|
|
31 maj 2011
EULEX-i ishte nikoqir i mbledhjes së 21-të me radhë të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundim të Ligjit (BPBSL). Kësaj radhe Bordi ishte fokusuar në diskutimet rreth legjislacionit dhe si zakonisht u bashkdrejtua nga EULEX-i, Qeveria e Kosovës si dhe Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë (ECLO).
|
Grupi diskutoi rreth bashkëpunimit dhe avancimit të projektligjit mbi mbrojtjen e dëshmitarëve, draftit të kodit penal, përgatitjeve për një ligj anti-mafia si dhe për implementimin e mëtejmë të ligjit mbi konfiskimin e pasurisë.
Shefi i EULEX-it z. Xavier de Marnhac në fjalën e tij hyrëse në fillim të këtij takimi tha: “Për shkak të rrethanave dhe Raportit të progresit nga Komisioni Evropian, që pritet të publikohet në fillim të vjeshtës, ne duhet të punojmë sa më shumë, në mënyrë që të jemi në hap me kohën dhe t’i shqyrtojmë çështjet kyçe që kanë bëjnë me sundimin e ligjit”, çështjet e legjislacionit të cilat do të diskutohen duhen zgjidhur sa më shpejtë që është e mundur, shtoi z. de Marnhac.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi, u uroi mirëseardhje zëvendësministrave të ri të cilët tash e tutje do të marrin pjesë në mbledhjet e BPBSL-së, ai po ashtu lavdëroi Qeverinë e Kosovës, EULEX-in dhe ECLO-në për punën e bërë në fushën e sundimit të ligjit prej se është mbajtur mbledhja fundit e BPBSL-së. Z. Kuçi, u shpreh i gatshëm për të bashkërenduar aktivitetet për të kontribuar në Raportin e progresit për Kosovë, i cili pritet të publikohet në shtator. “Ne po punojmë së bashku për të bashkërenduar aktivitetet në mënyrë që sundimi i ligjit të jetë funksional në tërë territorin e Kosovës” tha Kuçi. Ai shtoi se Qeveria do t’ i mbështesë aktivitetet e EULEX-it në veriun e Mitrovicës me qëllim të krijimit të besimit atje.” Z. Kuçi lavdëroi kontributin e dhënë nga EULEX-i dhe ECLO-ja në funksionalizimin e Agjencisë për Konfiskimin e Pasurisë.
Z. Khaldoun Sinno, Ushtrues i Detyrës së shefit të ECLO-së tha se BPBSL-ja është një pjesë pandashme e përpjekjeve për konsolidimin e sundimit të ligjit. “Gjatë vizitës së tyre në Kosovë, Presidenti i Komisionit Evropian z. Jose Manuel Barroso dhe Përfaqësuesja e Lartë/Nënkryetarja e KE-së znj. Catherine Ashton, në deklaratat e tyre kanë theksuar se reformat në fushën e sundimin e ligjit janë element kritik në rrugën e Kosovës për në integrimet evropiane dhe kanë nënvizuar mbështetjen e tyre për EULEX-in".
Anëtarët e Bordit kanë diskutuar edhe për më të rejat lidhur me databazën e Sistemit për Menaxhimin e Kufijve (SMK) si dhe funksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës. EULEX-i prezantoi planet për fushatën e ardhshme anti-korrupsion në mbështetje të institucioneve të Kosovës për luftimin e korrupsionit. Shefi i EULEX-it shprehu besimin e tij se fushata do të jetë njësoj e suksesshme sikurse fushata kundër drogës e cila është duke vazhduar.
| Other Photos: | ||