09 qershor
Kur kaloni pranë selisë së Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), nuk mund të mos ju bjerë në sy një valë vizuale blu që flet për të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe sundimin e ligjit.
Në fillim të muajit qershor 2025, muri i jashtëm i Kompleksit për Operacione dhe Mbështetje i Misionit u shndërrua në një kanavacë për intervenime artistike me qëllim që ta tërheqë vëmendjen e qytetarëve për vlerat dhe parimet themelore që i përfaqëson Misioni gjatë zbatimit të mandatit të tij.
Për ta nxitur angazhimin e komunitetit, muralet u pikturuan nga 5 artistë ndërkombëtarë nga Belgjika, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Mbretëria e Bashkuar, nën kujdesin e OJQ-së “Q'Art – Qendra për Zhvillimin e Artit” me seli në Prishtinë, një grup entuziastësh dhe vullnetarësh të artit që punojnë për ta përmirësuar peizazhin urban në mënyrë të qëndrueshme, duke besuar në ndikimin pozitiv të artit në jetën shoqërore.
Për gati dhjetë ditë pune, artistët shndërruan mbi 600 metra katrorë të mureve prej betoni në vepra arti të mrekullueshme, duke paraqitur imazhe realiste, si fëmijë, fytyra grash apo peizazhe natyrore, krahas një morie mbishkrimesh, që promovojnë vlera si barazia, fuqizimi i grave apo të drejtat e fëmijëve.