English Shqip / Srpski
Get the Flash Player to see this player.

LAJME

Task Forca Mitrovica në aksion

08 mars 2011

Task Forca e EULEX-it në Mitrovicë ka bërë bastisjen e dy shtëpive afër Vushtrrisë, duke vepruar në bazë të urdhrit për bastisje të lëshuar nga një gjykatës vendas i procedurës paraprake. U konfiskuan dokumente dhe të dhëna afariste si edhe një pushkë automatike AK47 me municion. Bastisjet e shtëpive, të cilat u bënë më 4 mars, janë pjesë e një hetimi i cili është duke u zhvilluar lidhur me një rast të mashtrimit afarist.

Disa prej materialeve të konfiskuara gjatë bastisjeve të shtëpive

Operacioni është shembull i punës së rëndësishme të Task Forcës Mitrovica, e cila u krijua në nëntor 2010 me qëllim që t’i përqendrojë përpjekjet në luftimin e krimit të organizuar dhe të krimeve të rënda në veri të Kosovës në të dy anët e Ibrit. “Operacionet e tilla janë shumë të rëndësishme për hetimet tona. Ato janë disa prej pjesëve më të dukshme të punës sonë, ku në të vërtetë njerëzit e shohin sundimin e ligjit në praktikë. Edhe kriminelët e vërejnë këtë po ashtu. Për ata ky është një paralajmërim që e kemi seriozisht dhe do t’i qesim ata para drejtësisë,” tha prokurori i EULEX-it i cili është përgjegjës për operacionin, emrin e të cilit nuk mund ta përmendim për shkak të natyrës së ndjeshme të hetimeve.

Task Forca Mitrovica vepron në bazë të mandatit ekzekutiv të misionit dhe përbëhet nga hetues të Policisë së EULEX-it, hetues të Doganës së EULEX-it dhe prokurorë të EULEX-it. Po ashtu, ky operacion në Vushtrri është mbështetur edhe nga Policia e Kosovës.