|
Get the Flash Player to see this player.
|
|
|
17 maj 2011
Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, vizituan sot Portën 3 në Merdar, ku u takuan me policët kufitarë të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it.
|
Rexhepi dhe de Marnhac u njoftuan për së afërmi me punën që po bëhet në këtë portë nga policia kufitare.
Në këtë vizitë ishin prezentë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, si dheUdo Moeller, shef i komponentës së Policisë së EULEX-it.
De Marnhac u tha të mediave të pranishme në këtë ngjarje se EULEX-i është në Kosovë për të mbështetur institucionet vendore, dhe tha që misioni është duke e bërë këtë rregullisht.
“Është e rëndësishme se ne po punojmë së bashku. Ndoshta nuk është atraktive të raportohet për këtë në media, por ne kemi policët tanë në stacione policore, polici kufitare nëpër porta. Gjithashtu gjykatësit dhe prokurorët tanë punojnë së bashku me kolegët e tyre vendorë. Ashtu siç tha ministri, është e rëndësishme që të konsolidohen institucionet e sundimit të ligjit, dhe këtë jemi duke e bërë”, tha de Marnhac.
Ministri i Punëve të Brendshme, Rexhepi dhe shefi i EULEX-it de Marnhac u shprehën të kënaqur me punën e deritanishme të policisë në këtë pikë kufitare si dhe me bashkëpunimin e policive në teren.
“Është vizitë pune së bashku me udhëheqësin e EULEX-it dhe qëllimi është që të performojmë më mirë dhe të kemi bashkëpunim të mirë”, u tha Ministri Rexhepi mediave të pranishme, duke shtuar se “ekziston përkushtimi që bashkërisht të arrijmë suksese më të mëdha dhe që raporti i ardhshëm i progresit të jetë shumë më pozitiv”.
Pas Portës 3 në Merdar, de Marnhac dhe Rexhepi vizituan stacionin policor të Podujevës dhe Shtabin e Policisë Kufitare në Lluzhan.