Lajme

Shefi i Misionit EULEX vizitoi Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë dhe Burgun e Sigurisë së Lartë

10 shtator

Njësia Korrektuese e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka mandat që të monitorojë, mentorojë dhe këshillojë Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) mbi mënyrën më të mirë për t’i adresuar nevojat specifike dhe për t’i garantuar të drejtat e të gjithë të burgosurve, duke përmirësuar kështu rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre, pa diskriminim apo ndërhyrje politike. Si pjesë e këtij angazhimi, më 10 shtator 2025, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, vizitoi Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë dhe Burgun e Sigurisë së Lartë në Podujevë.

Në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, Barbano u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, Salih Ademi, dhe Ushtruesin e Detyrës së Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, Besar Gashi. Ky takim ofroi mundësi për të diskutuar gjendjen aktuale të këtij institucioni, si dhe sfidat me të cilat po përballet ai. Drejtorët shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen e vazhdueshme të EULEX-it, e cila ka qenë vendimtare për përmirësimin e kushteve për të burgosurit.

Shefi i Misionit EULEX e përsëriti angazhimin e ekspertëve të Misionit në avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë përmes mbështetjes së SHKK-së dhe theksoi se Misioni ndjehet krenar për përparimin e arritur nga sistemi korrektues i Kosovës, duke nënvizuar se këto arritje i pasqyrojnë angazhimet e përbashkëta në ofrimin e shërbimeve të orientuara drejt rehabilitimit.

Gjatë vizitës së tij, Barbano inspektoi disa njësi të qendrës së paraburgimit, përfshirë qendrën e operacioneve, njësinë për vlerësimin dhe klasifikimin e të burgosurve dhe njësinë për përcjelljen e ë burgosurve. Udhëheqësit e këtyre njësive theksuan se si ekspertiza dhe praktikat më të mira të ofruara nga EULEX-i i kanë ndihmuar ata në forcimin e punës së tyre ndër vite.

Në Burgun e Sigurisë së Lartë, Shefi i Misionit u shoqërua nga Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, dhe Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Burgut, Rasim Selmani. Sallahu shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen afatgjatë të EULEX-it për SHKK-në dhe kontributin e tij në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit paraqiti një pasqyrë të gjendjes aktuale të burgut, sfidave të vazhdueshme, programeve të rehabilitimit, kapaciteteve të disponueshme dhe planeve për zhvillim të ardhshëm. Barbano pati gjithashtu mundësinë të vizitojë ambientet e burgut, duke përfituar një pasqyrë të drejtpërdrejtë mbi funksionimin e tij dhe shërbimet e ofruara për të siguruar mirëqenien dhe trajtimin e drejtë të gjithë të burgosurve.