Lajme

EULEX-i fasiliton kurse të gjuhës për Policinë e Kosovës në pjesën veriore të Kosovës

03 qershor

Më 3 qershor 2025, 19 zyrtarëve të Policisë së Kosovës iu ndanë certifikata nga Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, pas përfundimit me sukses të kurseve të specializuara për gjuhët shqipe, serbe, dhe angleze.

Të organizuara nga EULEX-i në partneritet me IBCM – Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë, këto kurse ishin pjesë e fazës së dytë të projektit të mbështetur nga EULEX-i “Mbështetje për Policinë e Kosovës për përmirësimin e komunikimit me popullatën lokale në pjesën veriore të Kosovës.”

Kurset, të cilat zgjatën nga marsi deri në maj 2025, shërbyen që zyrtarët policorë të përforcojnë kapacitetet e tyre për komunikim në gjuhët e komuniteteve që iu shërbejnë – siç parashihet nga korniza ligjore e Kosovës.

Kjo iniciativë pasqyron përkushtimin tonë të vazhdueshëm për përmirësimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës për angazhim dhe ndërlidhje efektive me të gjitha komunitetet, dhe për avancimin e bashkëpunimit mes zyrtarëve të përkatësive të ndryshme të cilët punojnë në pjesën veriore të Kosovës.