10 gusht 2026
Më 10 gusht 2026, z. Antero Lopes, drejtues i lartë ndërkombëtar nga Portugalia, e mori detyrën e Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
“Jam i nderuar që po marr detyrën e Shefit të EULEX-it dhe që do të udhëheq një Mision i cili, për shumë vite, ka shërbyer si partner i besueshëm dhe i paanshëm i institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë. Ekipi i larmishëm dhe profesional i EULEX-it vazhdon të jetë i përkushtuar fuqishëm për mbështetjen e një sektori të sundimit të ligjit të përgjegjshëm dhe të pavarur, i cili është thelbësor për qeverisjen demokratike, sigurinë juridike, besimin e publikut dhe stabilitetin afatgjatë, në dobi të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha Lopes.
“Duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e Kosovës, partnerët e Bashkimit Evropian dhe komunitetin e gjerë ndërkombëtar, jam i përkushtuar të siguroj që Misioni të vazhdojë të ofrojë këshillim strategjik, monitorim dhe mbështetje operative në përputhje me mandatin e tij, duke promovuar njëkohësisht qëndrueshmërinë institucionale, profesionalizmin, integritetin, respektimin e plotë të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe barazinë gjinore. Një sistem i sundimit të ligjit që është i pavarur, i paanshëm dhe i lirë nga ndikimi i papërshtatshëm politik është i domosdoshëm për mbrojtjen e institucioneve demokratike dhe avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës. Pres me kënaqësi të angazhohem nga afër me homologët tanë, t’i dëgjoj prioritetet e tyre dhe të punojmë së bashku për të arritur përparim konkret dhe të qëndrueshëm, i cili do ta forcojë më tej sundimin e ligjit dhe do të kontribuojë gjithashtu në stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, përfundoi ai.
Antero Lopes sjell me vete 40 vjet përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë pothuajse tri dekada në funksione të larta udhëheqëse në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Duke qenë se ka shërbyer për rreth gjashtë vjet në Kosovë, ai e njeh mirë kontekstin e Kosovës dhe sjell njohuri të gjera dhe përvojë praktike në diplomaci, sundimin e ligjit, qeverisjen e sektorit të sigurisë, menaxhimin e krizave, ndërmjetësimin dhe reforma institucionale.
Mandati i Antero Lopes zgjat deri më 14 qershor 2027. Ai pason Giovanni Pietro Barbano, Gjeneralmajor italian i Karabinierisë Italiane, i cili e përfundoi mandatin e tij si Shef i EULEX-it në qershor 2026.
EULEX-i u themelua në vitin 2008 si Misioni më i madh civil në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të Bashkimit Evropian.
Në qershor 2025, Këshilli e zgjati mandatin e EULEX-it deri më 14 qershor 2027, në bazë të Vendimit (CFSP) 2025/1161.