English Shqip / Srpski
Get the Flash Player to see this player.

LAJME

Është koha që femrat e Kosovës ta trashëgojnë pasurinë!

10 mars 2011

“Do ta turpëroj familjen nëse e kërkoj pjesën time të barabartë të pasurisë,” thotë një personazh femër në filmin në gjuhën shqipe “Lyp hise – gjej sherr”. Shfaqja e filmin dhe diskutimet e panelit që pasuan, të cilat u përqendruan në të drejtat e femrave për pasurinë dhe trashëgimin në Kosovë, u mbajtën me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Grave.

Anëtarët e panelit të Ditës Ndërkombëtare të Grave


Ky aktivitet ishte pjesë e nismës së re të përmuajshme të cilën e kanë filluar këtë vit Zyra e Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it, Njësia për Praktikat më të Mira e EULEX-it dhe Zyra e EULEX-it për të Drejta të Njeriut dhe Çështje Gjinore. Qëllimi i tij është: identifikimi i të drejtave të njeriut dhe i problemeve gjinore në lidhje me zbatimin e sundimit të ligjit.

Në fjalën e tij hyrëse, Alexander Hug, Shef i Zyrës së EULEX-it për të Drejta të Njeriut dhe Çështje Gjinore (ZDNJÇGJ) tha: “Tema jonë e sotme përqendrohet në boshllëkun ndërmjet teorisë dhe praktikës: ligjet kosovare të aplikueshme garantojnë barazi gjinore, megjithatë vetëm një përqindje e vogël e femrave posedojnë tokë apo pasuri tjetër.”

Filmi tregoi që shumë femra shqiptare të Kosovës nuk trashëgojnë asgjë, qoftë për shkak se heqin dorë nga trashëgimi në të mirë të vëllezërve të tyre ose për arsye se nganjëherë kërkesat e tyre për trashëgim injorohen në gjykatë.

Diskutimet në panel ngritën disa çështje të rëndësishme: së pari, supozohet që femrat heqin dorë nga këto të drejta për shkak të presioneve shoqërore, siç është ruajtja e harmonisë familjare ose shmangia e konfliktit. Edhe pse filmi është përqendruar në femrat shqiptare, u tha që edhe femrat serbe ballafaqohen me diskriminim të ngjashëm.

Anëtarë të panelit ishin ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, përfaqësuesi i OSBE-së, drejtori i Shoqatës së Avokatëve, i NORMA-s dhe i Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Komponenti i Drejtësisë i EULEX-it dhe Njësia për të Drejta Pronësore e EULEX-it.

Çështja e dytë në shumë raste ishte mos hetimi nga ana e gjykatësit e numrit të  trashëgimtarëve të ligjshëm, ose, edhe nëse e bëjnë këtë, mungesa e regjistrave të saktë civil që kanë për pasojë qasjen e pabarabartë në drejtësi.

U identifikuan edhe disa çështje të tjera. Shpesh marrëveshjet joformale të përgatitura brenda familjes paraprakisht ju lihen gjykatave për ta bërë zyrtarizimin, duke i përjashtuar femrat nga pasuria. Edhe pse gjykatat nuk mund t’i zgjidhin problemet të cilat i kanë rrënjët në zakonet diskriminuese familjare, institucionet gjyqësore duhet ta respektojnë saktësisht ligjin në fuqi. Regjistrat civil komunal nuk janë të plotë, janë të vjetër ose nuk janë shfrytëzuar sa duhet duke ua pamundësuar gjykatave ta përcaktojnë numrin e saktë të pretenduesve të ligjshëm. Përfaqësuesi i NORMA-s tha: “Tradicionalisht, të drejtat pronësore janë bazuar në marrëveshjet gojore pasi që popullsia shqiptare e Kosovës nuk i ka besuar shtetit.”

Zgjidhjet që u propozuan janë ndërveprimi më i afërt ndërmjet gjykatave dhe institucioneve komunale, përmirësimi i regjistrave civil në të cilin përfshihen të gjithë anëtarët e familjes, njoftimi i shpejtë i vdekjeve në gjykatat komunale, shfrytëzimi i dënimeve për ata që e injorojnë ligjin, fushatat e vetëdijesimit të femrave dhe meshkujve dhe të mësuarit nga praktikat e mira të shteteve fqinje.