25 shtator
Më 25 shtator 2025, Shefja e Ekipit të Mjekësisë Ligjore të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Luisa Marinho, dhe Këshilltarja për të Drejtat e Njeriut në EULEX, Valentina Vitali, kontribuan në diskutimin e tryezës së rrumbullakët “Rrugët drejt zgjidhjes përfundimtare: familjet dhe shoqëritë përballë trashëgimisë së të zhdukurve”, të organizuar nga OJQ Aktiv, Pro Peace Kosovo dhe Qendra Burimore për Personat e Zhdukur në Qendrën për Energji Qytetare në Mitrovicën e Veriut, për t’i adresuar sfidat dhe për ta nderuar kujtimin e personave të zhdukur lidhur me konfliktin në Kosovë.
Në këtë tryezë të rrumbullakët u bënë bashkë familjet e personave të zhdukur, shoqëria civile, përfaqësuesit e institucioneve dhe EULEX-i për t’i diskutuar angazhimet aktuale, imperativin humanitar, si dhe mënyrat për ta forcuar bashkëpunimin ndërmjet palëve të interesuara me qëllim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
Përfaqësuesit e EULEX-it e theksuan përkushtimin e Misionit për t’i mbështetur institucionet në garantimin e të drejtës së familjeve të personave të zhdukur për ta ditur të vërtetën dhe e sqaruan ekspertizën e madhe mjeko-ligjore të EULEX-it, përkatësisht kapacitetet antropologjike, arkeologjike dhe analitike, të ofruar për Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës për t’i kërkuar dhe identifikuar personat e zhdukur.
Duke i vënë në pah vështirësitë e kësaj pune të pandalshme, Marinho deklaroi: “Në procesin e kërkimit dhe identifikimit ekzistojnë shumë sfida. Pas kaq shumë vitesh, kujtesa e dëshmitarëve është zbehur dhe situata në terren ka ndryshuar për shkak të erozionit, ndërtimeve mbi lokacionet potenciale dhe shumë faktorëve të tjerë. Këto rrethana e bëjnë punën tonë shumë të vështirë. Megjithatë, ne e kemi kapacitetin për të vazhduar, ndërsa dhimbja e familjeve na jep edhe më shumë vendosmëri në përpjekjet tona për t’u dhënë atyre përgjigje”.
Mbi 1,590 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur. Familjet e të zhdukurve dhe përfaqësues të OJQ-ve theksuan se më shumë se 25 vjet pas konfliktit, mijëra të afërm vazhdojnë të jetojnë me pasiguri, dhimbje dhe pyetje pa përgjigje. Ata e theksuan nevojën urgjente për t’i dhënë prioritet kësaj çështjeje, për t’i forcuar mekanizmat ekzistues dhe për të krijuar mekanizma të rinj që do ta përshpejtonin progresin.