24 mars
Nga data 24 deri më 30 mars 2026, Njësia Korrektuese e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) mbajti sesionin e parë të një programi trajnues intensiv trejavor për menaxhmentin e mesëm dhe të lartë të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Kjo iniciativë është pjesë e fazës së tretë të projektit të ngushtë të EULEX-it “Trajnimi i ekspertëve dhe trajnimi menaxherial për drejtorët.”
Programi ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve menaxheriale përmes aftësimit të pjesëmarrësve me shkathtësi të udhëheqësisë dhe njohjes së praktikave më të mira për fuqizimin e një sistemi korrektues të Kosovës të qëndrueshëm dhe të bazuar në të drejtat e njeriut. Në veçanti, pjesëmarrësit u përqendruan në rregullat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, siç janë Rregullat minimale standarde për trajtimin e të burgosurve (“Rregullat Nelson Mandela”), Rregullat e Kombeve të Bashkuara për trajtimin e grave të burgosura dhe masat e mosburgimit për gratë kryerëse të veprave (“Rregullat e Bangkokut”) dhe Rregullat minimale standarde të Kombeve të Bashkuara për administrimin e drejtësisë për të mitur (“Rregullat e Pekinit”), si dhe në mekanizmat e brendshëm të llogaridhënies.
Gjatë fazave të mëparshme të projektit të ngushtë, EULEX-i ka mbështetur zhvillimin e një planprogrami të praktikave të përshtatura për t’u akredituar në Kosovë dhe përshtatur me standardet dhe praktikat më të mira evropiane, dhe ka trajnuar ekspertë të zgjedhur të SHKK-së për ofrimin e programeve nga vet ata, duke siguruar kështu një ndikim afatgjatë, dhe trajnim të qëndrueshëm në vend të punës.