12 nëntor
Më 11 nëntor 2025, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës, organizoi një forum diskutimi të nivelit të lartë me temë “Nga Rezoluta në veprim: 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”, për të shënuar 25 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe lansimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Në hapje të forumit, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu theksoi se si ky përvjetor është një dëshmi e një kapitulli të tërë rezistence, vizioni dhe transformimi të një sistemi të tërë vlerash në këtë sektor, duke i lidhur gratë me vlerat e paqes dhe misionin për ta forcuar dhe garantuar sigurinë.
Duke kujtuar se mbrojtja e paqes, ligjit, barazisë dhe të drejtave të njeriut janë parime kryesore pas angazhimit të Kosovës për zbatimin e kësaj Agjende, Presidentja Osmani kujtoi se: “Progresi i arritur nuk duhet të na kënaqë, pasi ende mbeten sfida; veçanërisht në arritjen e përfaqësimit të barabartë në pozita të larta drejtuese. Vetëm duke i larguar pengesat për pjesëmarrjen e grave, mund të sigurojmë praninë e grave në vendimmarrje në fushën e sigurisë, bazuar në meritokraci”.

Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, bëri thirrje për një njohje kolektive të rolit të domosdoshëm të grave që shërbejnë në polici dhe shërbimet korrektuese, duke theksuar se si prania e tyre e transformon mënyrën se si ofrohet drejtësia dhe siguria.
“Kur gratë shërbejnë në këto role të rëndësishme, paqja forcohet nga brenda, bazuar në drejtësi dhe qëndrueshmëri”, deklaroi Barbano, duke kujtuar se si përgjatë viteve EULEX-i e ka mbështetur me vendosmëri pjesëmarrjen e grave në sektorin e sigurisë së Kosovës, mbajtjen dhe zhvillimin e tyre profesional, si dhe avancimin e tyre në pozita drejtuese.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ripohoi përkushtimin e Policisë së Kosovës për ta mbështetur vazhdimisht rolin e grave, përfshirë në pozita udhëheqëse, si element thelbësor për zhvillimin profesional të këtij Institucioni. “Përkushtimi i grave në Policinë e Kosovës dëshmon se Kosova ka një zë të fortë në zbatimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, tha Hoxha, duke shtuar se vendosja e grave në qendër të paqes, sigurisë dhe vendimmarrjes është jetike për stabilitet të qëndrueshëm .

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, theksoi qasjen e sistemit korrektues të Kosovës që i përgjigjet çështjeve gjinore, duke kujtuar se, brenda SHKK-së, ekzistojnë disa departamente në nivele të ndryshme organizative që udhëhiqen nga gratë. Ai përfundoi se: “Gratë luajnë një rol vendimtar në promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe në promovimin e një trajtimi dinjitoz dhe njerëzor brenda institucioneve korrektuese”.

Udhëheqësja e Divizionit për Trajnime në Policinë e Kosovës, Major Tahire Haxholli, e theksoi rëndësinë e shënimit të kësaj dite për t’i përgëzuar gratë si kontribuese kyçe për paqen dhe sigurinë. Ajo e theksoi progresin e bërë në ndryshimin e perceptimeve rreth rolit të grave në institucionet e sigurisë, duke njohur profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tyre. Major Haxholli gjithashtu nënvizoi rolin e Rezolutës 1325 të OKB-së dhe agjendës së barazisë gjinore në avancimin e pozitave të grave brenda Policisë së Kosovës dhe forcimin e kapaciteteve të tyre udhëheqëse.
Gjatë diskutimit në panel, Kolonel Afërdita Mikullovci, Drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën Jugore, reflektoi mbi rëndësinë e krijimit të shoqatave si platforma për t’i mbështetur dhe fuqizuar gratë në sektorin e sigurisë. Ajo shpjegoi se Shoqata e Grave në Policinë e Kosovës ka qenë thelbësore në ndërtimin e kapaciteteve, zhvillimin profesional dhe avokimin për barazi gjinore.
Kolonel Mikullovci kujtoi se, me mbështetjen e menaxhmentit të Policisë së Kosovës dhe partnerëve si EULEX-i, Shoqata është rritur me kalimin e viteve dhe arritjet e anëtarëve të saj janë njohur si në nivel lokal ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë. Shoqata gjithashtu ka luajtur një rol jetësor në promovimin e kushteve të punës që i përgjigjen përkatësisë gjinore brenda policisë, të cilat do të rrisnin rekrutimin dhe mbajtjen e zyrtareve policore femra. Kjo ka përfshirë edhe nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi me ofruesit e kujdesit shëndetësor në Kosovë dhe rritjen e ndërgjegjësimit shëndetësor në mesin e zyrtarëve policorë.

Kryetarja e Shoqatës së Grave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Hasa Gucati, foli për rolin jetësor të Shoqatës në përforcimin e zërave të grave brenda sistemit korrektues. Ajo vuri në dukje rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me Shoqatën e Policisë së Kosovës për t’i mbështetur gratë në të gjitha institucionet e sigurisë dhe për ta rritur kontributin e tyre për paqe dhe siguri.

Drejtoresha e Qendrës së Paraburgimit në Pejë, Ardita Blakaj, ndau njohuritë e saj mbi zhvillimin e karrierës për gratë brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ajo pranoi se ka sfida me të cilat përballen gratë në avancimin në role vendimmarrëse, por gjithashtu theksoi se, me mbështetje të fortë nga menaxhmenti dhe partnerët ndërkombëtarë, progresi është i dukshëm dhe kontributet e grave po njihen gjithnjë e më shumë, duke dëshmuar se uniteti dhe mbështetja e ndërsjellë mund të nxisin ndryshime institucionale.

Kryetari i Komisionit për Ankesa i Policisë së Kosovës, Kolonel Ahmet Nuredini, foli për rolin thelbësor të burrave në avancimin e zbatimit të agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurisë. Ai nënvizoi se barazia gjinore nuk është vetëm një çështje e grave, por një forcë kolektive që fillon nga brenda familjeve dhe komuniteteve, dhe shtrihet në institucione. Ai theksoi nevojën për angazhim nga të gjitha nivelet për të siguruar respekt të ndërsjellë, trajtim të barabartë dhe udhëheqje gjithëpërfshirëse.

Pasi u dëgjuan histori frymëzuese të ndara nga disa zyrtare policore dhe oficere korrektuese femra, Forumi përfundoi me fjalimin e Velime Brestovcit, Koordinatore e Shoqatës së Grave në Policinë e Kosovës. e cila shprehu mirënjohje ndaj EULEX-it për partneritetin dhe mbështetjen e tij të gjatë. Ajo reflektoi mbi progresin e arritur që nga miratimi i Rezolutës 1325 të OKB-së, duke vënë në dukje se gratë në uniformë simbolizojnë forcën, qëndrueshmërinë dhe shpresën. Brestovci theksoi nevojën për një angazhim të unifikuar për ndërtimin e besimit, barazisë dhe mundësive në të gjitha institucionet për gratë në uniformë.

Që nga viti 2013, EULEX-i e ka mbështetur pjesëmarrjen, lidershipin dhe zhvillimin profesional të grave në sektorin e sigurisë, duke përfshirë themelimin e shoqatave të grave në Policinë e Kosovës dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës, të cilat veprojnë si platforma jetike që i fuqizojnë, udhëzojnë dhe frymëzojnë gratë për paqen dhe sigurinë.
Gratë nuk janë vetëm pjesë e paqes dhe sigurisë, por ato edhe e formësojnë atë.