Lajme

Së bashku mund ta transformojmë sensibilizimin mbi dhunën në internet ndaj grave dhe vajzave në veprime konkrete: EULEX-i shënon Fushatën 16 Ditët e Aktivizmit në Kosovë

11 dhjetor

Më 25 nëntor 2025, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) shënoi Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe e filloi fushatën “16 Ditët e Aktivizmi kundër Dhunës në Baza Gjinore”.

Këtë vit, fushata u përqendrua në një nga format e dhunës me rritjen më të shpejtë: dhunën në internet ndaj grave dhe vajzave.

Misioni e filloi programin e tij intensiv të aktiviteteve duke iu bashkuar fushatës së Familjes së BE-së për të qëndruar të bashkuar për t'i dhënë fund dhunës në internet përmes një video-mesazhi të Shefit të Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano: “Parandalimi fillon me sensibilizimin dhe edukimin. Secili prej nesh ka përgjegjësi që të udhëheqë me shembullin dhe të tregojë solidaritet me viktimat”.

Nxitja e bashkëpunimit ndërinstitucional për ta parandaluar dhe adresuar dhunën

Po atë ditë, Zëvendës-Shefja e Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Heidi Heggdal, kontribuoi në tryezën e diskutimit të mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe e organizuar nga Prokuroria Themelore në Pejë. Ky diskutim u përqendrua në nevojën për ta forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional përmes një qasjeje të integruar, përmirësimit të kornizës legjislative dhe funksionalizimit të mekanizmave mbrojtës për ta parandaluar dhe adresuar dhunën ndaj viktimave të cenueshme, përfshirë të miturit dhe të moshuarit.

Heggdal iu drejtua pjesëmarrësve duke iu referuar gjetjeve dhe rekomandimeve nga Raporti i Monitorimit të Drejtësisë i EULEX-it i publikuar së fundmi, duke e theksuar rëndësinë për t’i dhënë prioritet rasteve të dhunës në familje, përmirësimit të qasjes së përshtatshme ndaj fëmijëve dhe shmangien e ri-viktimizimit përmes përdorimit të pajisjeve për video incizim gjatë intervistimit të viktimave.

Më 26 nëntor, së bashku me OJQ-në vendase Assist Kosovo, Misioni mbajti një takim me shumë palë të interesuara “Zërat e Kosovës kundër të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave”, ku u mblodhën Policia e Kosovës, prokurorë, udhëheqës fetarë, avokatë, sipërmarrës, profesionistë të shëndetësisë, aktivistë të shoqërisë civile, pjesëtarë të komunitetit dhe partnerë ndërkombëtarë.

Konventa e Stambollit dhe CEDAW na kujtojnë se sensibilizimi, qasja efektive shumë-sektoriale dhe angazhimi aktiv janë detyrime, jo opsione.

Diskutuesit trajtuan forma të ndryshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave, nga dhuna në familje, duke përfshirë dhunën psikologjike dhe ekonomike, deri te dhuna seksuale dhe në internet dhe ngacmimi kibernetik. Të gjithë ata u mblodhën mbi nevojën për t'i shndërruar ligjet ekzistuese në mbrojtje të mirëfilltë të grave dhe vajzave, si dhe për t’i ndryshuar normat kulturore, duke promovuar njëkohësisht një qasje të përqendruar te viktima .

Të gjithë diskutuesit ishin të një mendimi sa i përket mesazhit se: Dhuna ndaj grave dhe vajzave na shqetëson të gjithëve. Ajo nuk është një çështje private, por shoqërore, kurse përgjegjësia për ta parandaluar dhe për t'i dhënë fund kësaj dhune është kolektive – për këtë nuk mund të ketë kompromis.

Promovimi i pjesëmarrjes kuptimplote të grave në jetën publike

Më 27 nëntor, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian në Kosovë dhe partnerin tonë Assist Kosovo, EULEX-i lehtësoi një bashkëbisedim me gratë në jetën publike: një ish-ministre, deputete të Kuvendit, anëtare të kuvendeve komunale, kandidate për postin e Kryetarit të Komunës, gazetare dhe përfaqësuese të Agjencisë së Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

Të gjithë diskutuesit ndanë përvojat e tyre personale rreth sfidave të përbashkëta me të cilat përballen, duke përfshirë përballjen me komente degraduese të organizuara strategjikisht dhe komente mizogjine të përdora nga opinioni i gjerë. Ata ranë dakord se asnjë nga format e gjuhës së urrejtjes nuk është e pranueshme, ato duhet të njihen, raportohen dhe adresohen.

Diskutuesit gjithashtu folën për mungesën e mbështetjes që rrjedh nga normat kulturore patriarkale, duke përfshirë ato brenda partive politike, shoqërisë dhe mediave sociale, të cilat e pengojnë barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e grave në jetën shoqërore dhe politike. Duke pasur parasysh se pjesëmarrja kuptimplote e grave në jetën publike është një element i pazëvendësueshëm i paqes së qëndrueshme, diskutimi përfundoi me një pajtueshmëri të përbashkët mbi nevojën për zbatim të plotë të kornizës ligjore ekzistuese, mbrojtje të fortë ligjore dhe mekanizma mbështetës për gratë në jetën publike, si dhe llogaridhënie institucionale dhe mediatike.

Fuqizimi i të rinjve

Të rinjtë nuk janë vetëm më aktivët në internet, por janë edhe agjentët më të fuqishëm të ndryshimeve. Kur janë të informuar dhe të fuqizuar, ata mund t’i sfidojnë normat e dëmshme, t’i mbrojnë viktimat dhe të ndihmojnë në ndërtimin e komuniteteve më të sigurta në internet dhe më të respektueshme për të gjithë.

Me mbështetjen e partnerëve tanë të shoqërisë civile, angazhimet tona për komunikim dhe rritje të sensibilizimit për t’i fuqizuar të rinjtë që të ngrihen kundër dhunës në internet vazhduan:

Më 1 dhe 8 dhjetor, me Assist Kosovo, ne organizuam dy diskutime informuese me nxënës të Shkollës së Mesme Teknike "Nexhmedin Nixha" në Gjakovë dhe Shkolla e Mesme "Haxhi Zeka" në Istog mbi mënyrën e parandalimit dhe luftimit të dhunës në internet.

Përmes debateve të hapura dhe punëtorive interaktive me Policinë e Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ne i inkurajuam nxënësit që të reflektojnë mbi ndikimin e sjelljes së dëmshme në internet, një formë në rritje e abuzimit që ndikon në sigurinë, dinjitetin dhe pjesëmarrjen e barabartë në hapësirat digjitale, si dhe ta kuptojnë se si bashkëndjesia, përgjegjësia dhe sensibilizimi mund ta parandalojnë atë para se të fillojë.

Më 2 dhe 5 dhjetor, në bashkëpunim me Assist Kosovo dhe NVO Zensko Pravo, ne organizuam dy forume rinore në Prishtinë dhe në Mitrovicën Veriore me studentë të universitetit dhe nxënës të shkollës së mesme, me qëllim që t'i aftësojmë ata për t’i kundërshtuar dhe parandaluar format digjitale të dhunës në baza gjinore, duke qenë në gjendje që ta dallojnë, ta sfidojnë dhe ta raportojnë atë.

Gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Themelore të Prishtinës, psikologë klinikë dhe organizata të shoqërisë civile, studentët dhe nxënësit analizuan pasojat e urrejtjes në internet në jetën reale dhe përgjegjësinë e përbashkët të individëve, komuniteteve, institucioneve dhe platformave digjitale për adresimin e saj.

Avokimi për të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin

Më 6 dhjetor, Zëvendës-Shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, përcolli mesazhin se e drejta për t'u pranuar dhe për të marrë shërbime si i mbijetuar i dhunës seksuale të lidhur me konfliktin duhet të sigurohet pavarësisht afateve kohore. Ajo iu bashkua marshit sensibilizues të organizuar nga KRCT - Qendra për Rehabilitimn e Viktimave të Torturës në Kosovë: një shprehje e fuqishme e respektit dhe mbështetjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin në Kosovë.

Bashkëpunimi me partnerët për të çuar përpara Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS)

Më 10 dhjetor, në përmbyllje të fushatës dhe duke e shënuar Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, Këshilltarja për Çështje Gjinore e EULEX-it, Chiara Tagliani, mori pjesë në një takim reflektimi të Shoqërisë Civile të organizuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), duke shënuar 25-vjetorin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS), ndërkohë që simbolizoi mbylljen zyrtare të fushatës. Ky dialog strategjik bashkoi udhëheqëse gra nga institucione, ndërtuese të paqes dhe avokate të drejtave të njeriut nga e gjithë Kosova për të reflektuar mbi evolucionin e GPS-së dhe për ta përforcuar avokimin kolektiv për t'i dhënë fund të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Në fundi, Këshilltarja për Çështje Gjinore e Misionit, Chiara Tagliani, mori pjesë në një video ndërgjegjësuese të zhvilluar nga Komuna e Shtimes, si pjesë e fushatës së tyre për 16 Ditë të Aktivizëm. Videoja kishte për qëllim ngritjen e vetësijësimit dhe promovimin e një përgjigjeje ndërinstitucionale kundër të gjitha formave të dhunës, me fokus të veçantë në dhunën me bazë gjinore.

EULEX-i vazhdon të punojë me institucionet e Kosovës, shoqërinë civile dhe partnerët për parandalimin, mbrojtjen dhe ndjekjen penale të dhunës, ngacmimit dhe diskriminimit ndaj grave, si në shoqëri në përgjithësi, në hapësirën digjitale, por po ashtu edhe në jetën politike.