23 shtator 2025
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka forcuar
kapacitetin e tij për të kontribuar në situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë para
zgjedhjeve të ardhshme komunale, përmes dislokimit të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të
Xhandarmërisë (EUROGENDFOR), të cilët e përbëjnë Njësisë Policore të Specializuar
Rezervë (NJPSR) të EULEX-it.
Sot, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, e udhëhoqi ceremoninë zyrtare, ku
morën pjesë Ambasadorët e shteteve kontribuese në EUROGENDFOR, për t’i mirëpritur
policët shumë të specializuar dhe të aftë të EUROGENDFOR-it, të siguruar nga pesë forcat
pjesëmarrëse: Xhandarmëria Kombëtare e Francës, Karabinierët e Italisë, Xhandarmëria
Mbretërore e Holandës, Xhandarmëria Ushtarake e Polonisë dhe Garda Kombëtare
Republikane e Portugalisë.
NJPSR-ja do ta dyfishojë aftësinë operacionale të Njësisë Policore të Specializuar të
EULEX-it (NJPS), e cila sigurohet tërësisht nga Policia e Polonisë, për ta përmbushur
mandatin e Misionit për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu
edhe rolin si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe është e nevojshme.
Gjatë periudhës së dislokimit të tyre, NJPSR-ja do të kryejë patrullime të dukshme duke
rritur vetëdijesimin e Misionit për situatën dhe duke siguruar ndërveprim të plotë me NJPS-
në, si dhe me Policinë e Kosovës dhe misionin KFOR të udhëhequr nga NATO.
Duke i shprehur mirëseardhje NJPSR-së, Barbano theksoi: “Si Njësi Policore e Specializuar
Rezervë, ju mishëroni aftësinë e EULEX-it për t’u forcuar në çdo kohë dhe në çdo vend.
Forca juaj qëndron në lëvizshmërinë tuaj dhe në gatishmërinë për t’u dislokuar brenda një
kohe të shkurtër. Ju jeni forca e Misionit që mund t’i përshtatet ndryshimit të rrethanave, të
reagojë shpejt ndaj incidenteve duke e mbështetur NJPSR-në brenda mekanizmit të sigurisë
me tre nivele në Kosovë, duke siguruar që rendi publik do të ruhet: prania juaj tregon se
EULEX-i është i pajisur jo vetëm për të monitoruar dhe këshilluar, por edhe për të vepruar,
me vendosmëri dhe në mënyrë efektive, kur rrethanat e kërkojnë këtë”.
“Jam krenar të shpall sot kapacitetin tuaj të plotë operacional”, përfundoi Barbano.
Ky është dislokimi i gjashtë i NJPSR-së së EULEX-it që nga marsi i vitit 2022.
EULEX-i është Misioni civil më i madh i dislokuar ndonjëherë në kuadër të Politikës së
Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të Bashkimit Evropian. Misioni i tij i
përgjithshëm është t’i mbështesë institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë
në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe
llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare
për të drejtat e njeriut dhe praktikat më të mira evropiane, përmes aktiviteteve të monitorimit,
mentorimit dhe këshillimit.
EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tre nivele të
sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë, EULEX i dyti, kurse misioni KFOR i
udhëhequr nga NATO është i treti.
Forca Evropiane e Xhandarmërisë, e njohur edhe me akronimin EUROGENDFOR, është një
forcë evropiane e reagimit të shpejtë e përbërë nga elementë të disa forcave të
xhandarmërisë evropiane. Aktualisht ajo përbëhet nga njëmbëdhjetë shtete: shtatë vende
anëtare– Franca, Italia, Holanda, Portugalia, Spanja, Polonia dhe Rumania – një partner,
Lituania, dhe tre vëzhgues: Turqia, Moldavia dhe Ukraina. EUROGENDFOR-i është përgjegjëse për kryerjen e detyrave policore në kuadër të operacioneve të menaxhimit të krizave.