English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

EULEX-i mbështet zbatimin e dialogut në fushën e librave amzë - janë dorëzuar 808 libra amzë

03 shtator 2013

Sot përfaqësuesit e EULEX-it ja dorëzuan Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC) të Kosovës kopjet e vërtetuara të 808 librave amzë nga Serbia.

U dorëzuan dosjet e plota për dy komuna, Novobërdën (67 libra amzë), Ferizajn (741 libra amzë), të cilat përbëhen nga kopjet e vërtetuara të librave origjinalë amzë civilë dhe fetarë me të dhënat për lindjet, martesat dhe vdekjet.

Këto kopje janë kryer dhe janë vërtetuar gjatë verës si pjesë e një projekti të financuar nga BE-ja me bazë në Nish, në të cilin është përfshirë EULEX-i, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE, Këshilli Danez për Refugjatë si partner zbatues dhe ekipet nga Kosova dhe nga Serbia.

Vlerësohet se janë gjithsej rreth 12 000 libra amzë në Serbi që do të thotë që projekti tashmë e ka kaluar në mënyrë të suksesshme gjysmën e rrugës deri te arritja e objektivit. Procesi i vërtetimit të kopjeve të librave origjinalë amzë është pjesë e marrëveshjes së dialogut të lehtësuar nga BE-ja të arritur më 2 korrik 2011 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ky projekt i financuar nga Zyra e BE-së është faza e parë e themelimit të një Regjistri Civil plotësisht të besueshëm dhe të qëndrueshëm në Kosovë, ashtu siç parashihet në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Pas dorëzimit tek ARC, bëhet lidhja e librave, përsëri e financuar nga Zyra e BE-së, dhe pastaj u dorëzohen autoriteteve vendore për përdorim të përditshëm në zyrat komunale të gjendjes civile.

Deri tani EULEX-i ka dorëzuar më shumë se gjithsej 7128 kopje të vërtetuara të Librave Amzë, të cilat përfshijnë komunat e Prishtinës (1013), të Lipjanit (848), të Obiliqit (264), të Fushë Kosovës (219), të Gllogocit (425), të Podujevës (1066), të Gjilanit (935), të Kamenicës (824), të Vitisë (726), të Novobërdës (67 libra amzë) dhe të Ferizajt (741).