketë informacione të cilat mund ta ndihmojnë Policinë e Kosovës në hetim, që të paraqitet. Le ta kujtojmë Audrius Šenavičius dhe sakrificën sublime që e bëri ai”, përfundoi Lopes.

Ambasadorja Dambrauskienė rikujtoi se Audriusi nuk ishte vetëm një zyrtar lituanez dhe pjesëtar i Misionit EULEX, por mbi të gjitha ishte një person që erdhi këtu për të shërbyer, për të kontribuar me njohuritë dhe përvojën e tij dhe për të ndihmuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt.

“As kalimi i kohës nuk mund ta fshijë një humbje të tillë, dhe ne qëndrojmë pranë tyre duke e kujtuar Audriusin dhe duke nderuar jetën dhe veprën e tij”, deklaroi ajo, duke e falënderuar Misionin, në emër të Ambasadës së Lituanisë, që vazhdon ta mbajë të gjallë kujtimin për Audriusin.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës për Resurse, Dejan Janković, shprehu respektin më të thellë në nderim të kujtimit për Audriusin në emër të Policisë së Kosovës. “Audriusi ishte pjesëtar i EULEX-it që u shërbente qytetarëve të Kosovës për të garantuar zbatimin e ligjit dhe sigurinë në këtë pjesë të Kosovës. Vdekja e tij ishte një humbje tragjike, jo vetëm për familjen e tij dhe popullin lituanez, por edhe për ne si Polici e Kosovës dhe për të gjithë ata që u shërbyen qytetarëve në Kosovë”, rikujtoi ai, duke theksuar se Policia e Kosovës mbetet e vendosur që autorët të sillen para drejtësisë dhe se nuk do të heqë dorë kurrë nga hetimi i këtij rasti.

Audrius Šenavičius ishte 35 vjeç kur u vra, pasi automjeti i EULEX-it me të cilin po udhëtonte u qëllua me armë zjarri nga persona të panjohur në veri të Kosovës. Ai kishte shërbyer në EULEX si doganier, kurse para se t’i bashkohej Misionit, kishte punuar në Departamentin e Doganave të Lituanisë.

EULEX-i u bën thirrje të gjithë personave që mund të kenë informacione të cilat mund ta ndihmojnë policinë, që të paraqiten. Misioni ofron një shpërblim prej 82,000 eurosh për informacione që çojnë në arrestimin dhe dënimin e autorit ose autorëve të kësaj vrasjeje. Nëse keni ndonjë informacion që mund ta ndihmojë policinë, ju lutemi kontaktoni në: +383 49 784 767 ose info@eulex-kosovo.eu.