19 shtator
Më 19 shtator 2025, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)
nderoi kujtimin për Audrius Šenavičius, Doganier nga Lituania në EULEX, i cili u vra
tragjikisht në krye të detyrës më 19 shtator 2013.
Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, u shoqërua nga Ambasadorja e Posaçme
dhe Shefja e Zyrës së Ambasadës së Republikës së Lituanisë në Shkup, Vilma
Dambrauskienė, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Fehmi Hoti
dhe Zëvendës Drejtori Rajonal për Veri/Ushtrues Detyre i Drejtorit Rajonal për Veri,
Nënkolonel Veton Eleshani për ta nderuar përkushtimin dhe sakrificën e Šenavičius-it.
“Me mendje jemi pranë familjes dhe të dashurve e tij, të cilët janë të pikëlluar nga kjo humbje
tragjike. Dhimbja e tyre dhe e jona rëndohet nga fakti që ky krim mbetet ende i pazgjidhur:
kushdo që i mori jetën Audrius-it, akoma nuk ka dhënë përgjegjësi. Ne kurrë nuk do të
ndalemi së kërkuari drejtësi!” – tha Barbano.
Ambasadorja Dambrauskienė e kujtoi duke thënë: “Audrius-i i kushtoi jetën e tij shërbimit,
sundimit të ligjit dhe vlerave që na bashkojnë në familjen evropiane. Në emër të Ambasadës
së Lituanisë, i falënderoj EULEX-in dhe Policinë e Kosovës që e mbajnë të gjallë kujtimin për
të, si dhe për angazhimin e vazhdueshëm për t’i sjellë autorët para drejtësisë. Lituania kurrë
nuk do ta harrojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e Audrius-it. Le të jetë trashëgimia e
tij frymëzim për ne që të vazhdojmë të punojmë së bashku për paqe, drejtësi dhe sundim të
ligjit”.
“Në mendjen time ende i kam të freskëta kujtimet e kësaj ngjarjeje tragjike. Në emër të
Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sundimit të ligjit, zotohem se nuk do të ndalemi
asnjëherë deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”, theksoi Kolonel Hoti.
EULEX-i i bën thirrje secilit person që mund të kenë informacione të cilat mund ta ndihmojnë
policinë që të paraqiten. Misioni ofron një shpërblim prej 82,000 eurosh për informata që
ndihmojnë në arrestimin dhe dënimin e autorit ose autorëve të kësaj vrasjeje.
Nëse keni ndonjë informatë që mund ta ndihmojë policinë, ju lutemi të kontaktoni në: +383 49 784 767 ose
info@eulex-kosovo.eu.