01 qershor
Më 1 qershor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), trajtoi çështjen e mbrojtjes së të dhënave personale të fëmijëve në botën digjitale përmes tryezës së rrumbullakët me temën “Privatësia e fëmijëve dhe përgjegjësia institucionale”.
Kjo nismë mblodhi bashkë përfaqësues nga UNICEF Kosova, Ministria e Drejtësisë, Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Institucioni i Avokatit të Popullit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, të cilët diskutuan për përgjegjësitë e përbashkëta që lidhen me mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave personale, duke vënë theks të veçantë në rëndësinë e ushtrimit të kujdesit të shtuar gjatë trajtimit të informacionit që ka të bëjë me fëmijët.
Në fjalën hyrëse të saj, Zëvendës-shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, theksoi se në një epokë kur mjedisi digjital dhe inteligjenca artificiale vazhdojnë të zgjerohen, fëmijët janë bërë edhe më të ekspozuar. “Identitetet e tyre duhet të mbrohen dhe është detyra jonë t’i mbrojmë ata nga shkeljet e privatësisë së tyre dhe nga pasojat e mundshme negative që mund të rrjedhin nga këto shkelje”, tha Rakhorst.
Gjatë diskutimeve, institucionet shkëmbyen përvoja praktike, sfida dhe praktika më të mira, duke e forcuar bashkëpunimin për ruajtjen e privatësisë së fëmijëve dhe të drejtave të tyre lidhur me të dhënat personale me qëllim mbrojtjen e fëmijëve, sigurimin e një mjedisi të sigurt për ta dhe garantimin e ekzistencës së mekanizmave efektivë për parandalimin, mbrojtjen dhe rehabilitimin e fëmijëve viktima.
Ky aktivitet ishte nisma e pestë dhe e fundit e organizuar në kuadër të Projektit në shkallë të vogël të EULEX-it “Forcimi i kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë, përmirësimi i njohurive profesionale dhe harmonizimi i praktikave me standardet e BE-së në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumentet publike”.
Ky projekt, i cili u realizua me sukses nga data 29 janar deri më 1 qershor 2026, përfshiu mbi 270 pjesëmarrës nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, Agjencia Kosovare për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Akademia e Drejtësisë, Policia e Kosovës, Shërbimi Sprovues i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës së Çlirimit, Ministria e Drejtësisë, Institucioni i Avokatit të Popullit, Inspektorati Policor i Kosovës, Zyra e Avokaturës Shtetërore në Ministrisë së Drejtësisë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Bashkimi i Sindikatave të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, si dhe kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, duke ofruar një platformë mësimi për ta forcuar zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumentet publike nga sistemi i drejtësisë në Kosovë.