07 nëntor 2022
Më 2 nëntor, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Faton Peci dhe Këshilltare Kryesore për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Partneritete e Zyrës së Presidentes së Kosovës, Learta Hollaj, ndihmuan në mbjelljen e 40 fidanëve në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, e cila aktualisht strehon rreth 4000 studentë.
Ceremonia e mbjelljes së fidanëve u drejtua nga Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, i cili e falënderoi EULEX-in për mbështetjen.
“Iniciativa për kompensimin e karbonit përmes mbjelljes së fidanëve” është një projekt i përbashkët i EULEX-it dhe OJQ-së “Keep it Green” që synon ta kompensojë pjesërisht gjurmën e karbonit të Misionit dhe të kontribuojë në zbutjen e efekteve të dëmshme të shkaktuara nga ndotja e ajrit në Kosovë.
Shefi i EULEX-it rikujtoi përkushtimin e Misionit për ta mbështetur mjedisin përmes aktiviteteve të tilla, duke theksuar se si lidhet kjo me sundimin e ligjit: “Mund të mendoni: çfarë lidhje ka sundimi i ligjit dhe EULEX-i me mbjelljen e fidanëve dhe pylltarisë? Gjithçka ka të bëjë me sundimin e ligjit", tha Wigemark, duke shtuar: "Prerja e druve, pra shkatërrimi i pyjeve – natyrisht, nëse nuk keni leje për të prerë dru - është krim".
Wigemark rikujtoi gjithashtu se Iniciativa e Zyrës së Presidentes synon mbjelljen e një milion fidanëve dhe e ftoi diasporën e Kosovës që t'i bashkohet këtij zotimi: “Ju besoj keni rreth 1 milion njerëz në diasporë, kështu që, nëse secili prej tyre e mbjell një fidan, ju do ta arrini këtë qëllim shumë shpejt”.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e vlerësoi nismën duke vënë në dukje rëndësinë simbolike të saj.
“Ky aktivitet, i cili në shikim të parë mund të duket simbolik për shkak të numrit të fidanëve të mbjella, është pjesë e synimit për mbjelljen e një milion fidanëve”, tha Peci, duke shtuar: “Kjo bëhet edhe më e rëndësishme pasi ne morëm pjesë simbolikisht në mbjelljen e këtyre fidanëve brenda Kampusit Universitar. Ashtu si Kampusi është sinonim i përgatitjes së liderëve të ardhshëm të Kosovës, mbjellja e këtyre pemëve brenda kampusit simbolizon përmirësimin e mjedisit”.
“Iniciativa për kompensimin e karbonit përmes mbjelljes së fidanëve” filloi në Ditën e Tokës, më 22 prill 2022, kur Misioni mbolli 3,200 fidanë pishe në zonën e brendshme të termocentralit Kosova A në Obiliq. Më 30 maj, EULEX-i dhe “Keep it Green” mbollën fidanë në oborrin e shkollës “Naim Frashëri” në Gllogoc.
Faza përfundimtare e iniciativës parasheh mbjelljen e fidanëve tjerë në vendet e përzgjedhura për mbjellje, të cilat janë identifikuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës në përputhje me fushatën “1 milion fidanë”, të nisur nga Zyra e Presidentes së Kosovës, në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.